1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Shpallje pafajësie për llogari të vet

Drejtësia e Egjiptit e ka pezulluar procesin kundër ish-pushtetmbajtësit Husni Mubarak. Arsyet janë të qarta, mendon Rainer Sollich.

Më shumë se 30 vite me radhë Husni Mubarak pati "fituar" zgjedhje të rreme njëra pas tjetrës. Më shumë se 30 vjet me radhë kasta e fuqishme ushtarake, nga radhët e së cilës vjen, e pati ngjitur sërish e sërish në karrigen e presidentit, për ta mbajtur vendin më të madh dhe më të vështirë për t'u qeverisur në botën arabe politikisht në kurs dhe me "stabilitet" sipërfaqësor.

Vetëm pasi "Pranvera Arabe" lëkundi pushtetin e Mubarakut, ushtarakët e braktisën përfundimisht favoritin, që ndërkohë kishte humbur përkrahjen e tyre. Ata u vendosën vetë në krye të një "ndryshimi" i cili në të vërtetë nuk ishte i tillë. Ngjashëm si rrëzimi më vonë i Presidentit Mohammed Mursi nga Vëllazëria Myslimane, gjeneralët vepruan më shumë për sigurimin e pushtetit të tyre politik dhe interesave ekonomike.

Kokë turku

Mubaraku ishte në atë kohë një kokë turku e mirëpritur, për të përqendruar në mënyrë simbolike zemërimin e popullit tek një person dhe për të kursyer klikën e vërtetë të pushtetit të përbërë nga ushtarakë dhe një klan familjesh me influencë ekonomike. Pasi regjimi i Mubarakur ishte i urryer nga shumë egjiptianë. Ai i përgjigjej protestave të qytetarëve kundër korrupsionit dhe padrejtësisë rregullisht me represion brutal, ndërkohë që nga politikanë të lartë perëndimorë lëvdohej hapur si partner dhe garant i stabilitetit.

Deutsche Welle Rainer Sollich

Rainer Sollich

Po tani? Pezullim i procesit kundër Mubarakut! Asnjë gjykim! Megjithëse ish diktatori akuzohet si përgjegjës për vdekjen e rreth 800 vetëve. 800 vetë që u vranë në mënyrë brutale në javët e fundit të sundimit të tij dhe të afërmit e të cilëve tani shpresojnë më kot për drejtësi. Për ta nuk do të ketë drejtësi. Jo në këto kohë dhe jo nën këtë regjim.

Asnjë interes për përpunimin e së kaluarës

Regjimi sundues i mbyll dosjet duke i vënë kështu kapakun epokës së Mubarakut për shqyrtimin e së cilës forcat aktuale qeverisëse në të vërtetë nuk mund të kenë asnjë interes: pasi janë në thelb të njëjtat forca që për dekada me radhë kanë mbështetur sistemin Mubarak.

Nëse ky regjim tani e mbron ish-përfaqësuesin e tij të lartë nga një dënim, në mënyrë simbolike shpall para së gjithash vetveten të pafajshëm: koka drejtuese e këtij regjimi, Abdel Fattah Al-Sisi, jo vetëm vjen nga kasta e ushtarakëve ashtu si Mubaraku dhe është zgjedhur president në të njëjtën mënyrë të dyshimtë. Ai përfaqëson edhe vazhdimësinë në aspektin e dhunës dhe shtypjes me pretekstin e luftimit të terrorizmit: nën sundimin e tij sipas hetimeve të "Human Rights Watch" dhe burimeve të tjera të besueshme kanë humbur jetën që tani dukshëm më shumë njerëz nga dhuna shtetërore se sa në tri dekada të regjimit të Mubarakut. Edhe për këtë nuk pritet të dalë dikush para përgjegjësisë. Egjipti nuk është një shtet ligjor.