1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të mbrojmë demokracinë - tani!

Richard Fuchs14 Tetor 2015

Në demonstratën e lëvizjes antiislamike Pegida, emri i kancelares Merkel tundet në një litar simbolik. Me interesa të "qytetarëve të shqetësuar" kjo nuk ka të bëjë më, mendon Richard Fuchs.

https://p.dw.com/p/1GnVi
Aktivitet i Pegidas me litar ne Dresden
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Fotografia e një litari shpërndahet me mijëra herë në mediet sociale. Në mënyrë simbolike mbështetësit në Dresden të Lëvizjes Pegida, me qëndrim armiqësor ndaj fesë islame, varin në të politikën ndaj refugjatëve të kancelares Angela Merkel dhe të qeverisë së saj. Kjo është një politikë simbolike mesjetare, e cila shoqërohet po nga një retorikë mesjetare trazirash. Ai që është i pranishëm nga fillimi në fund në një demonstratë të Pegidas, për atë tabloja plotësohet. Dhe nuk është tablo e bukur.

Gjuha brutale e litarit i shokon shumë vetë. Kjo në një kohë kur skeleti i drurit i ndërtuar vetë, po ta shohësh më nga afër është vetëm një gur në një strategji të madhe mediatike të një lëvizjeje të vogël. Marketing viral ngjyrë kafe (neonazist) e quajnë ekspertët e komunikimit këtë - dhe për fat të keq është marketing i cilësisë më të mirë. Por ia vlen që të shohësh jo vetëm fotografitë, por të dëgjosh edhe gjuhën dhe kërkesat e gjoja "qytetarëve të shqetësuar." Sepse këtu fillon kapërcimi i vijës së kuqe të nxitjes së popullit.

Gjuhë demaskuese

Në podiumin e Pegidas dëgjon të flitet për "kampin e xhunglës", kur flitet për kampet e refugjatëve. Flitet për vërshimin e invadorëve, kur bëhet fjalë për vargjet e refugjatëve. Dhe Bundestagu dhe Berlini quhen njëzëri "diktatorët e Berlinit". Asnjë krahasim me kafshët nuk kursehet: refugjatët e luftës civile janë "kope" ose "bagëti".

Nuk mund të mos e dëgjosh thirrjen për t'i ngulur sëpatën në shtyllën kurrizore demokracisë. Bëhet thirrje për "mosbindje". Shteti gjerman, sipas organizatorëve, në fund të fundit nuk kujdeset për mbrojtjen e popullatës vendase, është mesazhi.

Richard Fuchs
Richard Fuchs

Hapur udhëheqësit e Pegidas u bëjnë thirrje punonjësve të policisë që të mos i binden në shërbim Republikës Federale të Gjermanisë. Hapur kërkojnë ata nga fqinjët e strehimeve të refugjatëve që "pastrojnë" territorin para këtyre shtëpive. Dhe klika drejtuese e Pegidas u bën thirrje demonstruesve të Dresdenit që të mbrohen edhe në jetën e përditshme kundër sistemit Republikë Federale e Gjermanisë. Çdo ditë pak më shumë: në vendin e punës, tek shokët dhe në rrugë. Dhe ajo që e tund nga vendi dëgjuesin është thirrja e shurdhët "bashkohuni me ne", e cila del njëzëri nga 9000 fyte.

Pasues të demokracisë

Pa dyshim: këtu bëhet thirrje pa doreza për përmbysje. Pegida dëshiron një Gjermani tjetër. Një Gjermani që përçmon demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe që preferon të ecë në një hap me turmat me çizme. Të ashtuquajturit "qytetarë të shqetësuar" të Pegidas janë profesionistë të mediave. Dhe si të tillë edhe duhen trajtuar. Në rrugët e Dresdenit sërish po luhet loja e kurbanit: këtë herë fajin për të gjitha e kanë refugjatët, 80 vjet më parë e kishin hebrenjtë.

Është e vështirë të përfytyrosh se çfarë do të bëhej sikur të kthehej në realitet tabloja që pikturojnë mbështetësit e Pegidas në pjesën historike të Dresdenit. "Ne jemi e ardhmja", bërtet një grup i vogël, i cili është bashkuar në një simbiozë famëkeqe, nga urrejtja ndaj të huajve, përçmimi ndaj demokracisë dhe qejfi për përmbysje. Fotografitë e tyre shpërndahen me shpejtësi në rrjet, duke "u pëlqyer" nga mijëra vetë. Ka ardhur koha që profesionistëve neonazistë të mediave t'u tregohet vendi dhe që të gjitha kanalet në dispozicion të mbushen me mesazhe të tjera. Si për shembull me mesazhin e shpërndarë 82 milionë herë: "Jo, falemnderit Pegida!". Demokracinë nuk duhet ta lëmë vetëm tani.