1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: 'Qepe gojën', apo toni i ri i komunikimit në Evropë

Deklarata me stil të pazakontë, të ashpra dhe populiste nga Franca. Nëse raportet midis Parisit dhe Berlinit janë aq të këqia sa toni i komunikimit, BE-ja ka një problem, mendon Barbara Wesel.

Kryetari i Partisë së majtë franceze Jean Luc Melenchon është i njohur për tonin e tij brutal. Por me deklaratën e tij në twitter "Qepe gojën zonja Merkel" ai ka arritur një nivel të ri paturpësie. Kancelarja gjermane duhet të kujdeset për të varfërit në vendin e saj dhe infrastrukturën e shkatërruar, thotë Jean Luc Melenchon. Angela Merkelit nuk ka pse t'i bëjnë vërtetë përshtypje fjalët e një eurodeputeti dhe kryetarit të një partie të vogël, ndaj deklaratës së saj se Franca ende nuk e ka arritur plotësisht qëllimin e reformave. Politikisht disi më shumë peshë ka reagimi gërnjar i ministrit francez të Financave Michel Sapin për të njëjtën temë: Ne i bëjmë reformat për Francën dhe "jo që ato t'u pëlqejnë këtyre apo atyre politikanëve evropianë". Edhe Gjermania ka problemet e veta, si rrugët e vjetëruara apo numër të ulët të lindjeve. "Numri i qytetarëve në Gjermani bie çdo vit, dhe prandaj për dhjetë apo njëzet vjet, ne në Francë do të jemi në një pozitë më të mirë" shtoi Sapin. Sikur mes dëshirës për të lindur fëmijë dhe suksesit ekonomik të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë.

Porträt - Barbara Wesel

Barbara Wesel

Franca pa finesë diplomatike

Ajo që të çudit është stili i pazakontë i ashpër dhe populist i deklaratave nga Franca. Gjermania i kaloi pa bujë karikaturat për Angela Merkelin në gazetat greke dhe akuzat në drejtim të Gjermanisë në lidhje me politikën e kursimeve. Në raste të tilla ndizen gjakrat. Por në rastin e Francës puna qëndron ndryshe dhe mund të jetë një tregues për ndryshimin e frymës në raportet mes Francës dhe Gjermanisë. Nga Parisi nuk po kërkohet ndonjë ndryshim radikal, por disa reforma të tregut të punës dhe që shpezimet publike të bëhen në bazë të kuadrit të rregullave evropiane.

Askujt nuk i pëlqen kur dikush të jep mend, kjo në parim është e qartë. Por me sa duket Parisi nuk do të pranojë as edhe ndonjë kritikë të kujdeshme nga Berlini, edhe pse e di se tregu i punës atje ka nevojë për reforma dhe se ekonomia vuan prej rregullimeve të tepruara.

Evropa duhet të flasë

Në Evropë duhet të flitet patjetër për probleme duke pasur parasysh kujdesin e nevojshëm diplomatik. Sepse kur vendosëm për monedhën e përbashkët, pranuam edhe përgjegjësinë e përbashkët për këtë. Edhe Franca nuk i ka kursyer para rreth dhjetë vjetësh kritikat ndaj Gjermanisë, kur kjo kishte vetë borxhe të shuma dhe ministri i Financave Hans Eichel ecte kokëulur nëpër Bruksel. Asokohe Gjermania quhej "E sëmura e Evropës". Tani që punët kanë ndryshuar dhe Parisi gjendet para problemeve, ky po përdor devizën: secili të shohë punët e veta.

Në Bashkimin Evropian duhet ndërhyrje në punët e tjetrit

Ideja që secili të shohë punët e veta nuk përputhet me Evropën, e cila është e ndërlidhur totalisht me qindra fije politike dhe financiare. Në këtë mes të gjitha vendet janë përgjegjës për gabimet e secilit. Kur është fjala për paketat e ndihmave të Bankës Qendrore Evropiane duhet madje që fqinjëve t'ua thuash mendimin dhe t'u kujtosh miqësisht kur shkelin rregullat evropiane. I rëndësishëm është toni. Ajo që të shqetëson për momentin janë tonet nacionaliste që vihen re në Francë. Nga kampi i djathtë kjo pritet. Por mos edhe socialistët mendojnë se mund t'i motivojnë zgjedhësit e tyre me deklarata antigjermane? A janë klishetë kaq në sipërfaqe sa mund të entuziazmojnë njerëzit në provincat franceze.

Nëse është kështu Evropa gjendjet para një situate më të vështirë nga ç'mendohej. Me fitilat nga Britania e Madhe jemi mësuar tashme, por nëse Berlini dhe Parisi nuk do të jenë më në gjendje të komunikojnë me arsye me njëri-tjetrin dhe të theksojnë të përbashkëtata gjendja bëhet e rrezikshme. Në të gjitha kryeqytetet e Evropës qeveritë luajnë përpara skenës së elektoratit të tyre. Por ato duhet ta kenë të qartë se në takimin tjetër të nivelit të lartë të BE-së do të ulen sërish në një tryezë dhe do të kërkojnë solidaritetin e fqinjëve.