1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Pekini duhet t'ia prishë planin Kimit

Me ndezjen e një bombe me hidrogjen Koreja e Veriut synon të forcojë pozicionin e saj në negociata. Tani është në dorën e Pekinit, që ta ndjekë nga veprat pretendimin për rol më të madh në politikën e jashtme.

Sikur bota të mos kishte pasur halle plot: tani, një despot i paparashikueshëm në veprimet e tij ndez edhe një bombë me hidrogjen - të paktën pohon se e ka bërë këtë. Shqetësimet e fqinjëve të koreanoveriorëve dhe reagimet e ashpra ndërkombëtare janë të justifikuara, por i papritur testi nuk ishte. Pritej një pinjoll më i ri i diktaturës së trashëguar Kim të tërhiqte vëmendjen herët a vonë te vetja në mënyrë spektakolare. Vitet e para djaloshit iu deshën për të përforcuar pozicionin e tij brenda vendit. Për këtë ai eleminoi në mënyrë ekstreme brutale kundërshtarët e mundshëm dhe ndërtoi njëkohësisht parqe çlodhjeje dhe banja argëtimi, por të cilat i shfrytëzon vetëm një pakicë e popullatës që lëngon.

Kjo me sa duket nuk mjaftoi. Prandaj ai donte që tani, pak para ditëlindjes së tij të tregohej i fuqishëm përballë ushtrisë së tij dhe ndaj botës. Ndezja që raportohet e një bombe me hidrogjen është një përpjekje për t'ua imponuar veten të tjerëve me të gjitha mjetet në tryezën e negociatave. Me frazeologjinë komuniste u tha menjëherë se Koreja e Veriut u ngjit një "shkallë më lart si fuqi atomike".

Alexander Freund

Alexander Freund

Kimi mund të ketë sukses

Do të duhet kohë derisa të mësojmë se çfarë ka ndezur me të vërtetë Koreja e Veriut. Kur Koreja e Veriut pohoi për herë të parë në vitin 2006 se ndezi një bombë atomike, u tall prej të tjerëve. Edhe tri vjet më vonë, fuqia e matur e shpërthimit i bëri të dyshojnë shumë vetë. Por ajo që ndezi nën tokë Koreja e Veriut në vitin 2013 kishte forcë gjigande dhe ishte shumë më e fuqishme se bomba e Hiroshimës. Të gjitha këto nuk do të ishin asgjë në krahasim me forcën shkatërruese të një bombe me hidrogjen. Por nëse një regjim, i cili ka një prapambetje prej disa dekadash ndaj bashkësisë ndërkombëtare thuajse në të gjitha fushat, është në gjendje ta bëjë këtë, kjo do të dalë në pah. E qartë është megjithatë se përpjekja e vrazhdë e Kimit ndoshta do të ketë sukses: pas një dënimi prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sanksionet kundër Koresë së Veriut ndoshta do të forcohen sërish, ndërsa fuqia mbrojtëse SHBA do të demonstrojë me manovra marciale detare vendosmërinë e saj për mbështetje ushtarake të Koresë së Jugut dhe të Japonisë. Dhe në plan afatmesëm me siguri që do të zhvillohen bisedime të reja gjashtë palëshe të Koresë së Veriut me atë të Jugut, me SHBA, Rusinë, Japoninë dhe Kinën. Në bisedimet e fundit, pas negociatave të ashpra, Koreja e Veriut e zbuti të paktën pjesërisht qendrimin e saj. Në këmbim, Pheniani mori ndihmën ekonomike të nevojitur urgjentisht. Nëse kjo do të funksionojë edhe njëherë, atëherë Kimit do t'i funksionojë sërish plani.

Të ndërpritet qarku i provokimeve

Megjithatë ekzistojnë shpresa që ky ritual të ndërpritet më në fund, pas provokimit më të ri të Koresë së Veriut. Sepse kohët kanë ndryshuar: në SHBA qeveris një president hezitues, i cili preferon që në politikën e jashtme të mbetet jashtë të gjithave dhe megjithë lotët në sy nuk është në gjendje të sjellë në vete as të çmendurit pas armëve në vendin e tij. Qeveria nacional-konservatore në Japoni nuk ka më vullnet që t'i zgjidhë konfliktet vetëm duke përdorur kartën e kreditit. Koreja e Jugut është afruar me Kinën e edhe me Japoninë po përvijohet një çtensionim.

Para së gjithash në Pekin me Xi-në qeveris një burrë i fortë, i cili është shumë i vendosur që ta pozicionojë Kinën më fort edhe në politikën e jashtme, pas vrullit ekonomik për të arritur të tjerët. Dhe superfuqia e re nuk duhet ta lejojë që aleati i saj, Koreja e Veriut t'i bëjë lojëra para hundës. Dendur e ka shpërfillur Koreja e Veriut mikpritësin e takimeve të fundit gjashtëpalëshe. Kritika e ashpër verbale nga Pekini në drejtim të Phenianit tani duhet të pasohet nga vepra.