1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Të mbrohen më mirë gratë nga dhuna në strehimet e refugjatëve

Deri tani pothuajse nuk depërtojnë në publik lajme për përdhunime ose abuzim seksual në strehimet e refugjatëve. Por shifra e errët është e lartë - dhe koha për të vepruar nuk pret më, mendon Beate Hinrichs.

Korridore të gjata në rrugë për në dhomat e larjes, dushe ose banja pa dyer, dhoma të përbashkëta pa sferë private: kjo është jeta e përditshme në shumë strehimore refugjatësh. Dhe ky nuk është një ambjent ku gratë dhe fëmijët janë të mbrojtura nga dhuna dhe sulmet seksuale. Ose në të cilat ato ndihen të sigurta, pasi kanë marrë arratinë nga një dhunë e tillë ose të cilën e kanë përjetuar gjatë ikjes.

Gratë dhe fëmijët që kërkojnë azil në strehime të përbashkëta janë veçanërisht të dobët. Aty ku jetojnë njerëz në hapësira të ngushta, pa punë dhe të traumatizuar shumëfish, rritet dhuna dhe ajo shpesh shkarkohet te më i dobëti. Dhe ata shpesh heshtin nga turpi. Nëse gratë dhe fëmijët veç kësaj nuk kanë hapësira të vetat ku mund të tërhiqen, nuk kanë rrjet social, nuk e dinë gjuhën e vendit ku kanë ardhur dhe nuk e dinë ku të marrin ndihmë, atëherë kjo i lehtëson edhe më tej sulmet. Mund të jenë partnerët që i rrahin, migrantë të tjera, punonjës që bëjnë roje dhe që kanë çelës që i hap të gjitha dyert, ose ndihmës privatë, që u afrohen fëmijëve të etur për mbështetje shpirtërore dhe abuzojnë me ta seksualisht.

E drejta e azilit kundër mbrojtjes nga dhuna

Shifra e errët e fenomeneve të tilla duhet të jetë e lartë. Prandaj ekspertë në qendrat këshillimore për migrantet dhe në shtëpitë për gratë, Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe e Ngarkuara e Pavarur për Çështje të Shpërdorimit Seksual të fëmijëve kanë lëshuar alarmin. Ato që nevojiten janë koncepte për t'i mbrojtur refugjatët.

Këtu bëjnë pjesë ndryshime në strehime: strehime për gra që udhëtojnë vetëm ose gra që i rrisin të vetme fëmijët, për shembull. Landi i Hamburgut tani planifikon që në një kamp të madh të ngrerë çadra mbrojtjeje vetëm për gra - për aq kohë sa do të jenë të pakta banesat me çmime të pagueshme, gjithsesi një zgjidhje e momentit. Këtu bëjnë pjesë edhe koncepte përkatëse për mbrojtjen e një shtëpie refugjatësh, si kusht për lejimin e ngritjes së një shtëpie për refugjatët dhe që autoritetet të bëjnë kontrolle të rregullta - njësoj, siç janë të detyruara shtëpitë për ndihmën për njerëz me aftësi të kufizuara dhe kopshtet e fëmijëve. Po kaq të rëndësishme janë edhe pikërëndesat juridike. Çfarë ndodh kur një grua është e rrezikuar nga sulmet, dhe që duhet të strehohet në një shtëpi grash në një qytet tjetër, por është e detyruar të qendrojë në një qytet të caktuar? Ose kur e drejta e qëndrimit të gruas është e lidhur me atë të burrit dhe druhet se do ta dëbojnë nga ka ardhur, po ta braktisë burrin?

Beate Hinrichs kërkon të veprohet

Beate Hinrichs kërkon të veprohet

Detyrimi për të drejtat e njeriut

Këto janë vetëm disa nga një sërë çështjesh komplekse, të cilat shtrohen nga e para në çdo rast të ri dhune, në çdo përdhunim dhe çdo sulm seksual kundër fëmijëve. Për të dhënë përgjigje përvoja është e pakët, një hapësirë veprimi e paqartë - dhe një rrugë shpesh shumë, shumë e gjatë é autoriteteve, e cila sigurisht vetëm një gjë nuk garanton me siguri: ndihmë të shpejtë për gra dhe fëmijë të prekur nga dhuna.

Po këto çështje tani duhet të shtrohen në tryezë - edhe nëse shumë komuna kuptohet që për momentin janë të mbingarkuara edhe me faktin e strehimit të refugjatëve. Por të gjitha vendosen për të ardhmen tani: mënyra e strehimit në të ardhmen e grave dhe e fëmijëve refugjatë, se cilat do të jenë standardet që do të vendosim ne dhe si do t'i ndërtojmë godinat për ta, sa të sensibilizuar dhe të kualifikuar janë punonjësit, cilat persona të besimit janë pranë, se cilat janë autoritetet përgjegjëse për një rast emergjent.

Kjo nuk është çështje gjykimi vetjak. Ky është detyrimi ynë - jo vetëm moral. Sepse mbrojtja nga dhuna seksuale i përgjigjet kërkesave të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat i ka nënshkruar Gjermania.