1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Re të zeza mbi Turqi

Seda Serdar10 Shtator 2015

Në Turqi protestat u përshkallëzuan në dhunë kundër partisë pro-kurde HDP dhe një gazete të madhe. Zgjedhjet janë në prag, por asnjëra palë nuk përfiton nëse hap plagët e vjetra, komenton Seda Serdar.

https://p.dw.com/p/1GUJ5
Die Türkei in einer Spirale der Gewalt
Fotografi: DISA

Turqia ka lënë pas dy ditë të turbullta. Një ndër gazetat më të mëdha të vendit, "Hürriyet", u sulmua dy herë, selitë e Partisë Demokratike të Popujve pro-kurde (HDP) në disa qytete ishin objekt i sulmeve duke u shkatërruar me gurë e më pas duke u vënë zjarrin. Udhëheqja e vendit ndodhet në një udhëkryq: rezultatet e luftës kundër terrorit mund të çojnë në një konflikt të brendshëm, nëse tani veprohet pa maturi.

Në më pak se dy muaj zhvillohen zgjedhjet e reja. Turqia ndodhet në një fazë të vështirë, madje të rrezikshme: në prag të trazirave serioze politike. Vrasjet e ushtarëve turq nga Partia Punëtore Kurde (PKK) u klasifikuan nga Turqia dhe BE-ja si akte terroriste dhe ato u dënuan nga demonstruesit në rrugët e Turqisë. Të shohësh se si çdo ditë vriten ushtarë e polic të rinj, është e vështirë të përballohet. Mijëra njerëz protestuan në mbarë vendin kundër organizatës terroriste - ky është qendrimi i vetëm si duhet.

Seda Serdar Kommentarbild App
Seda Serdar

Por në disa pjesë të vendit situata po del jashtë kontrollit. Disa demonstrues sulmuan gazetën "Hürriyet", dyqane e madje edhe kuartierin qendror dhe godina të tjera të HDP. Disa prej objekteve të sulmuara iu vu zjarri.

Lojë me frikën

"Frika dhe demokracia janë dy regjime që nuk shkojnë bashkë. Por ne kemi frikë." Këto janë fjalët e Sedat Ergin, kryeredaktorit të "Hürriyet". Këto fjalë shprehin përmbledhtas edhe presionin nën të cilin ndodhen mediat turke, që i kundërvihen presidentit Rexhep Tayip Erdogan dhe Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet. "Hürriyet" u sulmua, pasi presidenti Erdogan në një kryetitull citohej në një mënyrë, që sipas përkrahësve të AKP-së e shtrembëron të vërtetën.

Asnjë mendim politik nuk e justifikon këtë agresion. Sulmet kundër medias ose partive të zgjedhura në mënyrë demokratike si HDP përbëjnë krim. Edhe pse disa autorë të sulmeve janë arrestuar, problemi i vërtetë është fakti, se si mundi të arrihej tek këto sulme. Që të nxisësh të rinjtë duke iu përshpërtiur në vesh, se organizatat e medieve janë shoqata terroriste, kjo është një lojë e rrezikshme.

Koha për solidaritet

Nxitja e urrejtjes dhe përhapja e mendësisë diskriminuese në shoqëri nuk do t'i ndihmojë asnjë partie politike. Përkundrazi, qytetarët do të fillojnë të pyesin, se kush është përgjegjës për destabilizimin e vendit. Kushdo ka të drejtë të demonstrojë, por shteti ka edhe përgjegjësinë, që t'i mbrojë qytetarët e vet dhe të ndëshkojë, ata që provokojnë urrejtjen dhe nuk stepen për dhunë.

Në këto kohëra vendi ka nevojë në radhë të parë për qendrueshmëri dhe për mirëkuptim për atë se njerëzit, që jetojnë brenda një kufiri, duhet të jetojnë me njeri-tjetrin. Personi, që i përfaqëson të gjithë njerëzit pavarësisht etnisë, bindjes së tyre politike dhe gjinisë, është presidenti. Eshtë zhgënjyese, që të gjitha forcat drejtuese politike përveç presidentit Erdogan i janë drejtuar popullit dhe i kanë bërë thirrje për solidaritet.

Në thelb nuk është fjala, se kush do t'i fitojë zgjedhjet. Por bëhet fjalë për të ardhmen e një vendi, që ka luftuar gjatë për unitetin e tij. Tani Turqia përballet me një tjetër lloj terrori - një lloj i tillë, që i mbush njerëzit me urrejtje dhe mbjell diskriminimin. E vetëm ky popull mund ta ndalë këtë terror, duke u mbrojtur nga çdo lloj provokimi.