1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Pak RDGJ në Tyringji

Bodo Ramelow zgjidhet kryeministër i Tyringjisë. Me Ramelow për herë të parë kryeministri i një landi vjen nga radhët e partisë E Majta. Eksperimenti shihet me sy kritik jo vetëm në Berlin, komenton Volker Wagener.

Ai u zgjodh kryeministër. Bodo Ramelow e kaloi provën e parë. Megjithatë ngeli në "provimin Gauck". Presidenti gjerman, Joachim Gauck ai që ndërhyn papushim, nuk e fsheh aversionin kundrejt Të Majtës. "Shumë pranë mentalitetit të SED-së, jo me besueshmëri të mjaftueshme"- ky ishte vlerësimi politik rrënues, pak pas zgjedhjeve të landit të Tyringjisë. Shumë gjermanë mendojnë kështu.

Zemërmirët me njolla në të shkuarën

Disa anëtarë të partisë socialdemokrate në Tyringji nuk kontrolluan as lotët, kaq të zemëruar ishin ata disa javë më parë, kur debatuan koalicionin me Të Majtën. Se si mundet kjo parti me një hipotekë SED-je pas vetes të kurorëzohet në një parti normale qeverisëse -ky fakt i zemëron së tepërmi disa socialdemokratë me biografi lindore. Edhe në perëndim reagimet nuk ishin më të mira. Sidomos në kampin konservator. 25 vite pas rënies së Murit të Berlini, ish-komunistët ngjiten në pushtet, ata që vetëm me skërmitje duhet të pranonin se RDGJ-ja nuk ishte shtet i së drejtës, tani ulen në radhën e parë të politikës. Por kush anon më majtas në CDU dhe mendon në mënyrë strategjike mund të gëzohet. Gëzim i fshehur edhe tek SPD-ja, ish-partia popullore, që sot përfaqëson më shumë një popullth.

Deutsche Welle Deutschland Chefredaktion REGIONEN

Volker Wagener komenton

E Majta ka një pozicion të respektuar në Gjermaninë Lindore, 25 vjet pa rënies së Murit të Berlinit. Ajo është kërkuar dhe do të kërkohet të bëhet pjesë e koalicioneve dhe në komuna madje shihet partia zemërmirë. Edhe varësia njerëzore tek ata, me të cilët kjo parti është rritur, ka pjesën e vet tek elektorati, duke bërë të mos ndërpritet trashëgimia e dikurshme socialiste. E Majta në Lindje është një faktor politik, ndryshimi i sistemit e ka dobësuar, por nuk e nxjerrë nga skena politike.

Ramelow, një politikan i majtë i një natyre tjetër

Përkundrazi: Tani vjen Bodo Ramelow. Dhje kjo ka arsyet e veta. Kryeministri i ri është interesant si figurë, sepse ai nuk i përmbush kriteret e sociogramit të së Majtës lindore. Ndryshe- atij nuk vjen erë nga e shkuara. Ramelow vjen nga perëndimin, është i praktikues i fesë evangjeliste, dhe ndjek një politikë ekonomike si një konservator. Ai thyen tabutë, ndëshkon klishteë për gënjeshtrat e së majtës, por konsiderohet si një nga ata që mirëkuptojnë Lindjen. Për vite me radhë Mbrojtja Kushtetuese e ka mbajtur atë nën vëzhgim, rebelin që në moshën 14 vjeçare dinte të lidhte kravatën. Një histori e jashtëzakonshme gjermano-gjermane!

Që fëmijët e revolucionit paqësor të vjeshtës 1989 piëkrisht tani po qeverisen nga administruesit e trashëgimisë së SED-së, zemëron sidomos partinë kristiandemokrate pikërisht në vitin e rënies së murit. CDU pyet: Sa elementë SED -je ka Ramelow? Në këtë konktest përmendet emri i deputetit, Frank Kuschel, të cilit Ministria e Sigurimit i kishte lëshuar vërtetimin: "pa rezerva." Ose Ina Leukefeld e policisë kriminale i cila i jepte informacionet mbi personat që dëshironin të braktisnin RDGJ-së tek Stasi. Ajo dhe të tjerë janë barra e vjetër e Të Majtës, që ende sjellin reagime të forta, 25 vjet pas rënies së regjimit të Berlinit lindor.

Kjo është skena në të cilën ngjiten socialdemokratët si partneri më i vogël i koalicionit- një shuplakë për ata socialdemokratë disidentë dhe kundërshtarë të SED-së. Një aventurë. Por edhe një shans.

Përpjekje për të braktisur prangat kristiandemokrate

Në një format të vogël politik si në një land ky eksperiment mund të bëhet. A nuk ishte koalicioni mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve në vitin 1980 në Hesen, pararendësi i epokës Schröder-Fischer? Askush nuk e thotë hapur tek socialdemokratët, por Tyringjia do të jetë një laborator eksperimentues për Berlinin. Premiera në këtë land hap një opcion strategjik jashtë koalicionit me bazë të gjerë. Socialdemokratët dhe të gjelbrit nuk arrijnë më të kenë mazhorancën në federatë. Po qe se socialdemokratët duan të ofrojnë kancelarin në vitin 2017, kjo mund të bëhet vetëm përmes një koalicioni socialdemokrat-e Majta, të gjelbrit. Por kjo është një nismë me rrezik. Jo të gjithë e duan një pushtet të tillë, dhe të gjelbrit mund të bëjnë koalicion me kristiandemokratët. "Pak RDGJ në Tyringji" nuk është vetëm për të Majtën një test, por një laborator edhe për socialdemokratët.