1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Refugjatë mirëseerdhët? Mirë do të ishte!

Sipas një sondazhi të Amnesty International qëndrimi pozitiv ndaj refugjatë në gjithë botën është çuditërisht i madh. Por Christoph Hasselbach nuk u beson shifrave.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Amnesty International, Shalil Shetty, çështja është e qartë: qeveritë nuk mund ta "përdorin më opinionin publik si një justifikim" për t'u mbyllur dyert refugjatëve. Popujt qenkan më të hapur se qeveritë e tyre. Vërtetë që ministrat e Brendshëm dhe qeveritë përmendin në mënyrë të përsëritur se për fat të keq nuk mund të bëjnë më tepër për azilkërkues dhe refugjatët, për shkak se atyre u duhet të marrin në konsideratë ndjenjat ksenofobe në vend.

Sidomos për t'u shënuar është dallimi mes rezultatit që doli nga sondazhi i Amnesty International për mendimin e njerëzve në Australi dhe qëndrimit të qeverisë së vendit, e cila ndjek një politikë azili tejet kufizuese. Shtatë nga dhjetë prej australianëve të anketuar besojnë se vendi i tyre duhet të bëjë më shumë për refugjatët. Po ashtu është e habitshme se pothuajse 30 për qind e britanikëve dhe 20 për qind e grekëve do të ishin të gatshëm për të pranuar refugjatë në shtëpinë e tyre. Në Gjermani që renditet e dyta në Indeksin e Mirëseardhjes, një gjë të tillë do ta bënte një ndër dhjetë.

Realiteti në terren është ndryshe

Nëse gjendja është vërtet shumë pozitive se sa mendohet, atëherë pse populli britanik nuk i kërkon qeverisë së vet që t'i lejojë të hyjnë emigrantët e bllokuar në Kale (Calais)? Pse nuk ka më shumë refugjatë të strehuar në shtëpitë private greke? Dhe pse ka ende kaq shumë refugjatë që jetojnë nëpër klasat e gjimnazeve gjermane dhe jo nëpër familje gjermane?

Me sa duket shifrat duhen lexuar me një lloj skepticizmi. Një arsye për vlerat çuditërisht pozitive mund të jetë një fenomen i njohur: sikurse shumë njerëz trembën në anketa që të shprehen pozitivisht për partitë e drejtë, ata anasjelltas janë të prirur për t'u dukur më filantropikë nga sa janë në fakt. Për më tepër, pyetjen mund ta shohim edhe thejsht teorikisht. Në qoftë se gatishmëria për të pranuar refugjatë në shtëpi do të ishte me të vërtetë aq e madhe siç del nga sondazhi - do të shumë më pak probleme për strehimin e tyre.

Domethënëse është që pothuajse në të gjitha vendet e anketuara shumica prej dy të tretash e më shumë mendojnë se njerëzit duhet ta kenë mundësinë për t'u strehuar në vende të tjera. Në këtë formë të përgjithshme kjo mund thotë: po, në vendin fqinjë dakord, por jo këtu te ne ju lutem. Edhe vlerat pothuajse aq e larta për miratimin e pyetjes: "Nëse qeveria e vendit tuaj duhet të bëjë më shumë për t'u ndihmuar refugjatëve të ikur lufta apo persekutimi" mund të interpretohin që "ndihma" nuk do të thotë domosdoshmërisht që ata të pranohen në vend, por për shembull me ndihma financiare ose mjekësore në kampet e refugjatëve në rajonin e origjinës.

Kina duhet të marrë më tepër përgjegjësi

Padyshim surpriza më e madhe është Kina që kryeson në sondazh: gati gjysma e kinezëve të anketuar do të strehonte një refugjat në shtëpinë e vet, një vlerë tepër e bujshme. Por pikërisht në lidhje me Kinën kjo çështje duket pa rëndësi praktike. Për shkak se Kina në përgjithësi nuk pranon pothuajse asnjë refugjat. Asnjë prej të anketuarve nuk ka nevojë pra të provojë nëse e mendon mikpritjen seriozisht.

Edhe pse shumë gjëra në statistikë mbeten mister - për shembull se pse kinezët janë shumë më shumë të hapur në këtë çështje se sa tajlandezët apo rusët - ajo ofron bazë për një sugjerim: përgjegjësia për refugjatë në botë duhet të shpërndahet shumë më mirë. Nëse për shembull popullsia e Kinës, e Koresë së Jugut apo Kilit janë për më shumë angazhim për refugjatët përse organizatat ndërkombëtare nuk ua vënë qeverive të këtyre vendeve këtë gjë si detyrë? Kurrë nuk ka qenë e qartë se pse pikërisht Gjermania pranoi në një vit më shumë se një milion vetë, kurse shumë të tjerë i kanë mbyllur plotësisht dyert deri më sot. Kjo me sa duket nuk lidhet gjithmonë me ndjenjat e popullsisë.