1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: të jesh brenda, por jo i pranishëm

Kur zviceranët votuan me një shumicë të vogël votash pro kufizimit në të ardhmen të migrimit, përmes BE kaloi një britmë - dhe disa nga të djathtët brohoritën. Pa shkak, mendon Alois Berger.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Natyrisht që ata brohorisin tani, kundërshtarët e Evropës në BE. Britaniku Nigel Farage, francezja Marine Le Pen, hollandezi Geert Wilders, austriaku Heinz-Christian Strache, populistët e djathtë të të gjitha vendeve brohorasin për zviceranët si heronj të lirisë, të cilët janë mbrojtur me sukses nga dominimi i të huajve dhe tutela e BE. Zviceranët e dhanë dëshminë se një vend mund të kalojë mirë edhe jashtë konstruktit të madh BE, pretendon për shembull Farage.

Vetëm zviceranët me sa duket nuk janë të sigurtë për këtë. Po të lexosh gazetat nga Berna, Zyrihu ose Gjeneva, atëherë më tepër të krijohet përshtypja se për shumë njerëzve u vjen rëndë për afrinë me partitë e djathta ekstremiste evropiane, që supozohet për ta. Nga njëra anë, në referendumin e tyre ata nuk vendosën të nxjerrin jashtë vendit ata që vuajnë nga uria me origjinë nga Rumania dhe Bullgaria, si dëshirojnë Wilders, Le Pen dhe Co. Zviceranët as nuk ndaluan çdo migrim. Ata duan ta kufizojnë vërshimin, dhe të kufizojnë pikërisht vërshimin e fuqisë punëtore më të mirë të specializuar, nga konkurenca e së cilës në tregun e punës dhe të banimit ata druhen, dhe sidomos kur ajo vjen nga Gjermania, ndihen të frikësuar.

Por para së gjithash, zviceranët nuk duan që me këtë referendum të shkojnë në një distancë më të madhe me BE. Përkundrazi, vetë njëri nga ata që qëndrojnë pas kësaj inisiative, shefi i Partisë Popullore të djathtë, Christoph Blocher, nuk lodhet së siguruari mbështetësit e tij, se ai nuk dëshiron të ndryshojë asgjë në marrëveshjet me BE. Liria e lëvizjes të kufizohet fare pak, kjo po, por të gjitha të tjerat të mbeten siç janë.

Një raport i veçantë

Që prej vitit 1957, që prej themelimit të Komunitetit Evropian, Zvicra ka një marrëdhënie të komplikuar me Brukselin, që flet më pak për Brukselin, se sa për atë si ndihen zviceranët. Që prej 20 vjetësh, madje në Bruksel ndodhet edhe një lutje për anëtarësim nga Zvicra, por për të cilën nuk zhvillohen negociata, sepse qeveria e Zvicrës ka frikë nga zemërimi popullor. Sepse, nga njëra anë Zvicra ka nevojë për BE, ngado që ta kthesh, nga ana tjetër zviceranët kanë nevojë për ndjenjën e pavarësisë.

Rezultati më i bukur i kësaj sparkate është ajo që zviceranët shumë zyrtarisht "ndjekje autonome". Kjo do të thotë, që qeveria i derdh thuajse të gjitha direktivat e BE në ligje zvicerane. Kur BE nxjerr një direktivë shtesë për djathin e malit, atëherë qeveria zvicerane bën menjëherë një ligj të vetin për këtë. Në mënyrë krejtësisht autonome, siç thekson. Por me garanci, sepse ndryshe Zvicrës nuk do t'i lejohet ta eksportojë djathin e saj në BE. Në thelb, Zvicra ka kohë që bën as më shumë, as më pak, atë që bën çdo anëtar i BE. Vetëm pa të drejtë vote. Kjo vërtet që nuk është ndonjë punë shumë e zgjuar, sepse në këtë mënyrë, faktikisht çdo peshkatar i Maltës ka më shumë të drejta për rregullat e djathit zviceran, se sa tetë milionë zviceranët së bashku. Po kjo është një punë që zviceranët duhet ta zgjidhin me veten e tyre.

Nuk ka rrezik për marrëveshjet me BE

Kurse kufizimin e migrimit, zviceranët duhet ta zgjidhin me BE. Tri vjet ka qeveria e Bernës kohë për ta vënë në jetë vullnetin e popullit. Nuk duhet të jesh profet për të parashikuar që në këto tri vjet Zvicra do të lidhet më ngushtë me BE. Kështu ka qenë gjithmonë. Kur Austria nënshkroi dokumentin e anëtarësisë për në BE, Zvicra e la në sirtar këtë dokument dhe në vend të kësaj nënshkroi shtatë marrëveshje bilaterale me BE. Marrëveshje të komplikuara, me klauzola të ngurta, që i lënë Zvicrës më pak hapësirë manovrimi se Austrisë.

Ndoshta edhe BE do të lëshojë pak pe dhe do t'i lejojë Zvicrës që ta zëvendësojë marrëveshjen e përgjithshme të lëvizjes së lirë me një gjysmë dyzine marrëveshjesh të veçanta. Pas tri vjetësh, Zvicra nuk do të duket në asnjë mënyrë si e përfytyrojnë atë sot Farage, Le Pen, Wilders dhe Co.