1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Sulmi i Bostonit ka ndryshuar Amerikën

Kush bën diçka të tillë? Të shpërthejë bomba në maratonë? Kush dëshiron që njerëzit të vdesin apo plagosen në mënyrë kaq mizore? Nuk ka asnjë justifikim për një terror të tillë të pakuptimtë.

default

Dy të dyshuarit për sulmet me bomba në maratonën e Bostonit janë me sa duket Islamistë: Tamerlan Zarnajewvon, i cili vdiq pas një shkëmbimi zjarri me policinë të premten, dhe vëllau i tij më i ri Dzhokhar të cilin policia e arrestoi po në të njëjtën ditë. Me siguri, dy të rinjtë që sipas të dhënave të deritanishme janë me origjinë nga Çeçenia, kanë përjetuar gjëra të tmersshme në atdheun e tyre të mëparshëm: dhunë, luftë, pastaj arratisja për në SHBA - dhe me këtë mundësia për një fillim të ri. Megjithatë siç duket ata nuk kanë mbërritur kurrë në të vërtetë në shoqërinë e hapur perëndimore. Përkundrazi. Ata shfrytëzuan lirinë që u ofroi Amerika për të kryer siç supozohet këtë akt të tmerrshëm.

Sulmi i Bostonit ka ndryshuar Amerikën. Sepse njerëzit tani natyrisht që pyesin se çfarë mund të bëhet për të parandaluar diçka të ngjashme në të ardhmen. Se autorët u gjetën kaq shpejt, ka të bëj edhe me fatin që rrugët në qytetet e mëdha amerikane vëzhgohen me kamera.

Në foto, Miodrag Soric

Në foto, Miodrag Soric

Numri i kamerave që vëzhgojnë jetën publike në SHBA, do të vazhdojë të rritet. Një rol të rëndësishëm në identifikimin e vëllezërve çeçen kishte edhe fakti se pothuajse çdokush në SHBA zotëron ndërkohë një smartphone. Fotografitë e bëra nga individët pivatë me telefonat e tyre celularë të cilat pastaj u përcollën në polici ishin ato që ndihmuan FBI-në për të gjurmuar terroristët e dyshuar. Pa këtë ndihmë të qytetarëve forcat e sigurisë ndoshta do ta kishin më të vështirë për të identifikuar autorët e krimit.

Kjo përvojë ka sensibilizuar amerikanët. Angazhimi i tyre, vigjilenca e tyre është padyshim shumë e rëndësishme kur është fjala për sigurinë publike. Ndërkohë, qytetarët i pranojnë kufizimet më të gjera të lirisë. Diçka që para sulmeve të 11 Shtatorit 2001 ishte e papërfytyrueshme.

Aktualisht banorët e Bostonit dhe Watertown-it janë të kënaqur që terroristët e dyshuar u vranë përkatësisht u arrestuan. Në orët e mesnatës ata kanë dalur lirshëm për të festuar në rrugë. Të paktën tani ata do të harrojnë të vërtetën banale se në një shoqëri të hapur nuk mund të ketë siguri absolute.