1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Pozicione të papajtueshme në Minsk

Pas takimit të kreut të shtetit rus Putin dhe presidentit ukrainas Poroshenko në Minsk luftimet do të vazhdojnë, mendon Ingo Mannteufel. Por një fije shprese ekziston.

Pritshmëritë nga takimi në Minsk mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Petro Poroshenko nuk ishin të larta. Kjo jo vetëm për shkakun se luftimet në juglindje të Ukrainës janë shtuar ditët e fundit. Edhe Rusia e ka nxitur më tej konfliktin. Ajo ka dërguar konvojin e gjoja ndihmës në Luhansk pa pëlqimin e Ukrainës. Parashutistë rusë kanë kaluar kufirin ukrainas, gjoja gabimisht. Por pritshmëritë ishin të ulëta, në rradhë të parë sepse konflikti, që gjen shprehje në dhunën e armëve, bazohet në këndvështrime diametralisht të kundërta në Rusi dhe në Ukrainë.

Konflikti u ndez nga planifikimi i Marrëveshjes së Asociimit midis Ukrainës dhe BE. Putin në Minsk përmendi edhe një herë humbjet potenciale ekonomike për Rusinë. Por në lojë janë edhe shumë gjëra të tjera. Gati 25 vjet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik fjala është për çështje thelbësore të rendit politik të brendshëm dhe të jashtëm në hapësirën postsovjetike. Kështu kjo nuk është vetëm kriza e Ukrainës, por sfida më e madhe e sigurisë së Evropës në shekullin e 21. Papajtueshmëria fundamentale aktuale e tri perspektivave të ndryshme të vështrimit mbi konfliktin, ajo ruse, ukrainase dhe e BE, nuk të lë mundësi të presësh një marrëveshje të shpejtë.

Luftimet do të vazhdojnë

Prandaj deklaratat zyrtare pas takimit në Minsk duhen parë me kujdes. Mbështetja e Putinit gjoja për armëpushimin në Ukrainën lindore të deklaruar nga presidenti Poroshenko, s'është më shumë se një frazë diplomatike. Presidenti Putin e ka përsëritur vetëm pozicionin e tij të deritanishëm, se kjo është çështje e brendshme e Ukrainës. Ajo duhet të nisë bisedime direkte me separatistët. Kjo nga ana tjetër has në refuzimin e qartë të Kievit. Faktikisht ky rezultat do të thotë, se luftimet do të vazhdojnë.

Ingo Mannteufel komenton

Ingo Mannteufel komenton

Por strategjia ukrainase për të mposhtur ushtarakisht separatistët në Donetsk dhe Luhansk me bombardime është e papërgjegjshme dhe shkakton viktima në popullatën civile. Pajtimi politik dhe social në lindje të Ukrainës nuk mund të arrihet me një politikë të tillë. Shumë më e rëndësishme do të ishte, sikur trupat qeveritare ukrainase të mund të rivendosnin kontrollin mbi anën ukrainase të kufirit, sepse me një kufi të pakontrolluar me Rusinë hyjnë vazhdimisht furnizime me luftëtarë dhe armë. BE duhet t'ia kujtojë udhëheqjes në Kiev këtë qëllim dhe të mbështesë përmirësimin e mbrojtjes së kufirit ukrainas. Madje presidenti Putin ka rënë dakord për bisedime mbi këtë çështje. Kjo gatishmëri duhet të testohet sa më parë.

Shpresë në grindjen për gazin

Por megjithatë një rezultat konkret solli takimi në Minsk. Bisedimet për mosmarrëveshjen për gazin midis Rusisë dhe Ukrainës, që ngrinë në qershor, do të rifillojnë më 6 shtator me komisionerin e energjisë të BE-së Oettinger. Ky është vendim i drejtë, sepse në qoftë se deri në vjeshtë nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje në këtë pikë, atëherë kërcënon një front tjetër në këtë luftë të pashpallur midis Rusisë dhe Ukrainës. Dhe pasojat nuk do t'i ndjejnë vetëm ukrainasit. Ndërprerjet në tranzitin e gazit ka mundësi të prekin edhe vendet evropiane.