1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Shpresa e Merkelit mbetet një aranzhim me pikëpyetje

Kancelarja i var shpresat tek Turqia për ta vënë në kontroll valën e refugjatëve. Por marrëveshja është pa bazë, mendon Heiner Kiesel

Më së miri deklarata qeveritare e kancelares kristiandemokrate Angela Merkel (CDU) në prag të samitit të BE-së duhet të jetë pritur në Ankara. Edhe atje atë do ta kujtojnë, se sa shumë ka frenuar ajo dikur, kur bëhej fjalë për afrimin e Turqisë në BE. Por bota ka ndryshuar. Dhe kancelarja ka të drejtë, kur thotë, se Turqia është mjaft e ngarkuar me 2,7 milionë refugjatët atje. Se Europa e pasur mund të presë një copë nga pasuria e saj dhe më në fund duhet të kujdeset ta ndajë drejtë barrën e mjerimit të refugjatëve. Dhe është e drejtë, që Merkel angazhohet për këtë, që BE-ja vë në dispozicion mjete financiare, në mënyrë që refugjatët në Turqi të kenë akses në arsim, në përkujdesin shëndetësor dhe të marrim ushqim të mjaftueshëm.

Por lëvdata për kancelaren turbullohet para së gjithash nga fakti, që ajo Turqinë e sheh si qendrore në kontrollin e lëvizjeve të refugjatëve drejt Europës. Kjo tregon, se Merkel është e gatshme ta zgjidhë këtë problem edhe me partnerë problematikë. Sepse ajo me këmbëngulje i var shpresat tek një aranzhim, që propozoi kryeministri turk Ahmet Davutoglu në samitin e fundit të jashtëzakonshëm të BE-së. Sipas tij migrantët që mbërrijnë ilegalisht përmes Mesdheut në Greqi, duhet të kthehen menjëherë dhe të pranohen në Turqi. Në këmbim të kësaj një numër refugjatësh sirianë po aq sa ai i të kthyerve do të zhvendosen legalisht për në vendet e BE-së.

Kiesel Heiner Kommentarbild App

Kiesel Heiner

Trafikantët nuk kanë asnjë shans më dhe do të vijnë më pak refugjatë përmes udhëtimit të rrezikshëm për jetën, shpreson kancelarja. Turqia në këmbim mund të shpresojë për avancimin e procesit të antarësimit në BE dhe për lehtësimin e udhëtimeve për shtetasit e saj.

Rezerva lidhur me qendrimin ndaj të drejtave të njeriut në Turqi

Qëkurse është në qarkullim ky propozim, organizatat e të drejtave të njeriut protesojnë kundër aranzhimit me Turqinë. Ato kanë të drejtë me kritikën e tyre. Një shtet i tretë i sigurtë është ndryshe. Qeveria turke është një pertnere problematike. Ajo nuk i respekton të drejtat themelore në raport me qytetarët e vet, diskriminon gruan, kontrollon gazetarët, margjinalizon minoritetet dhe i pengon ata të marrin pjesë në diskursin politik. Të mendosh, se qeveria turke do t'u përmbahet standardeve të larta europiane dhe të konventave ndërkombëtare në raport me refugjatët, është jo realiste. Por edhe në këtë pikë kancelarja tregohet e sigurtë. Merkel ndonëse thekson në fjalimin e saj konventat e refugjatëve dhe respektimin e tyre, ajo nuk thotë, se si do të verifikohet kjo në Turqi. E kush do ta ndalojë Turqinë, që refugjatët e kthyer t'i çojë përsëri andej nga ata kanë ardhur - diku në Irak apo në Afganistan?

Turqia këto ditë po përpiqet të demonstrojë, që është në gjendje t'i frenojë refugjatët dhe ata që u ndihmojnë atyre për arratisjen. Por a nuk do të kish qenë më mirë, nëse kancelarja do të kish dhënë një udhëzim, se si mund të ruhet ky zell pas arritjes së marrëveshjes. Sepse për çdo refugjat të kthyer nga Greqia, do të lejohet të vijë në Europë një refugjat, që ndodhet në kampet e Turqisë. Kjo do të thotë edhe, se kampet atje do të zbrazen më shpejt, sa më shumë të tjerë do të rrezikojnë përmes udhëtimit në det. Por ndonjëherë do të ketë edhe mundësi legale për të ardhur në Europë.

Ende larg një zgjidhjeje europiane

E rëndësishme është për këtë, që europianët më në fund të bien dakord, se sa refugjatë duan ata të marrin vërtetë - dhe se me çfarë rregulloreje do të vendosen ata në vendet anëtare. Merkel shpreson, që për këtë dikur të arrihet një marrëveshje mes vendeve anëtare të BE-së. "Në vazhdim të marrëveshjes, pra më vonë", spekulon kancelarja në deklaratën qeveritare, do të ketë edhe kontigjente plotësuese vullnetarisht, që do t'i marrin përsipër vendet anëtare. Kjo është mjaft e paqendrueshme. Në radhë të parë mungojnë vullnetarët, që duan të bashkëveprojnë në këtë drejtim. Vendet si Hungaria dhe Polonia kanë bërë të qartë, se nuk bëjnë pjesë në këtë grup. Por pa një zgjidhje europiane aranzhimi i planifikuar me Turqinë mbetet një farsë - prej së cilës refugjatët do të shtyhen sa andej këtej.