1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Perëndimi nuk duhet të lejojë t'i imponohet një Luftë e Ftohtë

Samiti G-20 në Brisbane nuk solli asnjë zgjidhje për konfliktin në Ukrainë. Perëndimi ka nevojë për një strategji të re, mendon Ingo Mannteufel.

Edhe pse fjala ishte për çështje financiare dhe ekonomike globale, dita e parë të Samitit të G-20 në Brisbane u dominua nga konflikti në Ukrainë. Kancelarja gjermane Angela Merkel diskutoi pa arritur ndonjë rezultat me presidentin rus Vladimir Putin për krizën në Evropë, të ciln shumë tashmë e konsiderojnë si pikënisje për një luftë të re të ftohtë.

Pa dyshim, konfrontim i ri mes Rusisë dhe Perëndimit u ndez në lidhje me të ardhmen politike të Ukrainës dhe u acarua thellë prej aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe destabilizimi në Ukrainë lindore. Megjithatë, Perëndimi nuk duhet ta lejojë veten që skifterët rusë të Luftës së Ftohtë t'i imponojnë me histeri një luftë të tillë të re.

Maturia, peshimi i mundësive reale dhe i rreziqeve si dhe një strategji të re janë të e nevojshme. Dhe sidomos e rëndësishme dhe e drejtë është ajo që bën kancelarja Merkel: që i mban personalisht të hapura kanalet e komunikimit me Presidentin Putin, edhe nëse këto biseda në momentin e parë nuk tregojnë ndonjë rezultat.

Vlerësimi i rreziqeve dhe i mundësive

Politika ruse ka prodhuar shumë mosbesim dhe frikë. Por qëllim i rëndësishëm i diplomacisë perëndimore duhet të jetë që të vazhdojë të qëndrojë në bisedë me Putin. Vetëm nëse lind përsëri një besim themelor minimal, janë të mundura marrëveshje të qëndrueshme. Jo vetëm brishtësia e Marrëveshjes së Minskut dhe rifillimi i luftimeve në Donetsk tregojnë për këtë domosdoshmëri. Kërcënimi më i madh për paqen botërore është se prej lojërave ruse për të demonstruar forcë - me anë të avionëve bombardues mbi Atlantikin Verior apo luftanijeve para brigjeve të Australisë - lindin përshkallëzime të pakontrollueshme.

Po ashtu Perëndimi dhe qeveria e Ukrainës duhet të pranojnë të vërtetën e pakëndshme se pa ndikimin e Rusisë do të jetë praktikisht e pamundur që të përmirësohet gjendja ekonomike dhe sociale në Ukrainë. Kremlini ka në dorë leva kryesore jo vetëm përmes furnizimit me gaz, tarifave për përcjelljen e gazit, tregun ukrainas për mallrat industriale dhe transferimet e parave të ukrainasve që punojnë në Rusi. Shumë më tepër duke pasur parasysh politikën në Krime dhe Donbas, askush nuk duhet të dyshojë se Kremlini është i gatshëm që t'i shfrytëzojë këto leva maksimalisht për avantazhin e vet.

Objektiva rusë, përgjigje ukrainaso-perëndimore

Prandaj nevojitet një koncept i koordinuar mes qeverisë në Kiev dhe qeverive perëndimore, për t'i bërë Kremlinit një ofertë për qëllimet themelore të politikës ruse. Sigurisht, kjo nuk duhet të jetë pranim i zonave të reja të ndikimit neoimperial. Po ashtu as zhvillimi i shtetit ligjor dhe i ekonomisë së tregut në Ukrainë sipas modelit evropian nuk duhet të pengohen nga jashtë.

Megjithatë, një kompromis mund të ishte që Ukraina të vazhdojë të qëndrojë një herë për një herë neutrale sa i përket politikës së sigurisë dhe të mos synojë anëtarësimin në NATO, që asociimi i Ukrainës me BE-në të mos çojë në disavantazhe serioze ekonomike për Rusinë dhe që në Ukrainë të kryhet një decentralizim me më shumë të drejta për rajonet. Këtë të fundit, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko e ka premtuar tashmë në parim. Po ashtu edhe Brukseli ka rënë dakord tashmë në fakt që për të shmangur vështirësitë ekonomike për Rusinë për shkak të asociimit të Ukrainës me BE-në, e shtyu këtë hap për 1 janar 2016.

Deri tek arrtija e një kompromisi të qëndrueshëm politik, sigurisht që është një rrugë e gjatë. Nuk do të jetë e lehtë për ta bindur Kremlinin që të heqë dorë nga linja e tij agresive. Por në vend që shpallin në mënyrë të përsëritur sanksione të reja të pa lidhura me masa dënuese, qeveritë perëndimore duhet t'i lidhin sanksionet dhe kërcënimet e tyre për sanksione me arritjen e një kompromisi të tillë politik. Hap pas hapi sanksionet më pas mund të shtrëngohen ose të anulohen.

E gjitha vetëm pajtim?

Kuptohet që kudo mbizotëron zemërimi dhe mosbesimi. Thirrjet për një kompromis në Perëndim konsiderohen shpejt si politikë naive pajtimi, sidomos kur rreziku ekziston vërtetë. Por as ukrainasve nuk u vihet në ndihmë me moral dhe të pasur të drejtë, dhe as konflikti mund të zgjidhet ushtarakisht, sikurse tregojnë humbjet e hidhura të forcave qeveritare të Ukrainës në gusht.

Gjithashtu është e qartë se një kthim në marrëdhënien perëndim-rusi, si para krizës nuk do të ndodhë aq shpejt. Para të mund të flitet për një partneritet strategjik, duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Dhe nuk ka alternativë ndaj një programi të madh Marshall të Perëndimit për Ukrainën. SHBA dhe BE-ja e kanë për detyrë për ta bërë këtë sakrificë. Megjithatë, pa një kompromis me Rusinë të gjitha përpjekjet do të jenë të kota. Këtë Presidenti rus Putin e di shumë mirë, prandaj dhe reagoi aq i paepur në Samitin e G-20 në Brisbane.