1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Paralajmërim për Olimpiadën

15.000 atletë, 306 vendime, 28 gara - vetëm dimensioni i Lojërave Olimpike të Rios është tepër gjigand. Lojërat e Rios janë një paralajmërim për IOC, mendon Joscha Weber

Vrapimi 100 metra është një pikë kulmore e Lojërave Olimpike. Këtë do ta pohonin pa hezitim shumica e sportdashësve. Gati asnjë garë tjetër nuk i mrekullon njerëzit në të gjithë botën e nga të gjitha kulturat njësoj si spektakli që zgjat më pak se dhjetë sekonda. Por kur shikon se as për këtë garë nuk u shitën të gjitha biletat, atëherë në shtetin e Olimpiadës ka diçka që nuk ecën si duhet. Vetëm 60 përqind e Stadiumit Olimpik qe mbushur në ditët e tjera të garave të atletikës së lehtë. Shkaku: për shumë brazilianë, biletat e Olimpiadës thjesht qenë të shtrenjta. Po ky nuk është i gjithë shpjegimi: gati gjysma e 280.000 biletave që iu ndanë falas fëmijëve të shkollave mbeti e papërdorur. A ka humbur forcën tërheqëse Olimpiada?

Po edhe jo. Jo, sepse Rio 2016 ofroi vendimet shumë interesante si penalltitë në ndeshjen e futbollit midis Brazilit dhe Gjermanisë, gjysëmfinalen emocionale të tenisit midis Del Potro dhe Nadalit, triumfin në rugby, fitoren në sekondën e fundit në hendboll të francezëve ndaj gjermanëve. Gara sportive midis njerëzve nga të gjitha vendet e botës vazhdon të mrekullojë e të bëjë për vete miliarda njerëz para televizorëve, radiove dhe celularëve inteligjentë. Po njëkohësisht përgjigjia është po, sepse lojërat po largohen gjithnjë e më tepër nga fillesat dhe idealet e tyre. Komercializimi i lojërave, dyshimi për rezultatet i tronditur nga skandalet e dopingut, paralizimi i pjesshëm i transportit publik përgjatë Olympic Lane, masat e sigurisë që janë bërë të nevojshme - të gjithë faktorë që shpjegojnë një lloj pakënaqësie të publikut.

Weber Joscha Kommentarbild App

Joscha Weber

Njerëzit nuk e pëlqejnë më gjigandizmin olimpik

Dhe Rio, në fakt entuziast për futbollin nuk është i vetëm, qytete të tjera kanë shkuar shumë më larg. Mynihu, Krakovi, Stokholmi, Oslo dhe Hamburgu i thanë Jo Olimpiadës që në procesin e aplikimit. Për shkak të shpenzimeve shumë të larta për takspaguesin (në Rion që është ngushtë me para thuhet se shpenzimet ishin dhjetë miliardë euro), shumë dëshira të veçanta të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe në fund ndoshta gërmadha sportive që mbeten të papërdorura si në Athinë - shumë njerëz janë ngopur me gjigandizmin olimpik.

Kur pastaj funksionarë të rangut të lartë të IOC si irlandezi Patrick Hickey bëjnë tregti ilegale me bileta dhe arrestohen për këtë nga policia, konfirmohet tablloja për funksionarët sportivë të korruptuar dhe të etur për luks, të cilët duhet t'i përballojë çdo vend organizator.

Dhe megjithatë: lojërat e rinisë mbeten një ide e shkëlqyer. Që t'i afrosh popujt e botës paqësisht për gara sportive dhe për shkëmbim kulturor në një vend, mbetet një mendim i mrekullueshëm. Por që këto takime të jenë gjithmonë e më të mëdha dhe më të shtrenjta, ky është gabim i madh. Rioja me arenat gjysmëbosh dha një goditje paralajmëruese. Mbetet të shpresohet që mesazhi edhe të mbërrijë.