1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: qejf i diskutueshëm për të folur hapur

Joachim Gauck i ka cilësuar "të çmendur" mbështetësit dhe aktivistët e NPD-së. Gjykata Kushtetuese e lejoi edhe njëherë këtë. Gauck-u duhet t'i zgjedhë më me kujdes fjalët e tij në të ardhmen, mendon Heiner Kiesel.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Ajo për të cilën pritej gjykimi nuk ishte fakti nëse aktivistët e afërt me NPD-në janë apo jo të çmendur - sepse për këtë nuk duhet Gjykata Kushtetuese. Gjykatësit e Karlsruhes donin më tepër të sqaronin, nëse një President i Gjermanisë ka të drejtë t'i quajë të tillë këta njerëz. Joachim Gauck e pati bërë këtë disa herë në gusht para 400 nxënësve të shkollave të mesme në Berlin. Njëherë në lidhje me protestat e fuqishme kundër një shtëpie azilkërkuesish dhe pastaj në përgjigje të në një pyetjeje për mendimin e tij për ndalimin e NPD-së. Ai është i njëanshëm dhe përdor "kritika njollosëse" u zemëruan ekstremistët - dhe kjo pak para zgjedhjeve parlamentare! Për herë të parë u ngrit një aktakuzë kundër një presidenti për shkak të fjalëve që zgjedh ai.

Gjykata Kushtetuese e quajti të lejueshme, që Presidenti i Gjermanisë të shprehet me fjalë të qarta dhe të shprehë edhe pozicionin e tij personal. Presidenti i Gjermanisë mund të vendosë në një masë të madhe vetë "se në cilin rast dhe në cilën formë shprehet ai dhe në cilën mënyrë i përgjigjet ai një situate komunikimi", thuhet në argumentimin e gjykimit. Në ç'masë orientohet ai tek ideali i "një presidenti federal neutral", kjo as në përgjithësi dhe as në veçanti nuk është objekt i shqyrtimit nga gjykatat.

Jo "gojëz" nga Karlsruhe

Është një sqarim i rëndësishëm, i cili do të jetë me rëndësi parimore edhe për pasardhësit e Gauck-ut në postin e Presidentit të Gjermanisë. Procesi shërbeu që të vendosen edhe etalone të së drejtës kushtetuese për të drejtat e presidentëve për t'u shprehur. Nga pikëpamja juridike, këto të drejta nuk kanë qenë të përcaktuara, tha një zëdhënës i Gjykatës. Vendimi i jep Presidentit të Gjermanisë liri të madhe për të shprehur politikisht mendimin. Nuk do të ketë "gojëz" për Presidentin. Një drejtues shteti që shprehet hapur, përmend konkretisht gjërat që nuk shkojnë dhe shpreh ndjenja, mund ta sjellë debatin politik më mirë në shoqëri, se një president, i cili peshon me mundim çdo fjalë.

Fjalët e qarta të Gauckut ishin thyerje e stilit të të shprehurit dhe të njëanshme - jo pa tjetër presidenciale, por simpatike. Gaucku -- presidenti i qytetarëve, kështu i pëlqen atij ta shohë veten. Por një shije e hidhur mbetet. Kjo përforcohet nga sfondi i deklaratave. Deklarata para nxënësve të Berlinit nuk ndihmon që ata që po rriten të shtyhen të merren seriozisht me problemin e radikalizmit të djathtë. Veç kësaj, ekstremistët e rrezikshëm të djathtë, duke i quajtur "të çmendur", paraqiten në mënyrë të thjeshtëzuar. "Të çmendur" janë njerëz që nuk e dinë se si është puna tamam. Gaucku mund të kishte folur se çfarë i mundëson këto subkultura ekstreme.