1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Të nxitur për rezultate - CDU/CSU dhe SPD ujdi për koalicion

Natyrisht që unioni konservator mund të bashkëpunojë me SPD. Por në fakt ato nuk e duan një gjë të tillë. E kjo është vështirësia. Por një rol vendimtar në këtë mes ka luajtur presidenti, mendon Christoph Strack.

Ata duhej të binin dakord. Dhe e bënë këtë. CDU, SPD dhe CSU tani duan të hyjnë në koalicion - nëse pas nëntë ditësh kongresi i SPD-së do ta miratojë këtë. Pas katër ditësh me "një atmosferë të mirë" - sinjalesh të negociuesve u desh edhe një maratonë bisedimesh 23 orëshe, e pazakontë kjo deri më sot për krijimin e qeverisë në Gjermani. E pra ja që kështu ndodh.

Tani ka një paketë. Ajo duket më shumë si një skicim i marrëveshjes së koaliconit se sa një ujdi për parimet bazë të një programi të përbashkët qeveritar, që duhej peshuar gjatë bisedimeve paraprake. "Ne duam ta ripërtërijmë kohezionin", thotë kryetari i SPD-së, Schulz. Dhe kancelarja Merkel e cilëson dakodrimin si një premisë që "ne në Gjermani të mund të jetojmë mirë edhe në dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet".

Strack Christoph Kommentarbild App

Christoph Strack

Të gjitha partitë duhej të tërhiqeshin

Dokumenti është shumë më i detajuar, nga sa pritej. Duket qartë, se ku duhej të lëshonte pe secila parti. E në pjesë të caktuara ai të befason: "Europa" është - një sinjal shumë i rëndësishëm ky - jo më një temë në faqet e pasme të dokumentit, por ajo është hyrja në tri faqe thelbësore për një "hov në politikën europiane". Politika e jashtme krahasuar me këtë renditet pas, por sidoqoftë në këtë fushë përjashtohen eksportet e armëve në vendet, që janë të involvuara në luftën në Jemen.

Sa i përket hovit në politikën e brendshme këtu bënn pjesë një "pakt për shtetin ligjor", "për drejtësinë". Tani nuk do të ketë rritje të taksave (gjë që e kërkonte SPD-ja). Por nga ana tjetër sigurimi ligjor shëndetsor (një grindje kjo që vazhdon prej vitesh) do të vazhdojë si deri më sot të financrohet një pjesë nga punëmarrësi dhe një pjesë nga punëdhënësi. Po ashtu duhet të ketë një pension solidariteti. Por kuotizacioni i solidaritetit për landet e reja (pas bashkimit të Gjermanisë sh. red.) gradualisht do të hiqet. Po ashtu të bie në sy përcaktimi i një kuadri të ngushtë për temën e refugjatëve. Kjo fillon qysh me termat "azil", që këtej e tutje do të trajtohet si "imigracion". Bashkimi familjar parimisht është parashikuar: dikur, por me kufizime.

Kaq shumë peshë presidenti nuk ka pasur kurrë më parë

Ajo që bie në sy është roli i presidentit deri në ditën e fundit të konsultimeve. Ujdia e së premtes është një rezultat i presionit që ushtroi kreu i shtetit në kohë serioze politike. Kjo bën që të forcohet rëndësia e postit, i cili rëndom konsiderohet si pa pushtet. Por Frank-Walter Steinmeier këtë javë e shfrytëzoi momentin gjatë pritjeve me rastin e Vitit të Ri që të përdorte fjalë të qarta për t'u tërhequr vëmendjen negociuesve. "Të gjitha vështrimet janë drejtuar nga partitë dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre", tha ai të martën. "Të gjithë pyesin, se si duhet dhe mund të vazhdohet tani - e kjo pyetje shtrohet me plot të drejtë." Atë e dëgjuan kryetarja e CDU-së Angela Merkel e shumë anëtarë të kabinetit qeveritar, po ashtu edhe kryetari i SPD-së, Martin Schulz.

Të enjten para pritjes së trupit diplomatik presidenti shtoi: CDU, CSU dhe SPD janë të detyruara jo vetëm për partitë e tyre dhe të ardhmen e politike të tyre, por ato kanë edhe një përgjegjësi të madhe për Europën dhe politikën ndërkombëtare. Prej kësaj u kuptua dhe një mesazh i qartë, që Steinmeier - çfarëdo që të ndodhë -  mbështetet tek parlamenti. "Kush aplikon për përgjegjësinë politike, nuk duhet të tërhiqet", u shpreh presidenti para dy muajsh, kur dështuan bisedimet paraprake për koalicion me partinë liberale dhe ekologjistët. Por ky mesazh vlejti edhe për këtë javë. Njëkohësisht kjo nënkuptonte për Merkel, Schulz dhe Seehofer: që ata duhet të bien dakord.

Ende ka pengesa të tjera që duhen kapërcyer

Kjo natë nga Berlini nuk sjell më shumë se sa një stand të ri të ndërmjetëm. Nëse krijimi i qeverisë që nga fundi i shtatorit konsiderohet si një vrapim me pengesa, atëherë ujdia në negociatat paraprake për koalicionin ishte vetëm një pengesë e vogël në sfondin e pengesave që priten në kongresin e SPD-së më 21 janar në Bon. E nëse kapërcehen këto pengesa, atëherë do të pasojnë bisedimet formale për koalicionin.

Por ajo që mbetet është: se kushtetuta zyrtarisht nuk njeh as bisedime koalicioni dhe as bisedime paraprake. Drama e tanishme nuk duhet që pas kongresit të SPD-së të vazhdojë edhe në bisedimet  zyrtare për koalicionin qeverisës. Kjo për asrye, se Gjermania pas gati katër muajsh të zgjedhjeve parlamentare ka nevojë për një hov, për një sinjal. Njerëzit presin që prej 100 ditësh për këtë. Kjo e premte sjell - në disa detaje supriza - një sinjal. Ato tani vetëm duhet të bien dakord.