1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: sinjal me efekt të dobët nga Meka

Përjashtimi i Sirisë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) pritej, sepse atje janë shtetet e Gjirit që vendosin. Si duhet të pozicionohet Perëndimi?

Takimi i Mekës përjashtoi Sirinë

Takimi i Mekës përjashtoi Sirinë

Në muzikën shoqëruese mediale të takimit panislamik të nivelit të lartë për Sirinë në Mekë bënte pjesë edhe një paralajmërim i shqiptuar qartë nga Uashingtoni: SHBA do të kujdesen që Irani "të mos përpiqet ta përcaktojë të ardhmen e Sirisë". Këtë ia deklaroi Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta që në fillim të takimit të martën publikut botëror. Dhe paralajmëroi: përcaktimi i së ardhmes së Sirisë është vetëm punë e popullit sirian. Fjalë të bukura, por për fat të keq jo të sakta. Fakt është se lufta e Sirisë ka kohë që nuk është më konflikt brendashtetëror, por një konflikt ku ndërhyjnë edhe fuqi të huaja rivalizuese për të ruajtur interesat e tyre. Trazirat më të fundit dhe rrëmbimet në Liban janë shembulli më i qartë. Në të vërtetë, ka shumë të dhëna që flasin se Irani e mbështet aleaten e tij tradicionale Sirinë me këshilltarë ushtarakë dhe ndoshta edhe me armë.

Ndikim i fuqive të huaja

Po kaq e qartë është, sa kryengritësit në luftën e tyre kundër regjimit mund të llogarisin ndihmën e SHBA dhe të Evropës, por para së gjithash ndihmën nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia. Shtetet e Gjirit financojnë me sa duket edhe furnizime me armë dhe rrogat e kryengritësve. Po aleatët perëndimorë? Duhet të jesh naiv po të besosh se në rastin e ndihmave perëndimore bëhet fjalë gjithmonë vetëm për ndihma humanitare ose në rastin më të mirë për ndihma logjistike, siç thuhet vazhdimisht. Po të ishte kështu, kjo do të thoshte që t'ia ofroje kryengritësit e pajisur keq një regjimi, i cili njihet që i torturon dhe vret opozitarët.

Shtetet sunite të Gjirit dominojnë

Takimi i nivelit të lartë në Mekë ka bërë tani të qartë edhe njëherë se cili është konstelacioni i punëve: drejtuar nga sauditët, shumica e shteteve islamike vendosi përjashtimin e përkohsëm të Sirisë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC). Irani, si shteti më i rëndësishëm shiit nuk e mbështet këtë vendim, por i qëndron besnik regjimit të afërt në fe të Damaskut.

Përballë miratimit të gjerë për vendimin mund të flitet pa dyshim për një sinjal të fortë ndaj Damaskut. Por ky sinjal qe i parashikueshëm po të kesh parasysh dominancën e shteteve të Gjirit në OIC - dhe me siguri do të mbetet me pak pasoja, si shumica e rezolutave që miratuan organizatat ndërkombëtare si OKB ose Liga Arabe.

Sinjal i qartë ndaj Damaskut në Mekë

Sinjal i qartë ndaj Damaskut në Mekë

Nga njëra anë është Irani dhe aleatët e tij, në anën tjetër "kampi sunit" i shteteve të Gjirit dhe i Turqisë, i mbështetur nga shtetet perëndimore, që janë tradicionalisht partnerë të këtyre vendeve dhe që duan të pengojnë veç kësaj një armatim atomik të Iranit. A është e justifikuar kjo mbështetje perëndimore? Po, por vetëm kushtimisht.

Po Perëndimi?

Varet si praktikohet mbështetja perëndimore dhe me cilat kushte është e lidhur ajo. Nga pikëpamja morale, shtetet perëndimore janë të detyruar për shkak të kodit të tyre të vlerave të mbështesin kryengritjen kundër sistemit të Bashar al Assadit- edhe nëse një pjesë e kryengritësve vepron me një brutalitet të krahasueshëm me regjimin kundër civilëve e madje kryen edhe krime lufte, sipas OKB-së. Për kohën pas fundit të sundimit të Assadit kjo nuk do të thotë asgjë të mirë. Megjithatë, nuk mund të ketë asnjë dyshim, se regjimi i dhunshëm i Assadit duhet të rrëzohet sa më shpejt- përndryshe vuajtjet e popullit sirian do të vazhdojnë edhe më tej. Prandaj Perëndimi duhet të punojë për këtë synim po kaq qartë sa edhe shumica e shteteve të Gjirit.

Evropa dhe SHBA nuk duhet të lënë përshtypjen se mbështesin për arsye të politikës së sigurisë parimisht forca sunite në rajon dhe mbyllin sytë përballë shkeljes së të drejtave të njeriut. Standarde të dyfishta ne nuk mund të përballojmë më në këtë rajon.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Esat Ahmeti