1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: plan i pabesë i islamistëve në Pakistan

Kur edhe një shesh lojërash kthehet në rrezik për jetën, kjo do të ndikojë në largimin sërish nga Pakistani të njerëzve, mendon Florian Weigand.

Po të ndjekësh mënyrën cinike të të menduarit të atentatorëve, atentati në Lahore ishte për të ardhur turp. Në të dielën simbolike të Pashkëve atentati që i drejtuar kundër komunitetit të krishterë, kur sulmuan një park shplodhjeje në metropolin milionësh të Lahores. Bilanci jopërfundimtar një ditë më pas: mbi 70 të vrarë, midis tyre të paktën 26 fëmijë dhe - nga këndvështrimi i atentatorëve - shumë pak të krishterë. Kështu informon nga vendi i ngjarjes korrespondenti i DW. Që sulmuesit në Lahore pohojnë se donin të godisnin të krishterët, ky është me siguri një makinacion i pabesë publicitar. Fraksioni i shkëputur nga talibanët shpresoi me të drejtë se do të tërhiqte vëmendje të përbotshme me aktin e tij veçanërisht në Perëndimin e krishterë. Por del edhe njëherë tjetër në pah: pavarësisht se cilat objektiva ndjekin islamistët, shumica e viktimave vazhdojnë të jenë myslimanë. Qoftë në Siri, në Irak, në Afrikë, në Indonezi apo në pikat e vazhdueshme të nxehta Afganistan- Pakistan.

Për Pakistanin vërtet nuk mund të thuash se ka një legjislacion veçanërisht laik. Blasfemia atje vazhdon të jetë krim, i cili pasohet nga dënimi me vdekje. Shumë pakistanezë janë myslimanë besimtarë, për të cilët është në rregull që edhe jeta publike të orientohet në bazë të parimeve të Kuranit. Por pjesë e realitetit është po ashtu, që të ashtuquajturat Convent-Schools, shkolla të krishtera, janë qendra të preferuara shkollimi për fëmijët e elitës myslimane. Niveli i shkollave është pa diskutim i lartë. Edhe kjo është pjesë e një vendi, kompleksiteti shoqëror i të cilit nuk mund të përmblidhet në fjali të shkurtra.

Florian Weigand

Florian Weigand

Shpirtrat që thirrën

Ai që hedh pas atentateve një vështrim në mediet sociale, sheh atje para së gjithash dëshpërim. Një myslimane e re nga Islamabadi shkruan për shembull se të gjithë njerëzit janë vëllezërit e saj, një tjetër citon profetin Muhamet, i cili do t'i dënonte si antiislame këto akte mizore. Njëkohësisht në vend po forcohet edhe një rrymë fatale e islamizmit radikal - e nxitur prej kohësh nga qeveria dhe shërbimet e fshehta - si instrument ndihmës në luftë kundër fqinjit Afganistan. Në fillim këtë e mbështesnin edhe SHBA - në vitet '80, kur Afganistani qe i pushtuar nga sovjetikët dhe çdo mjet kundër ish-Bashkimit Sovjetik konsiderohej i përshtatshëm. Tani ata nuk shpëtojnë dot më nga këta shpirtra. Në vitet e kaluara ka pasur disa ofensiva ushtarake, por atentatet në fakt janë shtuar.

Me siguri tani mund të presësh që edhe në Pakistan, gjithnjë e më shumë njerëz të nisin ta kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit. Me fat e quajnë veten ata që marrin një nga bursat e shumta ose një ofertë të mirë për punë në Emirate ose në Evropë. Elita e privilegjuar e shfrytëzon këtë. Më pak të privilegjuarit do të mendohen tani nëse një kamp refugjatësh si Idomenia është alternativë më e mirë ndaj një vendi, ku edhe një ekskursion me familjen në një park shlodhjeje mund të të kushtojë jetën.