1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: polici jo vetëm shok dhe ndihmës

Aksionet vrasëse të policisë, viktima të të cilave janë zezakët, ua rrisin edhe më shumë dyshimin amerikanëve ndaj policisë. Por edhe pas rastit të fundit nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, mendon Gero Schliess.

Ferguson, Nju Jork, Kleveland dhe tani North Charleston: edhe sa herë duhet të ndodhë një gjë e tillë, derisa të ndryshojë diçka? Me të drejtë shumë amerikanë janë të indinjuar dhe dyshojnë ndaj policisë së tyre, madje edhe pse e dinë, që ka edhe "Cops të mirë". Por megjtihatë shumë shpesh ndodh që policia nuk është as shok dhe as ndihmës. E ndonjëherë madje ajo sjell edhe vdekjen.

Gënjeshtra në raportin e policisë

Të shtënat e punonjësit të policisë Michael Slager ndaj zezakut të paarmatosur Walter Scott janë shembulli i fundit i një serie të gjatë incidentesh me vrasje, në të cilat policë të bardhë kanë vrarë zezakë të paarmatosur. Kësaj radhe qysh në krye të herës nuk pati asnjë dyshim mbi fajin. Videoja shokuese, e regjistruar nga një kalimtar i guximshëm, demaskon të gjithë brutalitetin dhe përbuzjen ndaj njeriut. Ajo është njëkohësisht një mjet dëshmie, që ndëshkon në mënyrë të pakundërshtueshme gënjeshtrën e raportit të policisë. E ajo i detyroi të veprojnë politikanët lokalë. Pasi u publikua videoja, kryebashkiaku i North Charleston reagoi shpejt dhe ashtu si duhet: shkarkim dhe arrestim për policin fajtor.

Deutsche Welle Gero Schließ

Gero Schließ

E pra vallë të paktën në North Charleston bota është sërish në rregull? Kurrësesi! Pa videon gjërat do të rridhnin ndryshe. Slager do të kish shpëtuar prej kësaj afere i mbuluar prej shokëve të tij dhe me gjasë vrasja do të kishte mbetur e pandëshkuar.

Mbi arsyet për të shtënat vdekjeprurëse të policit ndaj zezakut është shkruar mjaft. Kualifikimi i Cops normalisht është i keq, e shpesh përdorimi i armës i nxituar. Por fakti që në të shumtën e rasteve kjo prek pjestarë të pakicave, dëshmon për diçka tjetër. Amerika vazhdon të ketë edhe sot një problem masiv racor. Ky problem e shoqëron vendin qysh prej orës së themelimit. Në këtë drejtim nuk ka ndryshuar asgjë as nga fakti, se presidenti aktual e ka lëkurën me ngjyrë. Veçanërisht në shtetet jugore të SHBA-së si tani në Karolinën e Jugut, por jo vetëm atje, paragjykimet racore vazhdojnë të jenë të përhapura. E kjo pa pasoja të rënda: jeta e një zezaku në SHBA konsiderohet shumë herë me më pak vlerë se sa e një bashkëqytetari të bardhë.

Mbrojtje nga pjesë të politikës

Do të ishte gabim, që kjo të fiksohej vetëm tek sulmet brutale policore. Që në raportin e policisë në North Charleston u gënjye dhe u mashtrua, kjo ishte e mundur, vetëm sepse policia u mbulua më e pakta nga pjesë e politikës.

Presidenti Obama dhe ministri i tij i patrembur i Drejtësisë Eric Holder vazhdimisht janë përpjekur, të ndërhyjnë në vendin e ngjarjes. Së fundi ata e bënë këtë në Ferguson. Atje raporti hetimor mbi policinë lokale ishte aq tronditës, sa atyre që ishin përgjegjës iu desh të japin dorëheqjen. Edhe tani FBI-ja dhe Ministria e Drejtësisë vazhdojnë të hetojnë. Në radhë të parë kërkohen përmirësime të qendrueshme dhe strukturore siç ka propozuar p.sh. Task-Force, që angazhoi presidenti Obama pas ngjarjes në Ferguson: Më shumë policë me ngjyrë, intensifikimi i stërvitjeve për taktikat defensive, hetimi i aksioneve me vrasje të policisë nga komisione të pavarura dhe më e rëndësishmja vënia në përdorim e kamerave të trupit për secilin polic në vend.

Të tilla kamera në SHBA diskutohen si shpëtimi nga gjithçka, por në fakt ato nuk janë të tilla. Kamerat nuk mund ta shmangin paragjykimin racor. Ndoshta ato mund të kenë efekt të konsiderueshëm dhe në fund të krijojnë më shumë besim. Por ende nuk është vendosur, nëse këto propozime do të zbatohen prej policive të shteteve federale dhe komunave. Nisma të ngjashme nga Uahsingtoni deri tani gjithmonë janë frenuar.

Lajm i mirë nga Fergusoni

Që të mund të shqyrtohet me themel problemi racor, këtij shteti federal i duhet fillimisht që "të veprojë ndershmërisht". Për aq kohë sa p.sh. kandidatët republikanë për president e nënvleftësojnë hapur çështjen racore, një gjë e tillë nuk do të funksionojë.

Por këto ditë ka edhe një rreze shprese, një lajm të mirë. Ky lajm vjen - pikërisht - nga Fergusoni: atje zgjedhjet e para pas trazirave për këshillat bashkiake kanë sjellë një rezultat që të tërheq vëmendjen: pjesëmarrja në votime është dyfishuar dhe numri i përfaqësuesve zezakë në këshillin e qytetit është trefishuar.