1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të ruhet qetësia, të vazhdojnë negociatat

Christoph Hasselbach16 Gusht 2016

Megjithë përpjekjet për shantazh:Turqia ka interes të fortë që t'i përmbahet marrëveshjes së refugjatëve me BE. Por Brukseli duhet të bëhet më i pavarur, mendon redaktori i DW, Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1JijQ
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/L. Pitarakis

Nuk është hera e parë që përfaqësues të udhëheqjes turke e kërcënojnë BE-në. Presidenti Erdogan vetë ka thënë disa herë se pa liberalizim të afërt vizash për nënshtetasit turq ai nuk do ta ndiejë më veten të lidhur me marrëveshjen me BE-në për refugjatët. Tani, ministri i Jashtëm Cavusoglu shkoi më tej në një intervistë me gazetën "Bild". BE ai e akuzoi për "qëndrim armiqësor ndaj Turqisë". Dhe pastaj pasoi sërish fjalia, e cila ka të bëjë me marëveshjen për refugjatët: "Ose ne do t'i zbatojmë njëkohësisht të gjitha marrëveshjet, ose do t'i braktisim ato të gjitha." Me fjalë të tjera: nëse heqja e vizave nuk do të vijë deri në tetor, ne do t'i lejojmë sërish migrantët që të vazhdojnë rrugën drejt BE-së.

Për shumë në BE, lidhja e marrëveshjes për refugjatët me heqjen e vizave ishte e vështirë të pranohej, kjo edhe para reagimit të Erdoganit ndaj përpjekjes për puç. Kjo vlen edhe më tepër sot, pas "spastrimeve" që vazhdojnë, pas represionit dhe insinuatave të Erdoganit se ai nuk do ta pengojë një rivendosje të dënimit me vdekje. Edhe Cavusoglu ka treguar tani mirëkuptim për dënimin me vdekje. Po të rivendoset dënimi me vdekje, ai do të ishte thika pas shpine për negociatat për anëtarësim në BE. Këtë natyrisht që e dinë Erdogani dhe Cavusoglu. Por ata e dinë edhe që BE-së mund t'i bëhet shantazh për shkak të migrantëve, ose të paktën BE-ja ndien se mund t'i bëjnë shantazh.

Christoph Hasselbach
Christoph Hasselbach

Heqja e vizave qe planifikuar që para paktit për refugjatët. Ishte jo ndihmuese që ajo u bë pjesë e marrëveshjes për refugjatët, për ta nxitur edhe më tepër Turqinë që të kontribuojë me pjesën saj. Megjithatë, BE-ja nuk i ka dhënë Turqisë në këtë drejtim një çek të bardhë, por i ka vënë kushte të qarta. Sot Brukseli mendon se këto kushte janë plotësuar më pak se kurrë. Para së gjithash, BE-ja kritikon që Turqia i përdor ligjet e saj antiterror kundër opozitarëve të papreferuar.

Asnjë shkak për qendrim të nënshtruar

Po çfarë duhet bërë atëherë? Vetë BE-ja nuk duhet ta ndërpresë në asnjë mënënyrë marrëveshjen për refugjatët. Sepse deri tani Turqia i përmbahet në një masë të konsiderueshme pjesës së saj të marrëveshjes: që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes, në ishujt grekë thuajse nuk vijnë migrantë. Për BE-në ky është lehtësim i madh. Megjithë retorikën që përdor, ka pak gjasa që Turqia ta verë në jetë kërcënimin e saj. Sepse ajo është edhe më tej shumë e interesuar për marrëdhënie të ngushta: varësia ekonomike është e madhe; BE-ja e zbut pak izolimin, në të cilin e ka futur vendin Erdogani; në fund të fundit Ankaraja merr shumë para nga BE-ja, për t'i furnizuar refugjatët në territorin e saj. Të gjitha këtyre do t'u vihej pikëpyetje.

Shumë evropianë shohin rrezik edhe për rastin sikur Ankaraja do t'i plotësonte kushtet për heqjen e vizave. Atëherë BE-ja duhet të mbante fjalën dhe t'i hiqte vizat me Turqinë. Në kushtet aktuale politike me Turqinë do të ekzistonte mundësia që një numër i madh opozitarësh turq dhe para së gjithash kurdë ta përdornin një udhëtim në BE për të kërkuar azil politik. Por edhe për këtë rast shumë shtete të BE-së kanë marrë masa dhe kanë rënë dakord për një "frenë emergjence".

Pra nuk ka shkas as për panik, as për qendrim të nënshtruar ndaj Erdoganit. Në fund të fundit, BE-ja duhet t'i sigurojë plotësisht vetë kufijtë e tij të jashtëm, në vend që t'ia delegojë këtë detyrë të tjerëve. Marrëveshja e sotme me Turqinë mund të jetë vetëm një zgjidhje tranzitore.