Koment: ″Të rifitohet besimi i humbur″ | Gjermania | DW | 14.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: "Të rifitohet besimi i humbur"

Kaq shumë nuk ka zgjatur asnjëherë krijimi i një qeverie gjermane. Presidenti i Gjermanisë u tha anëtarëve të qeverisë që në krye fjalë që t'i mbajnë mend.

Rezultati mjafton. Angela Merkel është sërish kancelare. Për herë të katërt e zgjodhi parlamenti gjerman ndërkohë 63 vjeçaren si kryetare qeverie. Gjermania ka më në fund sërish një kancelare plotësisht në detyrë, një qeveri plotësisht të aftë për t'i kryer funksionet e saj. Kjo është ajo që duhet, sepse ky është hap i vonuar po të kesh parasysh sfidat e shumta në politikën e brendshme dhe të jashtme.

Debati i nxehtë për kuzhinat për të varfrit dhe për varfërinë në Gjermani flet për çarje të reja në shoqërinë gjermane, të cilat ka kohë që nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e refugjatëve. Në plan ndërkombëtar pret Evropa dhe para së gjithash Presidenti i Francës Macron. Kësaj i shtohet lufta tregtare që kërcënon me SHBA, stili i drejtimit të Donald Trumpit, tensionet midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë - secila nga këto tema është sfidë diplomatike.

Zgjedhja e kancelares është një moment përmbyllës pas 171 ditësh të përpjekjeve politike. Një udhëtim fillimisht në tokën e re të koalicionit Jamaika, pastaj në buzë të humnerës politike drejt hutimit dhe më në fund në fillimin e vjetër-të ri demonstrativ. Këto 171 ditë treguan një gjë: sistemi politik gjerman është i përgatitur për sfida të tilla. Ky është një sinjal i mirë. Por gjermanët duhet të sillen më me modesti në vlerësimin e rrjedhave politike në shtete të tjera, të cilëve iu desh të përballen me sfida të krahasueshme në kohë shumë të vështira ekonomike. Mandati i katërt i Merkelit do të kthehet në një test të ri, ndoshta në testin më të madh politik për të.

Gjatë paradites, Merkeli shkoi dy herë që nga Rajshtagu te Presidenti i Gjermanisë Steinmeier në Pallatin Bellevue. Ky është një ritual i përcaktuar, që kancelarja ose kancelari pas zgjedhjes të shkojë fillimisht te presidenti për t'u emëruar, për t'u kthyer pas kësaj sërish në parlament për të bërë betimin dhe për të shkuar pas kësaj me ministrat sërish te kryetari i shtetit.

Në këtë ditë zgjedhjeje pati një fjalim të vetëm, ai qe fjalimi i Presidentit: "Për të rifituar besimin e humbur nuk do të mjaftojë freskimi i së vjetrës. Kjo qeveri duhet të tregojë se është e aftë nga e para dhe duhet ta tregojë ndryshe." Fjalët e papritura të Steinmeierit, paralajmërimi shumë i thellë bëhet në këtë ditë titulli i koalicionit të ri.