1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Samit historik Turqi-BE?

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu e cilëson samitin e së dielës historik, ndërsa kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së bëjnë fjalë për një sukses. Por vërtetë e suksesshme doli vetëm njëra palë, mendon Seda Serdar.

Në vështrim të parë samiti BE-Turqi duket si një sukses për të dyja palët. Një përparim. BE-ja u shpreh e gatshme, që ta mbështesë Turqinë financiarisht, pasi këtij vendi vite me radhë i është dashur ta përballojë i vetëm krizën e refugjatëve.

Njëkohësisht të dyja palët kanë vendosur, që t'i përkushtohen bashkarisht çështjes së refugjatëve e përveç kësaj të thellojnë dialogun në fushat e ekonomisë, energjisë dhe politikës.

Por edhe më shumë se kaq: të dyja palët ranë dakord, që në mes të dhjetorit të hapin një kapitull të ri në bisedimet për antarësimin me BE-në. Nëse gjithçka ecën sipas planit, do të mundësohet lehtësimi i kushteve për vizat për qytetarët turq në hapësirën Shengen duke nisur nga tetori 2016. Shumë bukur për të qenë e vërtetë? Me sa duket po.

Sepse kryetarët europianë të shteteve dhe të qeverive kanë formuluar një mesazh të qartë: lehtësimi i kushteteve për vizat varet nga marrëveshja për kthimin e refugjatëve.

Seda Serdar Kommentarbild App

Seda Serdar

Asgjë më shumë veçse premtime?

Për ta bërë për vete opinionin turk për çështjen e refugjatëve, prezantohet një perspektivë e ndritur: udhëtime pa viza për në Europë dhe rigjallërimi i bisedimeve për antarësimin me BE-në. Çdo turk, që udhëton në Europë ose ka të afërm të tij në një shtet të BE-së, do të gëzohet për këtë zhvillim.

Por kjo është vetëm një perspektivë dhe jo garanci. Së pari Europa duhet të jetë e sigurtë, që plani funksionon dhe që refugjatët sirianë vërtetë do të qendrojnë në Turqi. Presidenti francez Francois Hollande vërejti, se terroristët i kanë shfrytëzuar valët e refugjatëve, për të ardhur në Europë: kjo shpjegon, përse kjo temë është kaq e rëndësishme për europianët dhe duhet zgjidhur urgjentisht.

Rezultati pozitiv i paktit mes BE-së dhe Turqisë është, se Ankaraja më në fund do të merret sistematikisht me krizën e refugjatëve. Ndërkohë jetojnë vetëm 14% e 2,2 milionë refugjatëve në kampe në Turqi, të tjerët janë të shpërndarë në mbarë vendin. Ndonëse shumica janë regjistruar, ata janë ende shumë larg intergimit në shoqërinë turke.

Përmes planaksionit të përbashkët Turqia në një farë mase pranon, që refugjatët sirianë do të bëhen një pjesë e shoqërisë së tyre - dhe kësisoj do të qendrojnë në vend. Nga ana tjetër Europa nuk le asgjë pa ndërmarrë, në mënyrë që ky të jetë më shumë një realitet turk se sa një europian.

Aspak shenjë për një antarësim në BE

Kur Turqia para 16 vjetësh mori statusin e vendit kandidat në BE, u bë e qartë, se "nuk parashikohen rezultatet" e procesit. Pra nuk ka asnjë garanci për një antarësim të Turqisë në BE - edhe nëse bisedimet për të gjithë kapitujt përmbyllen.

Në sfondin e samitit "historik" në fundjavë kancelarja Angela Merkel e përmendi sërish këtë aspekt - ndoshta me më pak theks se dikur. Në konferencën e shtypit pas samitit presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha se BE-ja dhe Turqia kanë këndvështrime të ndryshme sa i përket çështjes së lirisë së shtypit. E pikërisht këto deklarime disi të rezervuara janë shenja subtile për synimet e BE-së.

Përderisa nuk tërheq vëmendjen hapur lidhur me deficitet demokratike të Turqisë BE-ja humbet kredibilitetin dhe tregon, se nuk synon seriozisht që ta integrojë këtë vend në Bashkimin Europian. Në rast se ky objektiv ekzsiton sinqerisht, atëherë përse përpiqet BE-ja që pjesën më të madhe të barrës t'ia ngarkojë Turqisë? E përse BE-ja nuk insiston qartazi dhe me theks të veçantë për vlerat, mbi të cilat ëshë ndërtuar ajo?

Entuziazmi për suksesin e këtij samiti "historik" s'është asgjë tjetër veçse një iluzion, nëse qëllimi i vërtetë i tij është një antarësim i Turqisë në BE. Por nëse qëllimi i vërtetë është në fakt kufizimi i valës së refugjatëve drejt Europës, atëherë samiti ishte vërtetë një sukses i madh.