1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: shpëtimi nuk mund të zgjasë përjetësisht

21 Qershor 2016

Gjykata Kushtetuese Gjermane miratoi me kushte programin e BQE-së për shpëtimin e euros. Por problemi i mirëfilltë është politika e vazhdueshme e interesave të ulëta bankare, mendon redaktori i DW, Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1JAfl
Die Linke Bundesverfassungsgericht Urteilsverkündung Karlsruhe Richter
Fotografi: picture-alliance/dpa/U.Deck

Ishte e qartë që Gjykata Kushtetuese gjermane as do ta refuzonte qartë politikën e shpëtimit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), as do ta miratonte pa kufizime. Sepse që prej fillimit, gjykatësve iu desh të vinin në kandar argumente formale juridike përballë atyre politike dhe ekonomike. Puristët e drejtësisë kanë thënë gjithmonë që deklarata e Presidentit të BQE, Mario Draghi për të blerë në rast nevoje në mënyrë të pakufizuar hua të shteteve të zhytura në borxhe, i ngjan një financimi të ndaluar të shteteve. Të tjerë kanë thënë që çfarë dobie ka ta interpretosh ngushtë mandatin e Bankës Qendrore kur përfundon në plehra monedha e përbashkët.

Kjo pikëpamje e fundit ka pasur sukses vitet e fundit, në gjykata dhe politikisht. Të paktën në vështrim të parë, zhvillimi i krizës shtetërore u ka dhënë të drejtë mbrojtësve të kësaj teze. Kur Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi bëri të ditur në vitin 2012 para të gjithë botës se do të bëjë "gjithçka, që është e nevojshme" për të shpëtuar euron, tregjet u qetësuan me të vërtetë brenda natës. Vetëm deklarata, se në rast nevoje do të bliheshin pa kufizim hua, mjaftoi, deri tani nuk ka qenë e nevojshme të bëhet realitet. Spekulimet kundër euros u bënë pa kuptim. Interesat e huave të shteteve të zhytura në borxhe u ulën, kjo ruajti aftësinë e tyre paguese.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach

Siguri e gabuar

Banka Qendrore që atëherë blen jo pa kufizim, por gjerësisht hua të shteteve në krizë. Me këtë vërtet që i ka ndihmuar të mos fundosen këto shtete dhe e ka stabilizuar bashkimin monetar. Por ka krijuar dy probleme të reja, pikërisht një rrezik për taksapaguesit që duhet të mbajnë përgjegjësinë dhe: rehatin. Vetë Draghi ka thënë herë pas here se politika e tij e interesave të ulët bankare mund t'u ofrojë vetëm një pushim të shkurtër shteteve me borxhe; ato duhet ta shfrytëzojnë këtë pushim për t'u bërë rezistente ndaj krizave me anë të reformave; Banka nuk mund të bëjë detyrat e politikës. Kjo do të thotë se politika e shpëtimit nuk qe menduar kurrë si një shkarkim i vazhdueshëm i barrës së shteteve, por si masë emergjence.

Por këtë qeveritë e shteteve në krizë me shumë dëshirë kanë bërë sikur nuk e kanë dëgjuar; dhe jo vetëm ata. Edhe ministri gjerman i Financave kënaqet duke kursyer për shkak të interesave bankare të ulëta, madje interesave bankare negative, por veç se e bën këtë në kurriz të qytetarëve. Kursimet, fondet e pensioneve, sigurimet për jetën nuk sjellin më asnjë fitim, qytetarët gradualisht shpronësohen. Kështu qeveritë e BE-së, si të shteteve të dobëta, ashtu edhe të shteteve të fuqishme ekonomikisht hyjnë në një aleancë famëkeqe dhe e mbështesin politikisht mënyrën e veprimit të Bankës Qendrore, e cila nuk mund të vazhdojë përjetësisht kështu.

Sepse një gjë është e qartë: deklarata e atëhershme e Draghit mund të ketë ndihmuar. Vetëm ajo qe objekt i gjykimit të Gjykatësve të Karlsruhes, jo huatë që vazhdojnë të blihen. Por në fund të fundit, vendimtar është kuadri më i gjerë i politikës së shpëtimit të BQE-së. Si masë e vazhdueshme, politika e parave të lira u jep stimuj të gabuar shteteve dhe u sugjeron atyre një siguri të gënjeshtërt. Dikur tregu sërish duhet të bëjë punën e tij disiplinuese.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare