1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Taktikë çorientuese e Kaczyński-t

4 Gusht 2017

Pushtetmbajtësi faktik i Polonisë, Jarosław Kaczyński, ka tematizuar reparacionet e Gjermanisë ndaj Polonisë. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një taktikë çorientuese, mendon Bartosz Dudek.

https://p.dw.com/p/2hic5
Warschauer Aufstand 1944
Fotografi: Museum Warschauer Aufstand 1944 in Warschau

Me të vërtetë, monstruoziteti i krimeve gjermane edhe ndaj polakeve dhe polakëve jo hebrenj, dhe veç të tjerash masakrimi i 150.000 civilëve vetëm në Kryengritjen e Varshavës në vitin 1944, mbeten përgjithmonë një turp dhe një padrejtësi skandaloze. Kjo aq më tepër, kur thuajse askush nga përgjegjësit gjermanë nuk dha llogari ndonjëherë për këtë para drejtësisë.

45 miliardë dollarë vetëm për Varshavën

Por këto krime nuk kanë vetëm një anë morale, por edhe një anë (tjetër) materiale: vetëm për të kompensuar shkatërrimin e Varshavës, Gjermania duhet t'i paguante Polonisë 45 miliardë dollarë amerikanë - kjo është shuma që llogariti kryetari i atëhershëm i bashkisë së Varshavës, Lech Kaczynski.

Warschauer Ghetto Aufstand 1943
Fotografi: picture-alliance/ dpa

I projektuar në të gjithë vendin, dëmshpërblimi ndoshta duhet të jetë dhjetë ose njëzetfish më i lartë. Kjo do të ishte një shumë, e cila duhet të paguhej nga breza të tërë për dekada me radhë. Po të mbash parasysh, që pagesa e fundit e reparacioneve të Gjermanisë ndaj Francës dhe Belgjikës për Luftën e Parë! Botërore u bë vetëm në vitin 2010, mund të krijosh një përfytyrim për dimensionet e pretendimeve të mundshme.

Por ishte pikërisht përvoja me pagesat e reparacioneve pas Luftës së Parë Botërore, e cila bëri që pas Luftës së Dytë Botërore të lindë mendimi që ky gabim të mos përsëritet më. Sepse konsiderohet e padiskutueshme, që rëndimi nga reparacionet dhe kriza ekonomike që rezultoi prej tyre i shtruan rrugën diktaturës së Hitlerit. Prej kësaj, fuqitë fituese mësuan. Në Marrëveshjen e Londrës për Borxhet në vitin 1953 - sigurisht pa pjesëmarrjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Polonisë - ata i shtynë pretendimet për reparacione deri në ditën që nuk vjen kurrë.

70 Jahre Aufstand im Warschauer Ghetto
Fotografi: picture-alliance/dpa

Por edhe Bashkimi Sovjetik, pas kryengritjes së 17 qershorit 1953 në RDGJ hoqi dorë nga kërkesat e tjera për reparacione, për ta ndihmuar ekonomikisht shtetin e ri gjerman të sapo krijuar. Të njëjtin hap e bëri, nën presionin e Kremlinit, edhe qeveria e atëhershme komuniste e Varshavës. Ky ishte një vendim i vështirë, por megjithatë vendim i zgjuar. Qeveria polake e ritheksoi këtë vendim në vitin 2004, kur si kundërpeshë Kancelari Gerhard Schröder deklaroi në Varshavë me fuqi ligjore se qeveria gjermane nuk do t'i mbështesë pretendimet për dëmshpërblim të të dëbuarve. Sepse heqja dorë nga Gjermania prej zonave të mëparshme lindore të saj (të cilat i kaluan Polonisë) u pa si një pjesë e dëmshpërblimit ndaj Polonisë për krimet e Gjermanisë. Me këtë në fakt duhet të qe mbyllur tema e reparacioneve. Pyetja që shtrohet është se pse e vë pikërisht tani në rend të ditës qeveria e partisë nacional-konservatore të Polonisë (PiS)?

Kusuri për kritikën ndaj Polonisë

70 Jahre Aufstand im Warschauer Ghetto
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për këtë ka një shpjegim të thjeshtë: Për pushtetmbajtësin e vërtetë të Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, politika e jashtme nuk është gjë tjetër veçse një funksion i politikës së brendshme. Përballë tensioneve në kampin qeveritar pas reformës në drejtësi, e cila hë për hë dështoi, Kaczynski dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz me sa duket duan të nisin një taktikë çorientuese. Parulla e "Polonisë, e cila është ngritur nga gjunjëzimi" dhe i tregon vendin fqinjit të fuqishëm Gjermani, gjen jehonë të mirë te zgjedhësit nacional-konservatorë. Veç kësaj, iniciativa e re duhet parë edhe si përgjigje ndaj kritikës së vazhdueshme nga Gjermania dhe nga Brukseli në adresë të Varshavës. "Fëmijët dhe nipërit e vrasësve të degjeneruar nuk do të na mësojnë neve demokracinë", u shpreh politikani i PiS, Bartosz Kownacki.

Edhe nëse çështja e reparacioneve është vetëm një instrument i politikës së brendshme, nxitja e antipative është helm për marrëdhëniet e ndieshme gjermano-polake. Kjo dëshmon për kuptimin anakronik dhe të paarsyeshëm të politikës të Jaroslav Kaczynskit, për tw cilin objektivi i ruajtjes së pushtetit i justifikon të gjitha mjetet.