1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Sfida të reja para Turqisë pas dështimit të grushtit të shtetit

Pas dështimit të revoltës, Turqia po kalon një test tjetër demokratik. Sa do të jetë i qendrueshëm solidariteti mes partive politike? Masat e tjera të rrepta japin shkas serioz për shqetësim, mendon Seda Serdar.

Mijëra vetë dolën në rrugët e Turqisë të shtunën në mbrëmje pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti vetëm një ditë më parë. Njerëzit, të cilëve Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan u pati bërë thirrje të premten që t'i thonë ndal ushtrisë, dolën të thirrur sërish në rrugë. Ky ishte më tepër një demonstrim force, se demonstrim solidariteti.

Presidenti Erdogan, i cili deklaron me krenari se është në gjendje të nxjerrë mijëra vetë në rrugë, po të dojë ta bëjë këtë, tregoi se qe në gjendje ta bënte vërtet këtë. Po a është kjo realisht një shenjë uniteti? Polarizimi i thellë brenda shoqërisë, i cili është thelluar me kalimin e viteve nuk do të zhduket brenda natës. Megjithëkëtë, thirrja për unitet dhe aftësia e të gjitha partive politike për të vepruar në unitet pas 15 korrikut të jep një shenjë shprese.

Valë të reja arresti

Është e qartë njëkohësisht se ditët në vazhdim do të jenë me rëndësi të madhe. Pas dështimit të revoltës, po arrestohet jo vetëm personel ushtarak, por lirohen nga detyra më shumë se 2700 gjykatës dhe prokurorë. Për të gjithë këta thonë se janë të afërt me Lëvizjen Gylen, të cilën partia në pushtet AKP e konsideron organizatë terroriste.

Erdogani ka kohë që po i ndjek mbështetësit e Gylenit, por tani, pas dështimit të grushtit të shtetit, ai do të ketë mundësinë ta bëjë këtë më hapur, ne emër të demokracisë. E gjitha kjo është shumë ironike. Sipas qeverisë turke, një ish-aleat i qeverisë së AKP-së, i cili dha ndihmën e tij për ta dobësuar ushtrinë jofetare, tani është përpjekur me një grusht shteti që ta rrëzojë qeverinë. Ajo që është edhe më interesante, është që qeveria turke, megjithë mangësitë e njohura të saj, po përpiqet të dalë nga e gjitha kjo si mbrojtësja më e madhe e demokracisë. Kjo mund të mos e mashtrojë komunitetin ndërkombëtar, por pa asnjë dyshim kjo do të jetë një kartë e fortë në dorën e Erdoganit për politikën e brendshme. Është shqetësuese, që në valët e ardhshme të arrestimeve mund të jenë jo vetëm mbështetësit e Gylenit, por edhe njerëz kritikë ndaj AKP-së.

Ekstradimi i Gulenit

Dy çështje të vijnë në mendje tani: A do ta sjellë dot Turqia me detyrim në vend Fethullah Gulenin? E qartë është se Turqia do të insistojë për ekstradimin e Gylenit. Megjithëse reagimi i parë i qeverisë së SHBA tregoi se nuk ka gjasa që ky ekstradim të bëhet, Erdogani nuk do të heqë dorë lehtë. Në të njëjtën kohë, pohimi i ministrit të Punës dhe të sigurisë sociale të Turqisë, Suleyman Soylu se SHBA qëndron pas përpjekjes për grusht shteti nuk i afron aleatët. Ditët në vazhdim do të përjetojnë më shumë tensione midis dy vendeve.

Seda Serdar Kommentarbild App

Seda Serdar

Së dyti, a do ta sjellë përpjekja e dështuar për grusht shteti Erdoganin një hap më pranë sistemit të tij të dëshiruar presidencial? Megjithëse kryeministri Binali Yildirim tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme pak ditë para revoltës së 15 korrikut, a do të diskutohet kjo sërish? Ky do të ishte një skenar i tmerrshëm për popullatën e lodhur nga zgjedhjet dhe për opozitën e dobët.

Turqia ka kaluar disa ditë shumë të errëta në vitet e fundit. Përpjekja e dështuar për grusht shteti i shtoi problemet, me të cilat po ndeshet shteti. Megjithëse grushti i shtetit nuk pati sukses, dëmi që ka shkaktuar ai akoma nuk ka marrë fund.

DW.COM