1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Putini i fortë lirohet nga barrat e vjetra

Amnesti për aktivistet e Pussy Riot dhe mëshirim për Kodorkovskin. Qendrimi i butë i Presidentit Putin nuk është shenjë dobësie. Putini ndihet më i fortë se kurrë më parë, mendon Ingo Mannteufel.

default

Në konferencën e tij më shumë se katërorëshe për shtyp presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ritheksoi se aktivistet e Pussy Riot përfshihen në ligjin e amnestisë të miratuar para pak ditësh nga Duma ruse. Po ashtu kjo vlen për një pjesë të të akuzuarve, të cilët akuzohen për përleshje të dhunshme në Sheshin Bolotnaja në maj 2012. Edhe aktivistët e Greenpeace të Arctic Sunrise në saj të amnestisë nuk do të kenë më përndjekje penale në Rusi.

Falje e Kodorkovskit

Për sensacionin e mirëfilltë Putini i shpjegoi vetëm pas konferencës së shtypit të gjatë dhe pjesërisht të mërzitshme, me të cilën mbyllet zakonisht politikisht viti: Presidenti rus informoi se do të falë ish-shefin e koncernit Yukos, të arrestuar më shumë se 10 vjet më parë, Mihail Kodorkovski, pasi ai ka paraqitur një lutje të tillë.

Avokatët e Kodorkovskit në të vërtetë nuk e konfirmojnë një lutje të tillë. Por me lirimin e Kodorkovskit dhe të tjerëve Putini zhvlerësoi disa pika qendrore të kritikës në drejtimin prej tij të qeverisë.

Veçanërisht në Perëndim janë kritikuar shumë ashpër, arrestimi i Mihail Kodorkovskit, i aktivisteve të Pussy Riot dhe atyre të Greenpeace. Ata ishin simbole për një drejtësi arbitrare, të drejtuara nga politika dhe në këtë mënyrë edhe pengesa të mëdha për një përmirësim të bashkëpunimit me Rusinë.

Faktori Soçi

Synimi për ta zbutur Perëndimin duhet parë edhe në kuadër të Lojërave Olimpike në Soçi, në shkurt 2014: presidenti Putin do që ta ngrejë imazhin global të Rusisë dhe ta tregojë vendin nga ana më e mirë. Por arrestimet e kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të tij, të cilat ka kohë që kritikohen nga Perëndimi, ka vite që e pengojnë këtë hap.

Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Po do të ishte e gabuar që të besojmë se ka qenë presioni i Perëndimit, ose ndonjë dobësi e Putinit, që e detyroi atë të tregojë butësi ndaj Kodorkovskit dhe të tjerëve. Motivi qendror është një tjetër: këtë vit, Vladimir Putini e sheh veten në rang nacional dhe ndërkombëtar në kulmin e pushtetit të tij. Dhe prandaj nga pozita e të fortit ai mënjanon barra të vjetra të politikës.

Kulm i pushtetit

Snowden, Siria dhe Ukraina: këto janë nga pikëpamja e Putinit edhe sukseset më të mëdha të tij në politikën e jashtme për vitin 2013. Edhe në politikën e brendshme pushteti i tij është më i padiskutueshëm se kurrë: ai jo vetëm që ka fort në duart e tij aparatin shtetëror dhe të pushtetit, aktorët më të rëndësishëm ekonomikë dhe mediet. Për më tepër, me ideologjinë e tij nacional-konservatore të shoqërisë ai ka gjetur një program politik, i cili ka një mbështetje të gjerë në shoqërinë ruse. Ajo i siguron atij edhe në pikëpamje ideore një bazë të qendrueshme për pushtetin e tij, edhe nëse veprat e bamirësisë sociale të shtetit, në kushtet e stanjacionit ekonomik në Rusi do të jenë më të pakta. Edhe më tej: pozicionimi i Rusisë si vend i vlerave konservatore dhe tradicionale duket edhe në plan ndërkombëtar si fuqi e butë ruse. Sepse, pasi Perëndimi i kujtoi për vite të tëra Rusisë dhe Putinit vlerat evropiane, Putini e ktheu heshtën në drejtim të kundërt, duke i bërë një interpretim shumë konservator vlerave kristiane. Sipas kësaj, Perëndimi i ka tradhëtuar vlerat kristiane-evropiane me qendrimin e tij liberal dhe tolerancën për minoritetet seksuale. Me këtë Putini arriti për herë të parë që prej fundit të Bashkimit Sovjetik të zhvillojë një ideologji politike specifike ruse, që bën efekt brenda dhe jashtë vendit.

Kodorkovski do të ishte liruar edhe pa amnesti në gusht 2014. Aktivistja e Pussy-Riot, Tolokonnikova, madje do të lirohej në mars 2014. Me lirimin e tyre disa muaj më parë presidenti mund të mbledhë disa pikë shtesë në vitin shumë të suksesshëm për të 2013. Por një ndryshim politik ky nuk është.