1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koment: Shpresa të vakta për pranverën boshnjake

Protestat në Bosnje-Hercegovinë kanë sfond social, mendon Benjamin Pargan. Por elitat politike duan t'i kanalizojnë në ujëra nacionaliste për të ruajtur pushtetin e tyre.Vendi ka nevojë për ndihmë nga jashtë.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Politikanë të korruptuar dhe të paaftë, papunësi masive, varfëri, keqmenaxhimi, bllokadë politike. Parti që grabisin paturpësisht shtetin dhe qytetarët. Një burokraci e fryrë dhe joefikase, nepotizmi në formën e tij më të shëmtuar. Mungesë shprese, zemërim dhe frustrim i qytetarëve. Për gati njëzet vjet, këto janë fjalë me të cilat përshkruhet gjendja në Bosnjë dhe Hercegovinë. Megjithatë, popullsia e këtij vendi ka votuar në zgjedhje në mënyrë të përsëritur për të njëjtat parti. Këto zgjedhje janë zhvilluar madje falë mbështetjes aktive të komunitetit ndërkombëtar - në mënyrë demokratike.

Deutsche Welle Bosnisch Benjamin Pargan

Benjamin Pargan, drejtues i redaksisë boshnjake në DW

Përça dhe sundo

Politikanët e korruptuar, kundër të cilëve po demonstrojnë prej ditësh qytetarët, janë zgjedhur në mënyrë demokratike. Mungesa e kulturës demokratike, naiviteti, dhe madje edhe marrëzia klasike politike e qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës nuk janë patjetër shpjegime të arsyeshme për këtë situatë absurde. Sepse politikanët nacionalistë nga të gjitha grupet etnike të vendit kanë që prej përfundimit të luftës një armë të sprovuar në dorë për t'i bërë votuesit me pak përpjekje të shndërrohen në dele që votojnë: të ashtuquajturën kartë etnike.

Këta politikanë nxisin frikërat dhe paragjykimet e grupeve etnike ndaj njëri-tjetrit. Njëri nga grupet etnike margjinalizohet dhe paraqitet si viktimë dhe partia e prezanton veten si shpëtimtare të kombit dhe garante të mbojetesës politike. Në kuadër të luftës për gjoja mbijetesën politike të etnisë së vet, zgjedhësit e Bosnje-Hercegovinës harrojnë të shtrojnë pyetjen se përse gjendja e tyre ekonomike është aq e keqe. Kësaj i shtohet korrupsioni dhe padrejtësia sociale. Por partitë bëjnë gjithçka që gjërat të mbeten siç janë, sepse një popullsi e ndarë mbi baza etnike, mund të mbahet më lehtë nën kontroll.

Kundërofensivë nacionaliste

Trazirat e dhunshme shoqërore të ditëve të fundit e ndërprenë këto logjikë të nacionalistëve. Varfëria dhe gjendja e mjerueshme ekonomike nuk njohin ndoshta grupe etnike, dhe protestat në Bosnje-Hercegovinë u zhvilluan përtej kufijve etnikë. Ky fakt i alarmoi partitë etno-nacionale në pushtet të boshnjakëve , serbëve dhe kroatëve në Bosnje- Hercegovinë. Prandaj ato përdorën armën e provuar, kartën e tyre etnike. Milorad Dodik, president i Republika Srpska u shpreh se gjoja gjendja ekonomike e " etnisë" së tij është shumë më e mirë dhe përpiqet me të gjitha mjetet që t'u vërë protestave vulën etnike. Ato janë vetëm një dëshmi se Bosnjë - Hercegovina nuk do të mund të funksionojë si shtet dhe ai nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për destabilizimin e Republikës së Srpska.

Ky marifet funksionoi, sepse artileria e tij mediale e drejtuar kundër të gjithë shtetit e shkëput vëmendjen ndaj korrupsionit në radhët e veta dhe gjendjes së keqe ekonomike në Republika Srpska. Kundërshtarët politikë shahen si sahanlëpirës dhe kundërshtarë të autonomisë. Por qytetarët e Republika Srpska fitojnë më pak se pjesa tjetër e Federatës Boshnjako-Kroate.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet

Në mënyrë të ngjashme reaguan edhe funksionarët e partive nacionaliste në pushtet të kroatëve të Bosnjes. Ata po përpiqen të argumentojnë për ditë, se vala e protestave është instrumentalizuar nga boshnjakët, pra myslimanët që jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë për të kufizojë të drejtat e kroatëve. Elita e nacionalistëve boshnjakë të korruptuar deri në palcë i shau nga ana e saj demonstruesit duke i quajtur huliganë dhe grabitës. Arsyet e vërteta të zemërimit të qytetarëve lihen edhe prej tyre mënjanë.

Për fat të keq, qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës nuk janë imunë ndaj nxitjeve të tilla nacionaliste-populiste edhe gati 20 vjet pas përfundimit të luftës. Kjo është arsyeja pse shpresat e një pranvere boshnjake nuk janë të qëndrueshme. Për një revolucion të qytetarëve të përgjegjshëm kushtet janë jashtëzakonisht të pafavorshme. Për t'i dhënë fund luftës së përgjakshme Bosnje-Hercegovina e krijuar përmes marrëveshjes së paqes të Dejtonit është futur në një korsetë që e bën pothuajse të pamundur çdo zhvillim të një shoqërie civile demokratike. Vetëm një reformë e gjerë kushtetuese dhe një përfundim i shpejtë i Marrëveshjes së Dejtonit do të bëjë të mundur një pranverë boshnjake. Pikërisht këtë zhvillim duan ta parandalojnë me të gjitha mjetet pushtetmbajtësit nacionalistë. Dhe pa ndërhyrjen aktive të komunitetit ndërkombëtar ata do t'ia dalin mbanë edhe një herë.