1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Koment: Populizmi fiton në Itali

Ata që thanë jo kanë fituar, por me ndjenjë, jo me arsye. Pasojat për Italinë do të jenë negative. Bashkimi Europian po shkon drejt një krize të thellë, mendon Bernd Riegert.

Me Matteo Renzin tani largohet nga posti i dyti kryeministër i një vendi anëtar të BE-së brenda këtij viti. Fillimisht ishte kryeministrti britanik Cameron, e tani ai italian. Që të dy kanë dështuar përballë koalicioneve të përbërëa nga qytetarët e indinjuar, populistë të majtë e të djathtë. Në pjesën tjetër të Europës, në BE po bien këmbanat e alarmit, sepse populistët kanë arritur një fitore tjetër fatale. Nga e djathta Marine Le Pen në Francë, Matteo Salvini nga Lega Nord po fërkojnë duart prej ngazëllimit. Beppe Grillo dhe pozicioni i tij fundamental po triumfon nga e majta. "Viva Trump, viva Putin, viva Le Pen!" shkruante në twitter ekstremisti i djathtë italian Salvini, i cili do ta shkëpusë Italinë e Veriut nga ajo e Jugut. E pabesueshme në ç'nivel ka rënë përballja politike.

Natyrisht vendimi demokratik i 60% italianëve, e kjo madje me një pjesëmarrje të gjerë në votime, duhet patjetër të respektohet. Megjithatë është e vështirë t'i kuptosh arsyet, që kanë çuar në këtë erozion. Të indinjuarit, të zhgënjyerit, por edhe shumë, që kanë përfituar deri tani në Itali nga sistemi pjesërisht i korruptuar, e kanë degdisur Renzin. A kanë menduar ata për pasojat? A kanë ata receta më të mira? Ekonomia gjithsesi e dobët tani do të vuajë prej pasigurisë që po krijohet. Cili është ai investitor që investon në një vend, ku në zgjedhjet e ardhëshme mund të fitojë shumicën lëvizja e anti-politikës Grillo?

Riegert Bernd Kommentarbild App

Bernd Riegert

Nismë e humbur

Matteo Renzi në pjesën më të madhe e gatoi vet çorbën. Ai është një lojtar politik, i cili nuk i trëmbet riskut. Kur ai i fitoi qartazi zgjedhjet për Europën më 2014, u ndie mjaft i fortë, sa mori përsipër ta kthejë rrotën e historisë duke iniciuar reformën shetetërore. Ai e lidhi fatin e vet politik me reformën dhe në një farë mënyre i shtroi popullit italian çështjen e votëbesimit. Kur sondazhet treguan, se ai ishte më optimist se sa duhej, Renzi me gjysmë zemre nisi të hedhë hapa herë para e herë prapa. E papritur shpalli, se nuk bëhej më fjalë për të, por vetëm për Italinë. Të tilla manovrime zgjedhësit nuk i kapërdijnë dot. Opozita e në krye populisti Beppe Grillo, përfitoi nga rasti. Ai gjithashtu iu referua çështjes në tërësi dhe u mbushte mendjen italianëve, se Renzi do t'i mashtrojë dhe po u vjedh atyre demokracinë. Por natyrisht që kjo është marrëzi, ashtu si dhe i gjithë programi i çuditshëm i humoristit dhe bloggerit të internetit.

Renzi përpiqej - me shumë arrogancë dhe plot vetëkënaqësi - që ta thjeshtonte dhe ta bënte më fleksibël aparatin politik të Italisë. Në thelb kjo ishte një nismë e drejtë, edhe pse jo çdo detaj ka qenë i realizuar, siç pretendojnë disa ekspertë e politiologë. Por Renzi, i cili u prezantua si "shpëtimtar", donte të tregonte së paku, që ndryshimet janë të mundshme në sistemin e kalçifkuar e pjesërisht të korruptuar. Tani për tani në këtë drejtim nuk do të ndryshojë gjë. Renzi, por jo vetëm ai, duhet t'u bëjë ballë pasojave të kursit riskant.

Qendrimi në vendnumëro nuk e ndreq situatën

Bota e financave dhe depozituesit e kapitalit gjithsesi do ta ndëshkojnë ekonominë në stanjacion të Italisë dhe bankat e pasigurta do t'i lenë në baltë. Italia madje mund të rrëshkasë sërish në recesion. Borxhet, që janë gjithsesi të larta, do të rriten edhe më shumë. Me këtë Italia do të kthehet në një problem europian. BE-së së trazuar pas Brexit dhe prej problematikës së pazgjidhur me Greqinë i shtohet edhe një tjetër barrë me një Itali të tronditur nga kriza. Në rastin më të keq Italia do të ketë për një vit një kabinet teknokratësh, gjë që nënkupton situatë në vendnumëro deri në zgjedhjet e reja. Nëse do të ketë më parë zgjedhje, do të jetë i madh shansi, që trupa populiste e Grillos të marrë frenat e pushtetit. Grillo, i cili vazhdimisht ushqen indinjatën e zhgënjimin, do të dalë nga sistemi i monedhës së përbashkët Euro. Kjo do të thoshte fundi i bashkësisë monetare, sepse Italia është shteti i tretë i fuqishëm i Euros dhe një ndër paguesit neto në buxhetin e BE-së dhe në paketat e shpëtimit.

Në Itali populistët ndryshe nga vendet e tjera të BE-së nuk kanë në plan të parë ksenofobinë, krizën e refugjatëve apo nacionalizmin. Por megjithatë ndëshkimi i qeverisë në Itali u jep krah populistëve si Geert Wilders në Holandë apo Marine Le Pen në Francë, të cilët në pranverë me parrullat e tyre do të dalin për gjueti votash. Që këtej virusi i populizmit mund të depërtojë edhe në Gjermani. Në vjeshtë partia "Alternativa për Gjermaninë" do të mobilizojë zgjedhësit e vet. Italianët tani indirekt kanë ndihmuar. Mamma mia!