1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Program shumë i ngjeshur dhe pak kohë

3500 policë, qindra gazetarë, diplomatë e bartës valixhesh - takimi i ministrave të jashtëm të G-7 në Lübeck tejkaloi çdo masë. Ndonëse bisedimet ishin të rëndësishme, investimi qe mjaft i madh, mendon Bettina Marx.

Gati 24 orë u konsultuan për krizat në botë ministrat e jashtëm të shtatë vendeve kryesuese të industrialiazuara. Megjithatë nëse i mbledh të gjitha orët bashkë, gjatë të cilave ata vërtetë kanë mundur të konsultohen mes tyre të patrzuar, shuma është fare e vogël. Sepse programi voluminoz i këtij takimi hante kohë mjaft të çmuar me: ceremonitë e përshëndetjes me kor e deri tek dedikimet në librin e kujtimeve të qytetit, për të vazhduar me një shëtitje të shkurtër me anije në Trave, e më pas me polifiton tradicionale e konferencën e shtypit. Për bisedime serioze mbi shumë tema emergjente - që nga Ukraina, bisedimet atomike me Iranin e deri tek konfliktet në Lindjen e Mesme - mbeti fare pak kohë.

Përveç kësaj në konsultime morën pjesë thuajse gjashtë nga shtatë ministra të jashtëm. Kjo sepse John Kerry, i cili me SHBA-në përfaqëson vendin më të rëndësishëm e që vazhdon të jetë edhe kombi më i fuqishëm industrial, erdhi ditën e dytë dhe mundi të qendrojë vetëm për pak orë. Atij i duhej t'i përgjigjej në Uashington pyetjeve të kongresit në seancën dëgjimore për bisedimet me Teheranin. Qeveria e SHBA-së ndodhet nën presion masiv, sepse republikanët duan ta pengojnë një marrëveshje me Iranin.

Pak kohë për bisedime

E pra pak kohë mbeti për t'u konsultuar mbi konflktet e krizat e panumërta, që ndërkohë po trondisin botën. Ndaj ndoshta nuk është befasuese, që në takimin në Lübeck përveç tri deklaratave thuajse nuk kishte asnjë rezultat konkret. Por rezultatet nuk ishin në fakt qëllimi i samitit të ministrave të jashtëm. Ky takim në radhë të parë synonte përgatitjen e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të G-7, që do të zhvillohet në qershor në kështjellën Elmau në Bavari.

Kommentarfoto Bettina Marx Hauptstadtstudio

Bettina Marx

Mos vallë takimi i ministrave të jashtëm, që për dy ditë e shndërroi Lübeck-un në një fortifikatë duke e paralizuar jetën publike në qytet, ishte i tepërt? Asgjë veç shpenzimeve?

Jo, kaq thjeshtë nuk mund t'i hiqet viza samitit të ministrave të jashtëm. Në takime të tilla tek e fundit synohet në radhë të parë që të ruhet filli i bisedimeve me njëri-tjetrin, të zhvillohen konsultime pa u ndodhur nën presionin e problemeve të pazgjidhura, për zbutjen e krizave dhe gjetjen e zgjidhjeve. Ky është thelbi i diplomacisë, e nëse jo në të tilla raste, atëherë kur duhet të konsultohen mes tyre ministrat e jashtëm të vendeve më të industrializuara?

Një kontribut për paqen botërore

Natyrisht mund të ankohesh, ashtu si edhe deputeti i majtë Jan van Aken, se G-7 nuk përfaqëson shumicën e popullsisë botërore dhe se pa Rusinë as që mund të mendohet zgjidhja e shumicës së krizave. Por këtë argument mund ta kthesh edhe ndryshe: pikërisht sepse ata përfaqësojnë vendet më të industrializuara dhe kanë më shumë pushtet se të tjerët, janë këta shtatë ministra që mbajnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për gjendjen e botës. E s'mund t'ia mohosh vullnetin e sinqertë për të kontribuuar në zbutjen e konflikteve vrastare, që rrezikojnë paqen botërore, as ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, që me angazhim dhe entuziazëmin që i lexohej në fytyrë ishte nikoqir i këtij takimi, e as homologëve të tij.

Takimi i ministrave të jashtëm ishte pra i dobishëm edhe i rëndësishëm edhe kuptimplotë. Por më mirë do të kishte qenë, nëse do të kishte mbetur më shumë kohë për konsultime të mirëfillta. Do të kishte qenë mirë dhe konform seriozitetit të çështjes, nëse G-7 do ta gjente veten sërish tek fillimet modeste të takimeve të këtij formacioni në vitet shtatëdhjetë. Disi më pak turizëm dhe më pak investim, por në vend të tyre më shumë kohë për shkëmbimin aq të nevojshëm politik.