1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfida e refugjatëve

Volker Wagener17 Nëntor 2015

Nju Jorku, Madridi, Londra dhe tani Parisi. Gjermania deri më tani thjesht ka pasur fat. Në mesin e një debati të ndezur për refugjatët, bëhet fjalë për më shumë se sa "ia dalim dot?", mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/1H6sc
Österreich Slowenien Flüchtlinge bei Sentilj
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Hitij

Zot i madh, sa fanatikë të Shtetit Islamik mund të ndodhen në mesin e qindra mijërave refugjatëve në Gjermani? Pranojeni, edhe ju e kishit këtë mendim, kur forcat speciale e mjekët në Paris luftonin të shpëtonin nga vdekja të plagosurit rëndë. Kjo të nëpërmendet edhe po të mos duash, pra lidhja mes vrasësve islamistë të Parisit dhe fluksit të refugjatëve që po vijnë nga Siria. A nuk u gjend në njërin nga vendet e atentateve një pasaportë siriane, personi ishte regjistruar në Greqi më 3 tetor, dhe më pas disa herë emri i tij përmendej në dosjet e vendeve përgjatë rrugës së Ballkanit. Po kështu ishte: Por po kaq mendjeshkurtësi do të ishte të bëje një lidhje kaq të thjeshtë mes sulmeve të Parisit dhe fluksit të refugjatëve në Gjermani.

Refugjati - një terrorist i maskuar?

Megjithatë: Pas sulmit është para sulmit. Nën hijen e ngjarjeve të fqinjit francez, "problemi ynë i refugjatëve" të duket fillimisht një fusnotë. Akomodimi, kostot - gjithçka duket më e vogël përballë përfytyrimit të tmerrshëm se mes nesh ka terroristë të panjohur dhe të gatshëm të bëjnë gjithçka. 13 nëntori i Parisit sjell një situatë të re më të mprehtë në politikën e brendshme gjermane. Gjithnjë e më shumë pyetja që shtrohet: Duhet Angela Merkel të ndryshojë politikën e saj të refugjatëve? Medoemos jo. Së paku jo në thelb.

Deutsche Welle Volker Wagener Deutschland Chefredaktion REGIONEN
Fotografi: DW

Sepse kush është këtu dhe ka të drejtë azili këtu, nuk mund të kthehet më nga ka ardhur. Por kush vjen ende dhe kërkon azil nuk duhet patjetër të qëndrojë në Gjermani. Kuptohet vetiu që politika e refugjatëve duhet të jetë një politikë europiane, dhe nuk duhet të rëndohet vetëm Gjermania. Këtë solidaritet Gjermania ka të drejtë ta presë, ashtu si Franca pret solidaritetin e partnerëve në luftë kundër terrorit. Sepse refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani janë po ashtu viktima të terrorit islamist, ashtu si ata që humbën jetën apo u plagosën të premten më 13 nëntor.

Sigurisht mbetet një pjesë rreziku, që në mesin e atyre që vijnë të ketë edhe xhihadistë. Por në fakt ata nuk kanë nevojë për të ndjekur pas karvanin e refugjatëve për të hyrë në Europë. Ata mund ta shfaqen gjithmonë kudo. 420 persona të rrezikshëm kanë në fokus autoritetet gjermane, në të gjithë Europën janë më shumë se 3.500 vetë. Mbrojtje të plotë nga këta fanatikë nuk mund të ketë asnjëherë.

Kujdes me të kthyerit!

Rrezikun më të madh e përbëjnë ata që kthehen: të rinj gjermanë apo myslimanë nga Gjermania që janë rekrutuar nga Shteti Islamik e që pjesërisht janë trajnuar profesionalisht për të luftuar dhe kryer akte terrori. Shumë nga ata janë kthyer me mision për të vrarë në Europë, edhe në Gjermani. Këta duhen identifikuar e çaktivizuar. Në rast nevoje edhe si masë parandaluese. Kush ka qenë pjesë e luftës në Siri e Irak tek Shteti Islamik e ka marrë pjesë në vrasjet kundër jezidëve dhe kurdëve e ka kryer ndërkohë veprën penale. Policia gjermane ka shtuar me 3000 vetë kapacitetin e saj, Shërbimi Informativ Gjerman (BND) me 225 vetë dhe Mbrotjtja Kushtetuese me 250 vetë. Hapa të duhur. Masa, që do ta kufizojnë lirinë e individit. Por ky është çmimi që duhet të paguajmë për sigurinë. Ne kemi nevojë për shumë e jo më pak njerëz të shërbimit sekret. Edhe këtë duhet ta durojë një shoqëri liberale.

Europa duhet të rigjejë veteveten

Pas Parisit dhe në mesin e një fluksi të pandërprerë refugjatësh -sidomos myslimanë- është edhe BE nën presionin e veprimit. Solidariteti me Francën është i rëndësishëm, por kthehet në një gjest naiv, nëse nuk shihet si një shkak-pasojë terrori i Shtetit Islamik dhe lëvizjet e refugjatëve. Europa ndodhet në krizë, politika nacionale është kthyer në modë. Kjo çon ujë në mullirin e Shtetit Islamik. Njerëzit që vijnë në Gjermani i kanë ikur vdekjes nga Shteti Islamik. Mbrojtja e tyre është një sfidë europiane, jo vetëm gjermane. Për sa kohë nuk e kuptojnë këtë të gjithë në BE, shpallja e solidaritetit me francezët kthehet në një patetikë boshe ceremoniale.