1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e kupton Gjermaninë Angela Merkel

Ines Pohl
23 Qershor 2017

Çfarë është gjermane? Kjo pyetje diskutohet shumë dhe me pikëpamje të kundërta. Tani kancelarja i ka paraqitur përgjigjet e saj në BILD-Zeitung. Një listë tipike e Merkelit, mendon kryeredaktorja e DW, Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/2fHvA
Belgien - EU-Gipfel in Brüssel - Merkel
Fotografi: picture alliance/BELGA/dpa/Pool/F. Sierakowski

Ndaj asnjë politikani tjetër nuk ka për momentin një presion kaq të madh të lidhur me pritje, sa ndaj kancelares gjermane. Që kur Donald Trumpi është bërë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Merkeli është për shumë zëri i fundit i arsyes, mbrojtje e botës perëndimore. Jo së fundi, si e vetmja që mund ta shpëtojë BE nga shpërbërja. Me të Gjermania është bërë sërish një lojtar i rëndësishëm në parketin ndërkombëtar - bota i ka sytë nga Gjermania.

Me këtë përgjegjësi të re, me rëndësinë e re dhe me rritjen e pushtetit të lidhur me këtë, rriten natyrishtt edhe frikërat. Shqetësimi i vjetër se Gjermania mund ta përdorë në mënyrë ta paturpshme dominancën e saj për interesat e saj, po formulohet me zë gjithnjë e më të lartë. Dilema historike papritur është sërish aktuale: Gjermania është shumë e vogël dhe shumë e dobët për të qenë e vetme një motor i fortë, i cili ta mbajë në punë Evropën. Por njëkohësisht është edhe shumë e fuqishme, për të qenë një vend midis shumë të tjerëve.

Çfarë është gjermane? 

Krahas kësaj perspektive të jashtme për vendin tonë, natyrisht që ekziston edhe diskursi brendagjerman. Çfarë kuptohet në fakt me këtë "të qenit gjerman" në vitin 2017?Jo vetëm që prej krizës së refugjatëve, qytetaret dhe qytetarët diskutojnë se çfarë e mban të bashkuar vendin e tyre: cila është feja me ndikimin më të madh, si e ndryshon feja islame Gjermaninë, cilat janë pasojat afatmesme dhe afatgjata të numrit të madh të refugjatëve, që kërkojnë një atdhe të ri në Gjermani, në identitetin e vendit tonë?

Në mes të këtij diskutimi kompleks, të ngarkuar dhe të rënduar, hyn kancelarja Merkel më pak se 100 ditë para zgjedhjeve në Bundestag me një ofertë lodërtare: me një "Alfabet të Gjermanisë", i cili botohet në gazetën më të madhe bulevardeske të Gjermanisë BILD, ajo ofron përkufizimet e saj dhe i fton qytetaret dhe qytetarët që të hyjnë në debat. Pa dyshim, në mënyrë më gjeniale nuk mund t'i afrohesh kësaj teme.

Kush veç Merkelit mund të arrijë që të kremtojë që në radhën e parë Nenin 1 të Kushtetutës gjermane dhe të bëjë të qartë që në krye se mbi ç'themel të pakthyeshëm ndodhet Gjermania. Për të ofruar pak më vonë, gjëra fare prozaike si "arsimi profesional dual" dhe "dritaret e mbyllura mirë" si komponentë përkufizimi. Ajo i përmend në një frymë "federalizmin", ashtu edhe "krevatin me susta", "përgjegjësinë e vazhdueshme të Gjermanisë për Holokaustin" dhe "integrimin". Fjalën "patate" (Karttofel) e pason "kambanorja" (Kirchturm), por tek "Made in Germany" natyrisht edhe "myslimanët".

Ines Pohl, kryeredaktore e DW
Ines Pohl, kryeredaktore e DW

Listë e kombinuar me finesë

Ai që beson se ky alfabet i Merkelit është thurrur pa vëmendje, ai e ka shumë gabim. Të paktën mua, si një gjermane që dëshiron një Gjermani të hapur ndaj botës, megjithë lidhjen e saj me traditën, kulturën dhe historinë, parimet e rëndësishme i duken të kompozuara me finesë. Fjala "kureshtje" mungon në të po kaq pak sa mungon "mbrojtja e ambientit" dhe "shumëllojshmëria". "Liria e shtypit" është një pjesë e pandashme e vendit tonë siç është "mbledhja e kërpudhave" dhe "përpikmëria".

Dhe natyrisht, politikania e zgjuar lë edhe këtu një derë të hapur me "guximin për të lënë boshllëk", të cilin me këtë listim ajo e shfrytëzon shprehimisht. Në këtë mënyrë, alfabeti është më tepër se një lojë gazmore mendimesh. Është një deklaratë qeveritare alla Merkel. Në disa parime bazë, si në pohimin e lirisë fetare e patjetërsueshme dhe në përzgjedhjen tërësore megjithatë kaq e hapur, që sa më shumë njerëz të ndiejnë se u drejtohet atyre.