1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Shans për një fushatë elektorale me dinjitet

François Hollande nuk do të rikandidojë. Me këtë ai i bën vendit të tij një favor të madh, mendon Max Hofmann.

Në fillim gjithçka është si më parë. François Hollande përpiqet t'i bindë bashkëqytetarët e tij se presidenca e tij nuk ishte kaq e keqe. "Rezultatet do të vijnë", thotë ai dhe ka parasysh me këtë papunësinë dhe ekonominë e paralizuar franceze. Por përfundimi është një tjetër nga ai që kishin pritur shumë vetë. Ai, presidenti më i papreferuar që kur ekzistojnë sondazhet në Francë nuk do të rikandidojë.

Me sa duket realiteti politik arriti pas pesë vjetësh tek Presidenti francez. François Hollande i tërhoqi në humnerë me politikën e tij të lëkundur dhe larg realitetit socialistët e Francës, humnerë prej së cilës ata mund të dalin vetëm të bashkuar. Prandaj së Majtës i duhet dikush në krye, të cilin ajo ta mbështesë e bashkuar. Konservatorët e gjetën këtë politikan te François Fillon, presioni te socialistët që të paraqesin sa më shpejt kundër-Fillonin e tyre është rritur. Shanset që me një kandidat të tillë të arrihet të paktën raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale nuk janë të këqia.

Mbrojtje nga bota moderne e punës

Shumë tema, që preokupojnë jo vetëm njerëzit në Francë, por në të gjithë Evropën janë tema klasike të majta. Në klientelën tradicionale të socialistëve krejt në krye është mbrojtja e "ouvrier", punëmarrësit: nga globalizimi, nga kapitalizmi i shfrenuar, digjitalizimi dhe automatizimi. Shumica e këtyre zgjedhësve potencialë, në të kaluarën ia kanë dhënë votën automatikisht socialistëve. Tani shumë prej tyre shkojnë drejt Front-it National, i cili e premton më besueshëm për ta këtë mbrojtje nga rreziqet e botës moderne të punës.

Nëse ndonjë kandidat majtas François Fillon do të ketë ndonjë shans, ai duhet t'i bëjë të vetat këto tema. Suksesi i të majtëve në Francë, si në të gjitha partitë nuk varet vetëm nga temat, por edhe nga personat që veprojnë. François Hollande si kandidat do të kishte qenë një farsë. Kuota e mbështetjes së tij në popull së fundi ishte katër përqind. Ajo që ishte më e keqja, refuzimi i personit të tij dukej se kalonte tek ai pa i bërë ndonjë përshtypje. Por pastaj përfundimi, të cilin e patën pritur vetëm pak vetë: Hollande nuk kandidon sërish.

Fushatë elektorale me dinjitet

Kur e tha këtë fjali, presidenti francez të linte një përshtypje autentike dhe emocionale, gjë që ndodhi rrallë në pesë vitet e fundit. Sado e hidhur që të jetë për të: për herë të parë ai të linte përshtypjen e një njeriu që e ka menduar thellësisht diçka, që kishte nxjerrë prej saj përfundimet e duhura dhe që ishte i gatshëm t'i vinte në jetë ato përfundime. Sado larg popullit francez që u duk ai në pesë vitet e fundit, i mbyllur hermetikisht François Hollande nuk ka qenë, këtë të paktën e tregon fjalimi i tij i së enjtes mbrëma.

Tani ai - ashtu siç duhet - hap rrugën për dikë, i cili mund të nisë një përpjekje të besueshme për ta bashkuar të majtën pas vetes. Çdo kandidat do ta ketë të vështirë kundër François Fillon. Por François Hollande i dha të enjten partisë së tij të paktën shansin për të kryer një fushatë elektorale me dinjitet dhe ndoshta për të penguar që Marine le Pen të arrijë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Me këtë ai i bëri Francës dhe Evropës një favor të madh.