1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Pseudo-zgjedhjet synojnë përuljen e kundërshtarëve të Assadit

Zgjedhjet në mes të luftës, që po inskenon presidenti sirian Bashar Assad nuk janë demokratike, mendon Rainer Sollich.

Zgjedhjet e lira garantojnë një nivel minimal drejtësie. Qytetarët votojnë për ata që duhet të përfaqësojnë interesat e tyre. Fituesit e zgjedhjeve vijnë në pushtet për një kohë të kufizuar. Humbësit kalojnë në opozitë, dhe kontrollojnë nga atje sunduesit - dhe në këtë mënyrë përfaqësojë interesat e atyre që nuk arritën një shumicë.

"Zgjedhjet" që inskenon presidenti sirian Bashar Assad në vendin e tij, nuk janë as të lira e as të drejta. Përveç vetë Assadit lejohet të kandidojnë vetëm dy kandidatë besnikë të regjimit. Të dy janë marioneta të diktatorit dhe duhet t'i hedhin hi syve botës se në vend ka pluralizëm, i cili në realitet nuk ekziston. Është e sigurt se Assadi do të shpallet përsëri "fitues". Kandidatë të vërtetë nga opozita u përjashtuan nga fillimi.

Rrethana makabre

Sidomos makabre janë megjithatë rrethanat në të cilat Assad inskenon "zgjedhjet". Për më shumë se tre vjet në Siri mbretëron lufta. Më shumë se 160.000 vetë kanë vdekur, më shumë se një e treta e popullsisë është në arrati, ose janë zhvendosur, shumë lagje dhe zona janë shkatërruar plotësisht. Dhe çdo ditë vazhdojnë bombardimet dhe masakrimi i njerëzve - kryesisht prej forcave ajrore të Asadit dhe milicisë, por edhe nga grupe të A-Kaida-ës, që po luajnë një rol gjithnjë e më dominues në luftën e armatosur kundër regjimit. Votimet mund të zhvillohen vetëm në zonat që kontrollohen nga regjimi; në të tjerat lufta vazhdon. Organizimi i pseudo-zgjedhjeve në mes të një konflikti të tillë të përgjakshëm dhe të një katastrofe humanitare nuk ka ku të shkojë më tej sa i përket sarkazës dhe përbuzjes për qeniet njerëzore.

Megjithatë pikërisht ajo është që ka të ngjarë të jetë një motiv qendror i Assad. Ai i përdor "zgjedhjet" jo vetëm si një instrument për të ripërtërirë legjitimitetin e tij fals dhe për t'i dhënë të popullsisë siriane gjoja një provë të kthimit të shpejtë në normalitet. Pas një serie të tërë fitoresh të rëndësishme ushtarake të trupave dhe milicive të tij ai gjithashtu do t'u dërgojë një sinjal poshtërimi kundërshtarëve të tij. Mesazhi: "Unë jam fitues dhe do të rri president - Ju jeni humbësit dhe nuk keni ku të shkoni.' Me këtë ai hedh vaj në zjarr dhe provokon qëllimisht akte të mëtejshme dhune nga ana e kundërshtarëve të tij.

Më shumë frikë se indinjatë

Fakti që Asad e paraqet veten gjithnjë e më tepër si fitues lidhet përveç mbështetjes së Rusisë dhe Iranit për fat të keq edhe me politikën perëndimore ndaj tij. Për shkak të kërcënimeve amerikane për goditje ushtarake, diktatori vërtetë i dorëzoi armët kimike. Por askush nuk po e pengon atë që të bombardojë me armë konvencionale pjesë të tëra të popullit të tij. Në kryeqytetet e Perëndimit frika prej një vakumi pushteti në Siri është më e madhe se sa zemërimi dhe indinjata.