1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Të zhvillohen edhe më tej përfytyrimet për politikën e jashtme

Më shumë përgjegjësi në politikën botërore - gjermanët janë skeptikë. Por ministri i Jashtëm e pason me vepra vizionin e tij për një diplomaci të re - përtej zonës së komfortit, brenda ngjarjeve.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Gjermania e ndjek rolin e ri të shpallur prej saj në politikën e jashtme me më shumë entuziazëm se sa do ta kishin pritur këtë edhe miqtë më të mirë. Kur presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck i bëri thirrje vendit të tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih që të marrë në të ardhmen më shumë përgjegjësi në politikën botërore, shumë vëzhgues ndërkombëtarë e mbështetën. Por kush do ta ndiqte më tej këtë temë - dhe si? A kishin qenë shprehjet e ngjashme të ministrit të Jashtëm dhe të ministres së Mbrojtjes të rakorduara me Zyrën e Kancelares, për të ndërmarrë së bashku hapa të tjerë, deri në një ndryshim të vërtetë të politikës?

Përgjigja për të dyja pyetjet është - për momentin e tanishëm- "Po". Gauck e kujtoi vendin e tij që të paraqitet në skenën e politikës botërore "më herët, më me vendosmëri dhe në mënyrë më substanciale". Frank- Walter Steinmeier tashmë e ka bërë këtë: në Maidan dhe në Odesë, në Talin dhe në Kishinau ai kudo ishte i pranishëm.

Jashtë zonës së komfortit

Kjo diplomaci e re i shqetëson shumë gjermanë. Në bazë të një sondazhi të ri të kryer nga Fondacioni Körber, 60 përqind e të pyeturve nuk dëshirojnë që Gjermania të marrë më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme. Shumica mbështet përpjekjet diplomatike, por është shumë skeptike përballë të papriturave të një angazhimi tepër të fortë dhe dëshiron një politikë të jashtme të drejtuar nga vlerat, e cila orientohet në temat e të drejtave të njeriut, të ndihmës humanitare, të klimës dhe ambjentit. Por diplomacia e efektshme është e lidhur me rreziqe dhe me shumë "realpolitikë". Në këtë rast nuk është fjala e një përcaktimi për anën e duhur, por që të ndodhesh në mes, në qendrën e ngjarjeve. Aktorët e një diplomacie të tillë duhet të heqin dorë nga pozicioni i rehatshëm dhe moralisht në epërsi i të mos-përzierit. Diplomacia nuk është qendrim, por një proces: në rrjedhë të vazhdueshme dhe e drejtuar më shumë nga interesat se sa nga normat, ajo krijon hapësira për shkëmbimin, zhvillon mundësi të reja veprimi dhe tregon strategji të reja tërheqjeje.

Ministri i Jashtëm, Steinmeier punon me guxim dhe me shumë angazhim, për ta çtensionuar krizën në Ukrainë - dhe bota përreth tij edhe e regjistron këtë. Ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry e lëvdoi tashmë rolin e tij drejtues dhe gazeta New York Times shkroi para pak kohësh, Gjermania duket se është për Putinin vendi më i rëndësishëm i Evropës.

Edhe në epokën e kompjuterit diplomacia e lartë duket një art, tek i cili lë shumë gjurmë personaliteti. Steinmeieri e ka vërtetuar për të gjithë shkathtësinë e tij në këtë fushë - pa garanci për një sukses të shpejtë dhe përfundimtar. Por edhe kjo është pjesë e procesit: diplomacia ecën ngadalë dhe jo në mënyrë lineare, rezultatet nuk janë gjithmonë të dukshme për personat e jashtëm. Nganjëherë ajo ndihmon që të ndalen skenare edhe më të këqij, se sa i ka sjellë tashmë konflikti.

Këtë përmendi edhe kancelarja Merkel javën e kaluar, kur kundërshtoi kritikat për diplomacinë e ecejakeve të Steinmeierit. Ajo dhe ministri i Jashtëm punojnë të lidhur ngushtë, tha kancelarja. Shkathtësinë e saj diplomatike ajo e tregoi para pak kohësh në një takim me presidentin francez, Francois Hollande. Të dy politikanët deklaruan së bashku se do ta bënin përgjegjëse Moskën për një dështim eventual të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Ish- presidenti amerikan, Teddy Roosevelt e ka përshkruar njëherë kështu diplomacinë e politikës së jashtme: "fol butë, por merr një kërbaç të madh me vete." Kërbaçi i Gjermanisë është fuqia e saj ekonomike.

Në 20 maj në Ministrinë e Jashtme gjermane u zhvillua një diskutim për ato që pret bota nga Gjermania. Përgjigja është: guxim dhe angazhim - jo vetëm prej diplomatit më të lartë të vendit, por edhe prej ekonomisë dhe qytetarëve. Skaji i fushës së lojës nuk është vendi i duhur për lojtarin më të fuqishëm të Evropës. Vendin Gjermania e ka aty ku është parë shumë shpesh kohët e fundit: në qendër të ngjarjeve.