1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Përqëndrim i rrezikshëm i pushtetit në Poloni

Një zhvillim shqetësues: Parlamenti polak ka hequr me ligj postin e Prokurorit të Përgjithshëm, deri tani i pavarur nga qeveria. Ministrit të Drejtësisë i shtohet një post i ri. A preken parimet e shtetit ligjor?

Proteste gegen die Regierung in Polen

Protesta kundër qeverisë në Poloni (janar 2016) në pllakat ministri i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro

Edhe një hap tjetër i qeverisë konservatore për ta përqëndruar sa më shumë pushtetin në duart e veta: Pas paralizimit të Gjykatës Kushtetuese, kthimit të mediave publike në transmentues të qeverisë dhe shfuqizimin e neutralitetit politik të nëpunësit të shtetit, partia qeverisëse në Poloni po krijon një instrument të ri, që mund të vihet në përdorim në mënyra të ndryshme: Ministri i Drejtësisë, në të ardhmen, merr edhe detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, pra ushtron njëkohësisht të dy postet.

Prokurorët e Përgjithshëm në shumë vende të komanduar nga politika

Siç është bërë zakon këto kohët e fundit edhe ky ligj u miratua brenda një kohe shumë të shkurtër, natën, duke injoruar pozicionet e ekspertëve. Opozita votoi e bashkuar kundër. Përkrahësit e ligjit të ri argumentuan se ndarja e dy funksioneve - e praktikuar nga viti 2010- nuk ka qenë efektive në luftimin e kriminalitetit. Më shumë se kaq: Bëhet fjalë për një zgjidhje që praktikohet edhe në vendin mëmë të demokracisë, në SHBA.

Kjo është e vërtetë, megjithëse ushtrimi i njëkohshëm i posteve të Ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm parimisht është një praktikë e rrallë në botën demokratike. Është po ashtu e vërtetë që në shumë vende, edhe në Gjermani, prokurorët e përgjithshëm si nga ana organizative dhe disiplinare janë kompetencë e ministrit të Drejtësisë. Prokurorët e Përgjithshëm, pra nuk janë gjë tjetër veçse nëpunës politikë, dhe jo përfaqësues të “judikatives” të ndarë nga “ekzekutivi”. Dhe të jemi të hapur: Edhe në demokracitë e zhvilluara për këtë arsye politika e ka herë pas here joshjen për ndikim ndaj drejtësisë përmes prokurorisë.

Dudek Bartosz Kommentarbild App

Bartosz Dudek komenton

Shembulli më i ri në Gjermani vjen në kohët e fundit: Në shtator 2015 ministri gjerman i Drejtësisë përdori të drejtën e mbikqyrjes dhe - kështu quhet në gjermanishten zyrtare - e nxori në pension me efekt të menjëhershëm Prokurorin e Përgjithshëm. Arsyeja për këtë ishte hapja e një procedimi kundër gazetarëve për tradhti ndaj atdheut, gjë që nuk u pa me sy të mirë në Berlinin politik dhe në shtypin e vendit. Edhe pse akuzat ndaj gazetarëve ishin shumë absurde, politika nuk donte të priste një vendim gjyqësor. Prokurori i Përgjithshëm që ra në sy për keq u largua nga puna menjëherë.

Preken parimet bazë të shtetit ligjor

Por po të hedhësh një vështrim tek politika polake e muajve të fundit, të shqetëson megjithatë shkrirja e dy posteve. Sidomos po të mendosh, se ministri polak i Drejtësisë dhe njëkohësisht edhe Prokuror i Përgjithshëm është i pajisur me kompetenca të zgjeruara, që në këtë formë nuk janë aq tipike për vendet demokratike. Ai ka mundësi të ndërhyjë në procese në zhvillim e sipër jo vetëm nga ana disiplinore, por edhe përmbajtësore. Me fjalë të tjera: Ai do të vendosë, kush do duhet të akuzohet dhe çfarë procesesh gjyqësore, pavarësisht nga arsyeja, do mund të ndërpriten. Këtu bëhet fjalë për një tentativë për të shfuqizuar ndarjen e pushteteve. Kjo prek parimet bazë të shtetit ligjor.

Por vendimtare në këtë rast nuk janë vetëm kompetencat teorike të postit të ri, por se si do të veprohet në praktikë me këtë përqëndrim të ri pushteti. Përvoja e viteve 2005-2007, kur ministri i tanishëm i Drejtësisë dhe roja e Kaczynskit “për ligjin dhe rregullin”, Zbigniew Ziobro ka qenë ulur njëherë në atë karrige, nuk të lenë të mendosh mirë. Ka arsye për të pasur shqetësime se ai do t'i shfrytëzojë deri në fund mundësitë e reja që i krijohen nga fuzionimi i posteve. Por një ministër Drejtësie që mund të hapë një proces gjyqësor kundër kundërshtarëve politikë nuk është i pranueshëm në botën demokratike.

Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të artikullit! Neve na gëzon shprehja e opinionit Tuaj!