1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Poltika e Merkelit ndaj Rusisë

Në Gjermani ajo qeveris në mënyrë të padiskutueshme, në botë ajo respektohet. Angela Merkel e ka gjetur kundërshtarin: Vladimir Putinin. Një luftë për pushtet, që do të vazhdojë gjatë, mendon Volker Wagener.

Angela Merkel di të bëjë kështu, por edhe ndryshe. Në politikën e brendshme ajo drejton partinë dhe qeverinë si të thuash "nga fundi". Nga temat e diskutueshme ajo qëndron larg gjatë, për të dalë në fund si zëdhënëse e mendimit të shumicës. Jo të gjithëve u duket mirë diçka e tillë. Në fushën e gjerë të politikës së jashtme ajo paraqitet si domina. Europës i ka imponuar disiplinë fiskale, motori gjermano-francez i BE është bërë një lokomotivë berlineze me vagon parizian. Ajo furnizon kurdët me armë në luftë kundër IS, duke thyer një tabu të Gjermanisë së pasluftës. Dhe tani i tregon brirët Putinit. Një politikë e fortë.

Gruaja më e fuqishme takon burrin më të fuqishëm

Forbes, revista ekonomike nga Nju Jorku, e vlerëson për të katërtën herë me radhë Angela Merkelin si politikanen me më shumë ndikim. Edhe në kategorinë e meshkujve kryeson fituesi i viteve të kaluara: Vladimir Putini. Nëse të dy para krizës së Ukrainës kishin një marrëdhënie të distancuar, me aneksimin e Krimesë nga Moska ajo tani është dërmuar. Merkel nuk mund ta honepsë Putinin si maço politik. Nga ana tjetër gjermania i imponon rusit respekt.

Volker Wagener

Volker Wagener

Shkaku i lëvizjeve diplomatike tërhiq e mos këput është i qartë: Rusia ka krijuar fakte, ka thyer ligjin ndërkombëtar, thotë Merkel. Tani ajo dënon Moskën me sanksione. Pasoja: rubla bie. Në të njëjtën kohë bie çmimi i naftës. Putini nuk dëshiron ta lëshojë atë që ka, Merkel nuk do ta lërë që të largohet me atë, që ka. Në Brisbane, në samitin e G-20, gjermania dhe rusi janë në fokus, të shoqëruar edhe nga shprehja "samiti G-2". Strategjia e Merkelit ndaj Rusisë është e qartë: Përcakto qartë pozicionin dhe fol shumë. 35 herë që nga aneksimi i Krimesë ajo është konfrontuar verbalisht me Putinin. Ose ai me të. Sepse në Rusi Merkel gëzon respekt. Gratë e forta pëlqehen në Rusi. Një traditë nga kohët sovjetike, kur zonja e hekurt Thatcher nderohej si përjashtim i perëndimit, që shihej si i lënguar.

Merkel, lidhja e rusëve me perëndimin

Merkel është në gjendje ta bëjë shumë mirë kombinimin mes kritikës së fortë dhe përkushtimit. Rusia ka nevojë për kancelaren dhe gjermanët. Në Moskë urrejnë SHBA dhe përbuzin Bashkimin Evropian si institucion. Gjermania megjithatë gëzon vlerësim. Dhe Merkeli është personi kryesor i kontaktit të Rusisë me botën perëndimore. Ajo drejton politikën e BE me Rusinë, me të tjerët Moska nuk dëshiron të merret.

Edhe në grindjen për marrëveshjen e Asocimit të BE me Ukrainën është kancelarja, që kryeson fjalën për Evropën. Dymbëdhjetë muaj kohë do të ketë Rusia për të artikuluar disavantazhet e Moskës. Dhe Merkel do të mundësojë edhe një bashkëpunim në mes të Bashkimit Euroaziatik dhe BE. Por jo pa hequr këmbën nga frenat e sanksioneve.

Krimea dhe rajonet e pushtuara të Ukrainës lindore nuk do t'i kthehen Kievit për këtë arsye. Por leva e sanksioneve e mbron Ukrainën nga orekset e tjera ruse. Kjo së paku është llogaria në politikën e Merkelit ndaj Rusisë. Sepse sytë janë drejtuar tashmë nga Transnistria, Abhazia, Osetia jugore. Interesat politike evropiane ndaj Rusisë mund të jenë të ndryshme, por te Angela Merkel BE ka gjetur një pragmatiste të vendosur kundër Putinit, si majën e shtizës politike. Dhe ajo është e disponuar për një konflikt të gjatë me Moskën. Ka edhe dy vjet e gjysëm mandat.