1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Paradhënie e madhe besimi për Macronin

Presidenti Macron ndodhet në rrugë të mbarë për të fituar një shumicë të qartë në parlament. Partitë e vjetra kanë zënë vend në radhët e pasme. Kemi një revolucion të skenës politike në Francë, mendon Barbara Wesel.

Ndryshe nga Britania e Madhe, demoskopët francezë e patën parashikuar si duhet tendencën: Presidenti i ri i Francës, François Macron ndodhet në rrugë të mbarë për të fituar një shumicë të qartë, ndoshta dërrmuese në Parlament. Kursi i suksesit i tij po e kalon gjithçka që pritej dhe çdo të dhënë të bazuar në përvojat e mëparshme. Asnjëherë më parë në një demokraci perëndimore nuk janë ngjitur me katapultë në këtë mënyrë një person dhe një parti e prerë sipas tij.

Macromania është pjesë e suksesit

Francezët kishin vetëm katër javë kohë, për ta vëzhguar në post Presidentin e tyre të ri. Dhe ai dëshmoi një instinkt kaq të sigurtë dhe aftësi të shpejtë për të kuptuar, sikur të kishte pasur një përvojë prej disa dekadash. Duket gati e pabesueshme, që i riu në politikë u largua fitimtar nga takimi i shtrëngimit të duarve me Presidentin e SHBA, Donald Trump dhe në takimin e tij me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.

Dhe përgjigjia e Macronit në twitter - e ku tjetër - ndaj Presidentit të SHBA pas tërheqjes së tij nga Marrëveshja për Klimën e Parisit e kapi si duhet atmosferën e komunitetit të internetit: "Make our planet great again" - duke imituar sloganin në fushatën elektorale të Trumpit - u bë mesazhi më i klikuar i asaj nate. Presidentin francez duhet ta urosh për ekipin e tij të mediave sociale.

Francezët e vëzhguan Emmanuel Macronin këto javë dhe atyre u pëlqen ajo që shikojnë. Daljet e tij në parketin ndërkombëtar kanë bërë që të krijohet një macromani e vërtetë. Tregjet financiare i besojnë atij, kancelarja gjermane po ashtu dhe populli i jep një paradhënie gjigante besimi.

Beteja e vërtetë është ende përpara

Pas pluhurit të artë, i cili i ra mbi supe Macronit, sepse pas viteve pak për të ardhur keq të Francois Hollande-s ai mishëron dëshirën e francezëve për shkëlqim dhe rëndësi, do të pasojnë mundimet e tabanit. Atij i duhen të paktën disa suksese të shpejta, para së gjithash lëvizje në tregun e punës. Dhe ai ka nevojë për ndihmën e qeverisë gjermane për t'i zhdërvjelltësuar vargonjtë financiarë të Eurozonës.

Sepse ajo që ka në plan të bëjë Emmanuel Macroni është jo më pak se një transformim i plotë i strukturave të ngurtësuara franceze: të taksave, të arsimit, të administratës, të drejtësisë, të gjendjes së periferive - Presidenti ka para një vetes më shumë se një dyzinë projektesh. Në to ai duhet të tregojë se është në gjendje të rezistojë, se nuk frikësohet nga sindikatat e majta dhe se është i aftë t'i ndjekë deri në fund planet e tij.

Jeta e përditshme në Paris në vitet e ardhshme do të jetë më pak e lavdishme, por kryesisht e vështirë dhe e fëlliqur. Në raundin e dytë të dielën e ardhshme Macroni do të arrijë një fitore të madhe në zgjedhje - dhe pastaj fillon beteja e vërtetë.

Një revolucion i politikës franceze

Partitë tradicionale rrëzohen majtas dhe djathtas rrugës si bar i prerë. Socialistët do të tkurren ndoshta në numrin e deputetëve që kanë pasur më parë në parlament, në disa dyzina vendesh. Kjo quhet goditje asgjësuese. Marine le Peni dhe Front National u përballën me realitetin: pas fluturimit në hapësirë të kandidaturës presidenciale ajo tani mund të mos jetë në gjendje të krijojë as një grup parlamentar të vetin në Asamblenë Kombëtare. Asaj i mbetet vetëm të bërtasë nga bankat e pasme.

Barbara Wesel

Barbara Wesel

E majta ekstreme pritet të tkurret në numrin e vendeve që ka edhe tani. Por humbësit e mëdhenj pritet të jenë konservatorët: nëse katër javë të shkuara ata patën ëndërruar ende që të fitonin një shumicë parlamentare, për t'i vënë frerë Macronit dhe për ta detyruar atë për kohabitacion, tani ata janë vetëm partia më e madhe opozitare. Ata do të bien në një krizë të thellë identiteti.

Ky revolucion i skenës politike në Francë është i habitshëm dhe në njëfarë mënyrë freskues: do të shfaqen një numër i madh fytyrash të reja, shumë gra, njerëz nga ekonomia dhe nga shoqëria civile. Franca ka një tendencë që të përballojë çdo njëqind vjet një përmbysje revolucionare të madhe ose të vogël. Ky ushtrim është nga njëra anë një goditje çliruese dhe nga ana tjetër nuk është pa rreziqe. Emmanuel Macron tani duhet të qendrojë me këmbë në tokë, të dëgjojë, të punojë fort dhe të mos t'i merren mend nga suksesi i tij. Atij i kanë dhënë një paradhënie të madhe besimi dhe ai duhet të tregojë tani se çfarë është në gjendje të bëjë. Opozita është e dobët dhe e ka të vështirë ta kundërshtojë. Tani do të dalë në pah sa i rritur dhe sa i zgjuar është me të vërtetë Presidenti i ri.