1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Ramadi rënia e një simboli

Konflikti sunito-shiit nuk vështirëson vetëm dëbimin e "Shtetit Islamik" nga qyteti irakian Ramadi. Ai ndihmon për rrënimin e të gjithë rajonit, mendon Rainer Sollich.

Rënia e Ramadit është në fakt një humbje në luftën kundër "Shtetit Islamik" (IS), deklaron zëdhënësi i Pentagonit Steve Warren. Por ai thotë se kjo nuk duhet mbivlerësuar. Qyteti duhet rimarrë. Ministri i Jashtëm John Kerry përhap gjithashtu optimizëm dhe deklaron se është shumë i sigurtë, që rimarrja e Ramadit do të ndodhë në ditët në vazhdim.

Nga ana e strategjisë ushtarake analiza e dy zotërinjve mund të jetë e saktë. Tetë muaj sulme të aleatëve e kanë dobësuar pa dyshim IS. Të ardhurat ilegale të terroristëve janë tkurrur, ato kanë humbur Kobanen dhe Tikritin dhe ndoshta nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë gjatë Ramadin. Po me çfarë çmimi?

Paguhet me jetë njerëzish

Si gjithmonë paguhet me jetë dhe fate njerëzish: Së paku 500 burra dhe gra duhet të jenë bërë viktima të luftimeve përreth Ramadit, më shumë se 25.000 janë në arrati. Dhe mund të bëhen edhe më shumë, nëse IS do të vrasë përsëri në shkallë të gjërë "tradhëtarët". Apo tani që në mbështetje të sulmeve ajrore amerikane kapin armët pikërisht milicët shiitë, për të çliruar nga sundimi i IS banorët kryesisht sunitë të Ramadit. Në një rajon, ku konflikti midis sunitëve dhe shiitëve që prej katër vjetësh ushqen konflikte të hapura për pushtet dhe instrumentalizohet nga të gjitha anët pa rezerva dhe justifikon terrorin, orgjitë e përgjakshme të dhunës dhe akte hakmarrjeje, kjo është më shumë se një lojë me zjarrin. është një aventurë jashtëzakonisht e rrezikshme me një përfundim të paqartë.

Rainer Sollich

Rainer Sollich

Eshtë shumë e mundshme që "Shteti Islamik" në një të ardhme jo shumë të largët, të mundet si strukturë që dominon territore - si në Irak dhe në Siri. Por çfarë do të mbetet nga këto dy vende? Kjo është plotësisht e paqartë. IS do të mbetet një milici dhe grup terrorist me fuqi goditëse, sepse ai di të luajë me sukses me antagonizmat ndërkonfesionale, që i japin sot tonin pjesës më të madhe të rajonit dhe për fat të keq kështu mund të mbetet - në elitat politike, si dhe në një pjesë të madhe të qytetarëve. Siria, Iraku, Libia, Jemeni: Një shtet arab pas tjetrit dështon nga konfliktet për dominim fetar, etnik apo fisnor, dhe fundi i këtyre zhvillimeve nuk duket në horizont. Në shtete të tilla, që shpërbëhen gjithnjë e më shumë nga brenda, IS, al Kaeda dhe grupe të tjera janë në gjendje të përhapin frikë dhe terror edhe pa pasur territorin e vet.

Pakënaqësitë ndërfetare dhe të tjera nuk vijnë nga hiçi. Pavarësisht nga dekadat e bashkëjetesës paqësore të grupeve të ndryshme, ato kanë qenë prej kohesh të pranishme në shumë vende dhe herë janë shtypur dhe herë janë instrumentalizuar nga diktatorët. Si pasojë e dështimit të "Pranverës arabe" tendenca e fundit është rritur dhe përcakton në shumë vende politikën. Së bashku me problemet e mëdha ekonomike të shumë vendeve dhe papunësinë e lartë të të rinjve është krijuar një koktej i rrezikshëm, që rrezikon ta tërheqë gjithnjë e më shumë në kaos të gjithë rajonin.

Këmbanat e alarmit heshtin

Rinia është e ardhmja jone - thonë edhe politikanët arabë. Por nëse kjo rini mbetet rrugëve pa perspektivë, duke pritur e frustruar anijen tjetër të kontrabandistëve në drejtim të Evropës, apo madje që shpërdorohet si mish për top në konflikte të armatosura, duhet të kumbojnë fort këmbanat e alarmit.

Por në botën arabe këmbanat heshtin në mënyrë të frikshme, si tek sundimtarët e vendeve të varfëra, që si sundimtari i Egjiptit al-Sisi përpiqen të mbajnë nën kontroll me dorë të hekurt çdo opozitë kundër regjimit, ashtu edhe tek sundimtarët e shteteve të pasura, por jo më pak represive të Gjirit Persik. Në fakt vendet e Gjirit mund të sillnin predispozita të mira ekonomike dhe sociale, për të dhënë së paku politikisht një sinjal të fortë kundër rënies dhe rrënimit të botës arabe. Synimi duhet të jetë një formë krejtësisht e re e bashkëpunimit rajonal duke përfshirë edhe shtetet joarabe si Iranin dhe Turqinë. Me qëllim që të çahet rrethi vicioz i rivalitetit reciprok, urrejtjes dhe dhunës në favor të një iniciative të përbashkët për më shumë arsimim, liri dhe mirëqënie.

I gjithë rajoni vuan nga probleme të ngjashme, i gjithë rajoni ka nevojë urgjente për një vizion të ri. Por pikërisht pushtetarët sunitë në Gjirin Persik dështojnë krejtësisht, përsa i përket kësaj përgjegjësie. Ato vështrojnë nga dita në ditë me ankth gjithnjë e më të madh rivalin e tyre të madh shiit Iranin, që në perspektivë mund të lidhë marrëveshje edhe me aleatin tradicional të tyre, SHBA, dhe njëkohësisht i druhen potencialit të protestës së popullsive të tyre. Madje ato i nxisin energjikisht tensionet ndërfetare në rajon në favor të mbajtjes së pushtetit, duke bombarduar Jemenin, vendin më të varfër në Gadishullin Arabik. Një vizion të asaj, që duhet të vijë pas kësaj, nuk ka askush. As në Gjirin Persik dhe as në Ramadi.