1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Politika e jashtme në kohë krizash

Si duhet të jetë politika e jashtme gjermane? Si e përballon Gjermania rritjen e rëndësisë së saj? Ministri i Jashtëm Steinmeier e vë politikën e jashtme gjermane në testim. Rezultatet shihen vetë, mendon Bettina Marx.

Dy departamente të Ministrisë së Jashtme do të bashkohen dhe do të krijohet një departament i ri, detyrat rutinore do të eliminohen dhe do të vendosen prioritete të reja. Në vështrim të parë rezultatet e "Review 2014" nuk duken shumë spektakolare. Me këtë moto Ministria ka vënë në testim një vit me rradhë politikën e jashtme, me ekspertë, me publikun dhe me stafin e Ministrisë.

Çfarë bëhet si duhet dhe çfarë bëhet gabim? Dhe si duhet të jetë politika e jashtme gjermane? Si e përballon Gjermania rritjen e rëndësisë së saj në botë. Këto ishin pyetjet, që u diskutuan dhe që do të rrjedhin në ristrukturimin organizativ të Ministrisë së Jashtme. Brenda 18 muajsh kjo administratë vigane do të forcohet për sfidat e reja, të cilat e preokupojnë shumë ministrin e Jashtëm dhe punonjësit e tij.

Një proces i rralë reflektimi në kohë krizash

Këto rezultate nldoshta nuk duken spektakolare. Por procesi, të cilin Steinmeier filloi me "Review 2014", kur erdhi në detyrë, është me të vërtetë i jashtëzakonshëm, në fakt ai është unik. Për herë të parë një ministër i jashtëm gjerman vë në testim ministrinë e tij në mënyrë kaq direkte, duke i bërë çështjet e politikës së jashtme të prekshme për publikun. Në më shumë se 60 aktivitete kudo në Gjermani, në diskutime ekspertësh dhe në bisedë në internet u diskutua për politikën e jashtme dhe rolin e ri të Gjermanisë në botë dhe secili mund të merrte pjesë.

Bettina Marx

Bettina Marx

Dhe ajo që është edhe më interesante: ky proces publik i reflektimit vazhdoi gjatë gjithë vitit 2014, megjithëse Steinmeier dhe stafi i tij ishin më të ngarkuar se kurrë në këtë vit krize. Depërtimi i terroristëve në Irak dhe Siri, lufta e Gazës në verën e kaluar, shpërthimi i Ebolës në Afrikën Perëndimore dhe natyrisht kriza e Ukrainës, nuk ka patur asnjë moment për frymëmarrje në këtë vit me katastrofa. Prandaj është një arritje vërtetë e shquar e Steinmeier-it dhe e punonjësve të tij, që nuk kanë hequr dorë nga të reflektuarit për politikën e jashtme gjermane në këto kohë shumë të turbullta dhe që vazhdojnë një debat të qetë dhe konkret megjithë tensionin e diplomacisë së krizës.

Politika e jashtme e mërzitshme?

Nga kjo u konstatua se politika e jashtme nuk është aspak një temë e mërzitshme, një fushë specifike, me të cilën nuk dëshiron të merret asnjë politikan dhe me të cilën nuk mund të përfitohet në fushatë zgjedhore. Aktivitetet e "Review 2014" janë të frekuentuara mirë, bisedat (chat) internet janë frekuentuar gjithashtu dhe ekspertët ndërkombëtarë, mendimi i të cilëve u kërkua, ishin të impresionuar nga debati i hapur dhe publik lidhur me rolin gjerman në botë.

Si do të jetë tani politika e re e jashtme gjermane? Kësaj pyetjeje Steinmeier në fund të procesit "Review" i jep përgjigjen e vetme të mundshme: Nuk ekziston vetëm mundësia të zgjedhësh midis "bisedimeve të pafrytshme diplomatike dhe operacioneve ushtarake". Ndërmjet këtyre të dyjave politika e jashtme ka një gamë të gjerë instrumentesh, që ajo dëshiron t'i zhvillojë, si në parandalimin e krizave civile. Se çfarë suksesi do të ketë Steinmeieri, do të matet në përdorimin e këtyre instrumenteve në vitet e ardhshëm.