1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Të bashkuar vetëm në kundërshtim

Samiti i ardhshëm i BE ka nevojë urgjente për një përgjigje gjithëevropiane ndaj krizës së refugjatëve. Por politika e Merkelit nuk mund të jetë përgjigjia, mendon redaktori i DW, Christoph Hasselbach:

Dy ide për të zgjidhur krizën e refugjatëve përmenden herë pas here, për të kundërshtuar kërkesa më radikale: duhen luftuar në radhë të parë arsyet e arratisë. Dhe: zgjidhja mund të jetë vetëm evropiane. Të dyja janë të drejta, por shpesh shërbëjnë si justifikim, për të shmangur vendime të pakëndshme. Derisa të kthehet stabiliteti dhe mirëqënia në të gjitha vendet, prej të cilave njerëzit ikin prej luftës, përndjekjes dhe mungesës së perspektivës, ndoshta do të kalojnë dekada, nëse arrihen. Dhe deri tani, të gjitha përpjekjet për ta trajtuar vërshimin e refugjatëve në nivel gjithëevropian kanë dështuar.

Ajo që është më e keqja është se frontet brenda BE janë ngurtësuar më shumë se kurrë. Kancelarja gjermane, me politikën e saj krahasimisht liberale është e vetmuar. Së fundi ishte kryeministri i Francës, Valls, i cili e bëri të qartë se në pranimin e refugjatëve, Merkeli nuk mund të presë më shumë nga ky aleat i ngushtë.

Tre të katërt e gjermanëve thanë së fundi në një anketim, se qeveria nuk e ka nën kontroll situatën e refugjatëve. Dhe pikërisht në nivelin evropian - dhe atje më herët se në Gjermani - politika e derës së hapur të Merkelit merr përgjigje mohuese, ndërkohë pritet edhe me një gëzim malinj.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App

Christoph Hasselbach

Shengeni është i rrezikuar keqas

Një ndarje e ndershme e refugjatëve? Shumë në Evropë mendojnë se ishte Merkeli që e nxiti vërtet valën masive të refugjatëve me gjestin e saj bujar të pranimit. Një sistem i përcaktuar me kuota për pranimin e refugjatëve? Në kohën e kufijve të jashtëm të hapur të BE kjo mund të shërbejë si një çek i bardhë për migrimin e vazhdueshëm. Plani që Turqia t'i mbajë në vend refugjatët dhe BE të paguajë për këtë dhe t'i marrë kontigjente refugjatësh Turqisë?

Presidenti Erdogan ka lënë të kuptohet se mund t'i hapë në çdo kohë portat dhe se mund të kërkojë gati çdo çmim. Dhe gatishmëria e shumicës së shteteve evropiane që të pranojnë vullnetarisht edhe kontigjente të vogla, është e vogël.

E vetmja gjë që i lidh në këtë krizë të gjitha shtetet e BE është dëshira për izolim. Këtë shtetet anëtare e organizojnë gjithnjë e më shumë në nivel nacional ose në grupe: Suedia ka shpallur prej kohësh fundin e politikës së saj liberale të migrimit; Austria vendos një kufi të sipërm për refugjatët dhe planifikon me ndërgjegje një efekt domino në itinerarin ballkanik; shtetet e Vishegradit dëshirojnë madje të "ndihmojnë" shtetin jo anëtar të BE, Maqedoninë, për ta mbyllur kufirin për në Greqi, sepse Greqia nuk e ndalon vërshimin e refugjatëve në drejtim të Veriut. Kjo do të çonte në një përjashtim të Greqisë nga zona e Shengenit, e cila për shkak të kontrolleve të shumta të kufirit është dëmtuar gjithsesi. Shengeni kërcënohet në mënyrë akute, që të bëhet viktimë e mosdakordimit evropian.

BE i mbeten vetëm pak javë, për t'i pakësuar dukshëm shifrat e refugjatëve. Në realizimin e këtij synimi do të matet takimi i nivelit të lartë të BE. Merkeli nuk do të mund ta vazhdojë politikën e saj bujare kundër shumicës së madhe të evropianëve. Nëse ajo e mban edhe më tej të hapur hyrjen për në Gjermani, Gjermanisë do t'i duhet praktikisht që ta mbajë e vetme të gjithë barrën. Këtë nuk do ta pranonin as gjermanët.

Në BE ekziston një interes i madh që kjo krizë e pashembullt të zgjidhet me forca të bashkuara. Por kursi i Merkelit i "do-t'ia-dalim-mbanë" dhe i "nuk ka kufi të sipërm" (për numrin e refugjatëve) nuk mund të jetë orientim. Ka ardhur koha për një pragmatizëm të ri.