1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Rezervë e ndershme, kritikë e nevojshme

Në një ditë historike, deputetët debatojnë për një vendim historik. Në diskutim bëhet e qartë se politika nuk e ka të lehtë këtë temë. Për fat të mirë, komenton Marcel Fürstenau.

Zyrtarisht, Bundestagu ndodhet ende në pushim, sepse pushimi veror i parlamentit mbaron vetëm javën e ardhshme. Prandaj duhet të ekzistojë një shkas i rëndësishëm, që deputetët vijnë për një mbledhje të jashtëzakonshme në Berlin. Në këtë një shtator është përvjetori i fillimit të Luftë së Dytë Botërore. Sepse me sulmin kundër Polonisë fqinje, Rajhu Gjerman nacionalist nisi 75 vjet më parë katastrofën më të madhe të shekullit të 20-të me shumë miliona të vrarë.

Në Bundestag në këtë ditë historike u bë fjalë vetëm shkarazi për këtë datë historike. Shkas për mbledhjen nuk ishte lufta më e madhe dhe më e tmerrshme e kohëve të shkuara, por një luftë aktuale. Një luftë jo klasike midis dy shteteve, por një luftë që ekspertët e sigurisë e quajnë "asimetrike". Dhe Gjermania do të marrë pjesë në të nën një titull të çuditshëm: "Ndihmë humanitare për refugjatët në Irak dhe luftë kundër organizatës terroriste IS". Ky ishte titulli që i kishte vënë kancelarja Angela Merkel deklaratës së saj qeveritare, duke shmangur në të fjalën vendimtare: furnizim me armë.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau

Marcel Fürstenau

Merkeli vjen vonë në temë

Me pistoleta gjermane, me predha antitank dhe me raketa do të pengojnë njerëzit e dëshpëruar në Irakun e Veriut marshimin e terroristëve të "Shtetit Islamik". Po Merkeli iu afrua tërthorazi temës që i interesonte. Ajo foli për konfliktin ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, lëvdoi Presidentin e ri të Këshillit Evropian, Donald Tusk, theksoi rëndësinë e NATO-s.

Kancelarja mund të ishte shprehur më shkurt dhe drejtpërdrejt. Në fund të fundit, gjermanët e njohin që të dielën vendimin e qeverisë së tyre, i cili qe paraprirë nga një diskutim i mundimshëm prej disa javësh. Të gjitha argumentat pro dhe kundër dërgimit të armëve njiheshin me kohë. Por në këtë mënyrë, në deklaratën e saj qeveritare tingëllonte pak vrasje ndërgjegjeje, të cilën ajo ndoshta nuk e ka dhe nuk duhet ta ketë.

Fjalë të përshtatshme

Askush nuk ia bëri të lehtë vetes. As kryetari i Grupit Parlamentar unionist, Volker Kauder, as drejtuesi i opozitës, Gregor Gysi nga Partia e Majta, asnjë socialdemokrat, asnjë i Gjelbër. Secili ka të drejtë sipas mënyrës së tij. Kauderi, kur duke parë katastrofën humanitare kërkon dërgim armësh ("Tani dhe menjëherë"). Gysi, kur duke tërhequr vëmendjen tek e drejta ndërkombëtare dhe te kompetenca e Kombeve të Bashkuara ("Ndalim eksporti").

Kur po mbaronte debati gati triorësh, deputeti i panjohur socialdemokrat, Frank Schwabe foli për dilemën ku ndodhej parlamenti dhe që ai i kupton edhe argumentat e të Gjelbërve dhe të të Majtëve. Ishte një fjalim i shkurtër, simpatik, që të bënte të ndiheshe mirë. Përmes tij u bë e qartë që në temën e luftës do të ketë gjithmonë skrupuj, pasiguri dhe kritikë. Dhe nganjëherë edhe njëfarë hutimi. E kuptueshme dhe njerëzore.