1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Schäuble ikën - politika e kursimit e Eurogrupit mbetet

Pas tetë vjetësh në Eurogrup po largohet një ujk i sprovuar në luftë, ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble. Por, në BE ata që duan të marrin më shumë borxhe janë gëzuar para kohe, mendon Bernd Riegert.

A ju kujtohet mësuesi i vjetër i latinishtes, që ua merrte frymën me teste për fjalët latine dhe me komentet e tij të shkurtra? Sa i madh qe lehtësimi kur shpëtoje nga mësuesi i latinishtes ose kur ai dilte në pension. Por kur e hedh vështrimin pas, në takimet me shokët e klasës, të kujtohet pak me mall plaku pa humor, por që me disiplinën e tij të hekurt kishte vendosur gurin bazë për sukseset e tua të mëvonshme në jetë. Një tip i tillë është Wolfgang Schäuble.

Kursimet çuan në synimin e duhur

Ministri gjerman i Financave nguli këmbë për tetë vite me radhë në Eurogrup për t'u treguar të disiplinuar në shpenzime, për të pakësuar borxhet dhe për t'ju qendruar besnikë rregullave. Ai ua "ngrinte nervat" kolegëve, siç pohonte ai vetë. Por në fund, edhe vetë delegatë grekë pranojnë që Schäuble, herë me më pak e herë me më shumë presion dhe kokëfortësi, imponoi atë që duhet. Vendet e Eurozonës u penguan që të mos fundosen, me ombrella shpëtimi që nuk kishin ekzistuar kurrë më parë. Ato u shtrënguan që të ndërmarrin reforma, të cilat vetë nuk do t'i kishin ndërmarrë kurrë. Në plan afatgjatë, nga kjo përfituan të gjithë. Vetëm në Greqi punët zgjasin më shumë, sepse kriza është tepër e thellë, qeveritë tepër të paafta dhe rezistenca kundër disiplinës së nevojshme qe tepër e madhe.

Me mënyrën e tij nganjëherë të ashpër dhe mendjemadhe, Wolfgang Schäuble e mbajti të bashkuar Eurozonën. Ai pengoi që Eurozona të shndërrohej krejtësisht në një bashkësi që mban përgjegjësi për të tjerët. Këtë ai nuk e bëri vetëm. Edhe Holanda, Finlanda, Shtetet Baltike, Sllovakia, Austria dhe shpesh edhe Franca e Italia e mbështetën në mënyrë aktive politikën e shpëtimit. Politika e rreptë e kursimeve nuk është shpikje e Schäubles, ulja e shpenzimeve shtetërore ishte e pashmangshme, për ta shmangur kolapsin.

Meritat e Schäuble-s

Në vështrim të parë mund të jetë e saktë, që disa ministra financash nga shtetet jugore të BE tani marrin frymë të lehtësuar që mësuesi i latinishtes po largohet. Por më pas do të shihet, që mënyra e Schäubles për të imponuar politikën, ka ndihmuar shumë vetë. Ai nuk kishte frikë nga rreziku, kur arriti që me kërcënimin se do ta nxirrte nga Eurozona, ta sillte në vete qeverinë greke që po vraponte në amok. Ajo që mendonin të tjerët për të, pllakatat që pikturonin për të, nuk kishte rëndësi për Schäublen. Ai kishte rregullat dhe parimet e tij.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Schäuble e çoi përpara në mënyrë të konsiderueshme luftën kundër parajsave fiskale dhe u angazhua për një bashkim bankar me kuptim, i cili rreziqet e njërit nuk i kthen në rreziqe të të gjithëve. Krejt në fund ai paralajmëroi që kriza e financave, eurokriza nuk është kapërcyer: ne ndodhemi në mes të punimeve të pastrimit dhe nuk na lejohet që ta ulim tani ritmin - ky është mesazhi i tij. Ndalimi i borxheve të reja, zeroja pozitive - ky është amaneti i tij, një shtet, i cili nuk thyhet në mes nga barra e borxheve, është politika më e zgjuar ekonomike.

Mendja e tij karakteristike ndoshta do të mungojë, por vendimtare tani do të jetë politika që do të imponojë në Bruksel qeveria e re gjermane. Edhe pa Schäublen, ajo nuk do të ecë në mënyrë dramatike në drejtim të shtimit të shpenzimeve. Eurogrupi do ta mbijetojë edhe pa Schäuble-n krizën e ardhshme. Por dikush nga të pranishmit në një rast të tillë mund të pyesë: Çfarë vendimi do të kishte marrë në këtë rast burri i vjetër me përvojën e tij të pasur?