1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Pa izolim nuk bëhet

4 Korrik 2017

Italia ndihet e mbingarkuar. Ajo kërkon nga shtetet e tjera të BE që t'i merren një pjesë e refugjatëve të Mesdheut. Kjo është e kuptueshme, por nuk është zgjidhje e problemit, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/2ftmu
Spanien Melilla Flüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/S. Palacios

Ai që kërkon një ndarje të drejtë të refugjatëve në shtetet e BE mund të jetë i sigurtë se do të marrë mbështetjen e establishmentit të politikës gjermane duke përfshirë edhe Kancelaren. Në të njëjtën kohë, kjo vetëm sa i shton problemet. Sepse lëvizja e refugjatëve nga Afrika për në Evropë në këtë mënyrë vetëm do të shtohej. Për momentin, thuajse asnjë afrikan, që arrin të vijë në Evropë nuk dëbohet - edhe kur nuk ka të drejtë të marrë azil. Një "durim" kthehet dikur në një qendrim të vazhdueshëm. Po e drejta e azilit, kur u konceptua, nuk u konceptua kështu. Megjithatë e vërteta është: ai që arrin në njëfarë mënyrë të hyjë në Evropë - pavarësisht se nga vjen dhe për cilin shkak - ka shanse të mira që të lejohet të qendrojë këtu dhe të përfitojë nga të gjitha ato kontribute shtetërore, të cilat mund t'i ofrojë ky kontinent i pasur.

Politika nga keqardhja nuk mjafton

A mbetet migrimi për këtë shkak një akt i dënueshëm? Natyrisht jo. Është krejtësisht e kuptueshme, që njerëzit të marrin rrugën për në Evropë, edhe kur duan të shpëtojnë "vetëm" nga mjerimi ekonomik. Por vetëm keqardhja nuk mund të jetë bazë për veprime politike.

Mjafton të mbajmë parasysh vetëm disa shifra dhe ta përfytyrojmë vazhdimin e këtij migrimi për disa dekada në të ardhmen. Dhe duhet mbajtur parasysh deklarata e ministres nigeriane të Popullatës, Rakiatoi Kaffa-Jackou, bërë në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Afrikan: "Objektivi nuk është që të kufizohet lindshmëria." Dhe lindshmëria në vendin e saj është shtatë fëmijë për grua. Popullata afrikane, e cila nuk ka perspektiva ekonomike as sot, në fund të shekullit, në bazë të parashikimeve të OKB-së do të katërfishohet dhe do të arrijë shifrën katër miliardë e gjysmë njerëz. Sa për krahasim: BE ka rreth një miliardë banorë, me tendencë pakësimin.

Radikalizimi politik po shtohet

Në kulmin e krizës aktuale të refugjatëve, Gjermania pranoi më shumë se një milion vetë, shtete të tjera të BE pranuan qindra mijëra refugjatë të tjerë. Në krahasim me presionin në rritje të popullatës nga Afrika, kjo duket një shifër shumë e vogël. Por në të gjithë Evropën, gjatë kësaj kohe u shtua shumë armiqësia kundër të huajve, kudo partitë e djathta po forcohen. Për momentin duket se forcimi i tyre nuk po avancon, por kjo ndodh vetëm sepse lëvizja e madhe migratore e 2015/2016 është ulur disi. Migrimi i pakontrolluar megjithatë po vazhdon dhe po shtohet, këtë herë përmes Mesdheut.

Hasselbach
Christoph Hasselbach

Evropa duhet të rimarrë iniciativën

Nëse pason një vërshim masiv tjetër refugjatësh, a e përfytyron njeri se çfarë radikalizimi politik dhe tensionesh politike do të kemi në Evropë? A e mendon njeri, se çfarë do të mbetej nga BE, i cili që tani është i përçarë në këtë çështje? Vetë Angela Merkeli ka premtuar ndërkohë që viti 2015 nuk duhet dhe nuk do të përsëritet. Pyetja që shtrohet është se si do ta garantojë ajo këtë, kur njëkohësisht është kundër çdo kufizimi?

Evropa duhet ta rimarrë në dorë iniciativën në këtë çështje. Nuk mund t'u lihet trafikantëve të njerëzve vendimi se kush do të lejohet të jetojë në Evropë. Prandaj, migrantët që kapen në Mesdhe nuk duhet të sillen në mënyrë automatike në Evropë. Po të mbyllet itinerari i Mesdheut si itinerar masiv refugjatësh, atëherë - vetëm atëherë, mund të flitet për një ndarje të drejtë refugjatësh brenda BE.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare