1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Pretendimi i rrezikshëm për pushtet absolut i Erdoganit

Zbrazja brutale e parkut Gezi shënon pikën kulmore të një pretendimi të rrezikshëm për pushtet të plotfuqishëm, nga kryeministri Erdogan, mendon redaktori i DW, Baha Güngör.

Rexhep Taip Erdogan e humbi momentin e rikthimit tek arsyeja dhe kështu edhe tek çtensionimi. Kryeministri turk vendosi për rrugën e konfrontimit me kundërshtarët e tij politikë dhe kundër një dialogu qetësues dhe të ndershëm, në të mirë të paqes së brendshme të Turqisë, anëtare e NATO-s. Reagimi brutal i policisë të shtunën në mbrëmje (16.06.2013) kundër një kampi me çadra të aktivistëve të ambientit dhe grupeve civile në parkun Gezi, pranë sheshit Taksim në Stamboll, shënoi një nga pikat kulmore të një politike, që pasqyron pretendime të rrezikshme për pushtet të plotfuqishëm. Sjellja pa asnjë kujdes edhe kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve është e pashembullt në historinë e re të republikës gati 90-vjeçare turke.

Erdogan nuk kupton rregullat bazë të demokracisë. Këtë e dëshmoi në fundjavë edhe në dy mitingje të mëdha të partisë së tij konservatoro-fetare, AKP, në Ankara dhe Stamboll. Ndërkohë që përkrahësit e tij u transportuan në mitingje me të gjitha mjetet e vëna në dispozicion nga administrata e qytetit, në Ankara dhe Stamboll policia pengoi demonstrimet kundër tij me gaz lotsjellës dhe pjesërisht me ujë të përzier me kimikate, nga pompat me presion të ujëhedhësve.

Dyshime për respektimin e së drejtës ndërkombëtare

Baha Güngör: Leiter der Türkischen Redaktion

Baha Güngör

Fakti që gjithnjë e më shumë njerëz i bashkohen lëvizjes së protestës dhe janë të gatshëm të rrezikojnë jetën në aksione proteste, tregon se fronti anti-Erdogan, në shoqërinë tashmë të politizuar dhe të përçarë turke, nuk humbet guximin për t'iu kundërvënë diktatit të AKP-së. Sjellja e forcave të sigurisë, që sulmon me gaz lotsjellës madje edhe spitale dhe hotele, ku u ofrohet ndihma e parë të lënduarve, forcon ndërkohë dyshimet se regjimi nuk i qendron besnik të drejtës ndërkombëtare.

Erdogani i janë errësuar sytë nga zemërimi për partitë politike dhe grupet që mendojnë ndryshe. Të përmendësh në të njëjtën fjalin liderin e opozitës në Parlamentin turk me terroristët, dëshmon mungesë respekti për përballjen demokratike me kundërshtarët politikë. Gazeta dhe kanale televizive dhe radiofonike, të cilat nuk mund t'i kontrollojë, i ndalon përmes autoritetit mbikqyrës për mediet apo u vendos gjoba drastike. Raportimin e medieve ndërkombëtare nuk ka mundësi ta kontrollojë. Erdogan i akuzon ato se janë në shërbim të kundërshtarëve të një Turqie të zhvilluar, jashtë vendit.

Rrezikohet bashkëjetesa paqësore mes fesë islame dhe demokracisë

Në të vërtetë Erdogan nuk kishte asnjë arsye për këtë qendrim të nxituar. Ekonomia turke është në gjendje të mirë, turizmi lulëzon dhe roli i Turqisë si vend i rëndësishëm në rajon premtonte shumë mbështetje nga jashtë. Por tani është në rrezik bashkëjetesa paqësore mes fesë islame dhe demokracisë mbi bazën e laicizmit, ndarjes strikte mes shtetit dhe fesë.

Erdogan nuk arriti të kthehej në një peshë politike të respektuar në plan ndërkombëtar, të një kryeministri të legjitimuar në mënyrë plotësisht demokratike. Në pritjen e sigurt për të shtuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare rezultatin e shkëlqyer prej gati 50 për qind të vitit 2011, kryeministri humbi nervat dhe durimin, pasi kritika nga brenda dhe jashtë vendit për sjelljen e tij me gazetarët dhe ata që mendojnë ndryshe, e nevrikosnin gjithnjë e më shumë.

Evropa duhet të ruajë mundësitë e ndikimit

Ajo që nuk duhet të ndodhë tani në asnjë mënyrë është ndërprerja e negociatave të anëtarësimit me Turqinë. BE dhe para së gjithash Gjermania nuk duhet të rrezikojnë në asnjë mënyrë të godasin pas shpine lëvizjen demokratike në Turqi. Evropa duhet të mbajë të hapur mundësinë për të ndikuar edhe në të ardhmen në zhvillimet në Turqi. Një çtensionim i shpejtë në politikën e brendshme në Turqi nuk duket në horizont. Përgjegjësi kryesor për këtë është Erdogan me refuzimin e tij për një dialog të ndershëm me kundërshtarët politikë dhe kritikët nga shoqëria civile.