1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Të kërkosh të vërtetën tek ideologjia

Kina kërkon të ndalojë tekstet universitare që reflektojnë vlerat perëndimore. Importi i marksizmit perëndimor nuk bën pjesë në këtë risi kineze. Kontrolli ideologjik ende ka ndikim në Kinë, mendon Matthias von Hein.

„Të kërkosh të vërtetën në fakte“ – kjo ka qenë një nga parullat kryesore të Ten Hsiaopinit, arkitektit të politikës së reformave dhe hapjes së Kinës. Me këtë ideologji Kina ka bërë deri tani shumë progres. Pasuesi i Ten Hsiaopinit duket se do ta braktisë këtë moto. Për të e vërteta qëndron tek ideologjia. Sidoqoftë fushata e kontrollit ideologjik, e iniciuar nga kreu i shtetit dhe partisë kineze, Xi Jinping po merr përmasa të gjera. Sipas mediave dhe internetit në fokus është vënë kufizimi i mëtejshëm i lirisë akademike. Tekstet mësimore universitare me vlera perëndimore do të duhet të ndalohen në të ardhmen në universitetet kineze. Këtë e ka kërkuar ministri i Arsimit të Kinës, Yang Guiren të enjten (29.01) në një konferencë me përfaqësues të universiteteve kineze.

Fundjavën e shkuar një fletushkë partiake goditi dy të ashtuquajtura përfaqësuese të vlerave perëndimore: Një profesor dhe një piktor. Dhe pak më vonë universiteteve iu kërkua të zgjeronin propagandën dhe të përforconin mësimet e marksizmit dhe „socializmit me tipare kineze“. Shenjat përputhen. Që në fillim të mandatit të Xi Jinping në fillim të vitit 2013 u bë i njohur një dokument që paralajmëronte nga ndikimi i “botëkuptimit perëndimor“. Në mënyrë të qartë aty përmenden ndarja e pushteteve, shteti i së drejtës, liria e medias dhe mendimit, si edhe shoqëria civile.

Deutsche Welle Chinesische Redaktion Matthias von Hein

Koment i Matthias von Hein

Rritet presioni ndaj kritikëve

Që nga ajo kohë qeveria e ka rritur masivisht presionin ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Në stil të gjerë burgosen opozitarët, si edhe avokatët e tyre. Ilham Tohti, një uigur i lindur në një rajon mysliman, Ksinjang jepte mësim deri në arrestimin e tij në janar 2014 në Universitetin e Pekinit për pakicat etnike. Për shkak të kritikës së tij së moderuar ndaj politikës së Kinës kundrejt nacionaliteteve, Tohti u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata dha dënimin për nxitje të „separatizmit“.

Gazetarët po përballen me rregullore gjithnjë e më të rrepta. Që nga fundi i janarit censura kineze cënon shërbimet e internetit VPN, me të cilat përdoruesit mund të ndjekin faqe interneti jashtë Kinës. Ven Ku, drejtor i Telekomunikacionit në Ministrinë e Industrisë dhe Komunikimit (MIIT) tha se vendi ka nevojë për metoda të reja për t'u dalë zot sfidave të reja. E duket se anashkalohet fakti se që nga fillimi i këtij viti, përdoruesit e internetit në Kinë duhet të regjistrohen me emrin e tyre të vërtetë.

Ruajtja e pushtetit mbi të gjitha

Këto zhvillime tregojnë para së gjithash: një mosbesim i pakufishëm i qeveritarëve kundrejt të qeverisurve dhe me këtë lidhet edhe vullneti i patundur i partisë për pushtetin dhe ruajtjen e tij. Në regjistrimet që bëri publike Wikileaks mund të lexohet se si vlerësohet Xi Jinping nga një ish- mik i tij i ngushtë. Në vitin 2009 duket se ai ka thënë: „Xi nuk është i korruptuar dhe nuk interesohet për paratë. Por ai mund të korruptohet nga pushteti.“

Ndërkohë Xi Jinping ka më shumë pushtet të përqëndruar në duart e tij krahasuar me ҫdo paraardhës tjetër që nga vitet 70-të. Me qëllim që asgjë të mos ndryshojë, sulmohen të gjithë dhe gjithҫka që mund të hedhë hije të errëta mbi partinë. Me sa duket këtu futen edhe vlerat perëndimore. Dhe ironia është se marksizmi – deri më sot i sanksionuar në kushtetutë si ideologjia e shtetit kinez është një import perëndimor nga Gjermania. Edh fakti tjetër që numri dy në hiearkinë e Partisë Komuniste të Kinës, Li Keqiang në vitet e rinisë ka përkthyer tekste jurisprudence të perëndimit.