1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Tabuja dhe ndëshkimi

Seksi me miratim mes motrës e vëllait nuk duhet të penalizohet më, rekomandon Këshilli i Etikës në Gjermani. Ministria e Drejtësisë nuk do ta shfuqizojë ndalimin. E kuptueshme, komenton Dagmar Engel, megjithëse e gabuar.

Bëni një provë mes miqve dhe të afërme tuaj: Në mënyrë intuitive shumica do ta refuzojnë heqjen e dënimit me ligj për kryerje inçesti. Tabuja është e ngulitur thellë. Ajo vjen nga historia, përvoja, feja dhe tradita, jo tek të gjitha, por në shumicën e kulturave të kësaj bote. Por seksi mes motrës e vëllait, me miratimin e dy palëve, nuk penalizohet në shumë vende - të ndryshme nga njëra-tjetra: Franca, Rusia, Turqia, Japonia, Argjentina, Bregu i Fildishtë dhe Holanda. Arsyetimi për këtë mosndëshkim në këto vende: Nuk ka viktima.

Vetëm eugjenika nuk është arsye e mjaftueshme

Por, do të ngrenë zërin të afërmit tuaj, potencialisht ka viktima! Rreziku që fëmijët që lindin nga një lidhje e tillë të jenë me probleme është shumë i lartë. E thjeshtëzuar me tepri madje kjo qëndron, por pretendimi vlen edhe për lidhjet mes njerëzve me sëmundje të caktuata gjenetike. Edhe për alkoolistët. Edhe për gratë shtatzëna mbi të 40-tat. Pra të ndalojmë marrëdhëniet seksuale për të gjithë këto grupe shoqërore!

Ndërkohë që pikat kryesore të eugjenikës nuk janë bazë për ligjin: Sterilizimi nuk e ndryshon faktin se kemi një akt penal. Të gjitha format e marrëdhënieve seksuale të miratuara nga dy palët i miraton ligji, të cilin do ta ndryshojë Këshilli i Etikës.

Megjithatë mbetet ajo ndjesia se një reformë e tillë do të ishte e gabuar: A nuk do të shkelte ajo rregullat tona të moralit? Madje të shkatërronte familjen? Në këtë moment ndihmon të hedhim vështrimin në vende të tjera- dhe - shih më lart - tej shkenca. Me shfuqizimin e penalizimit ligjor nuk zhduket kjo tabu. Efekti i njohur me emrin efekti Westermarck, sipas antropologut finlandez Edward Westermarck, pengon që motrat e vëllezërit të bien masivisht në dashuri me njëri-tjetrin - kush e njeh njëri-tjetrin që fëmijë nuk e sheh seksualisht palën tjetër.

Tabunë nuk e ruan ndalimi me ligj i inçestit

Për këtë arsye ka edhe kaq pak raste të tilla, me të cilat duhet të merret kodi penal. Këshilli i Etikës shkruan në prononcimin e tij se inçesti mes motrës e vëllait - dhe për këtë bëhet fjalë këtu - sipas të gjitha statistikave që ofrohen në shoqëritë perëndimore është një fenomen shumë i rrallë. Këta pak njerëz po ashtu gëzojnë të drejtën e tyre themelore për vetëvendosjen e tyre seksuale dhe kërkimin e lumturisë. Pra ligji për ndëshkimin e aktit duhet të hiqet! Tabuja do ta mbijetojë këtë ndryshim!

DW.COM