1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Erë e akullt papajtueshmërie në Uashington

3 Shkurt 2017

Emërimi në Supreme-Court (Gjykatën Supreme) tregon, se në SHBA po vazhdon të fryjë një erë ngrice e papajtueshmërisë, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/2Wss5
USA Trump Ernennung Neil Gorsuch
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

Ku do të dalë kjo? S'kanë kaluar as dy javë që Donald Trump është në post dhe politikanët e Uashingtonit tërhiqen në një vorbull armiqësish dhe papajtueshmërie. Ajo çfarë ata i bashkon është paaftësia për të dëgjuar palën tjetër. Demokratët dhe republikanët në të njëjtën masë po praktikojnë priorizimin e asaj çfarë i ndan kundrejt asaj çfarë i bashkon.

Shembulli i fundit: Kandidati i Trump për Gjykatën Supreme të SHBA-së. Presidenti ende pa e përmendur emrin e tij, demokratët nisën të bëjnë rezistencë. Sy ndër sy e dhëmb për dhëmbë. Tek e fundit republikanët e bllokuan kandidatin e Obama-s më 2016 për Gjykatën Supreme.

Vitin e kaluar kandidatin e Obama-s republikanët nuk e konsideronin konservator sa duhet për postin vakant të gjyqtarit. Tani demokratët ankohen, për qendrimet, sipas tyre, mjaft konservatore të kandidatit të Trump-it, 49 vjeçarit Neil Gorsuch.

Demokratët dridhen

Eshtë një emërim i rëndësishëm, sepse Supreme Court luan një rol të rëndësishëm në sistemin politik të SHBA-së. Gjyqtarët e këtij organi kushtetues zgjidhen përjetësisht. Ata vendosin, nëse në rast kontestimi presidenti ose parlamenti veprojnë konform kushtetutës. Gjykimi i tyre mund të ketë pasoja ndaj jetës politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, si në rastin e çështjes së të drejtave për minoritete apo të abortit.

Disa gjyqtarë suprem të SHBA-së vitet e ardhshme mund të japin dorëheqjen ose ta shkurtojnë afatin e përjetshëm në detyrë. Përfytyrimi që presidenti Trump mund t'i zëvendësojë këto vende vakante me kandidatë të tij, i bën të dridhen demokratët. Kjo e nxit edhe më shumë rezistencën e tyre ndaj administratës së re të Trump-it. Po ashtu edhe kundërshtimin ndaj kandidatit aktual për Gjykatën Supreme. Në senat Neil Gorsuch duhet të bindë të paktën tetë senatorë demokrat, në mënyrë që të mund të zgjidhet.

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric

Pat në Supreme Court

Ndërkohë në parlamentin e SHBA-së po fryn një erë e akullt e papajtueshmërisë. Eshtë e vështirë të parashikosh, nëse disa demokratë do të votojnë për të. Ka disa faktorë që flasin për këtë: një karrierë e shkëlqyer akademike me studime në universitete elitare brenda dhe jashtë vendit, paraqitja e tij modeste, puna e tij në Gjykatën e Apelit në Denver, ku ai punon ndërkohë. Kundër tij flasin qendrimi konservator ndaj çështjeve si aborti, e drejta për armëmbajtje apo çështja e eutanazisë.

Në Gjykatën Supreme të SHBA-së që pas vdekjes së gjyqtarit Antonin Scalia para një viti është krijuar një situatë pat: katër gjyqtarë konservatorë përballen me katër liberalë. Nëse konfirmohet Neil Gorsuch, konservatorët sërish do të kishin epërsi.

"Opcioni nuklear" si rrugëdalja e fundit

S'të habit fakti, se Trump pret nga republikanët ta kalojnë "përmes senatit" kandidatin e tij. Presioni ndaj drejtuesit konservator të mazhorancës Mitch McConnell është masiv. Si republikani i nivelit më të lartë ai duhet të përpiqet, që t'ua ndryshojë mendjen senatorëve demokratë. Nëse nuk ia del me këtë, atij i mbetet i ashtuquajturi "opcioni nuklear" - një rrugëdalje e fundit: McConnell mund t'i ndryshojë rregullat e lojës së senatit. Atëherë do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë e republikanëve, për ta zgjedhur Gorsuch. Por kjo fitore do të kishte një çmim të lartë politik, sepse një ditë demokratët sërish do të kenë shumicën në senat, e kësisoj do të ishin ata që do t'i gëzonin frytet e këtyre rregullave të reja.

Të gjitha palët në Uashington në fakt do të përfitonin, nëse ato sërish do të afroheshin me njëra-tjetrën - jo vetëm për zënien e postit të një gjyqtari në Gjykatën Supreme.