1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Përparësitë dhe mangësitë e protestave në Turqi

Për herë të parë në historinë e Turqisë po formohet një shoqëri civile, e cila me mjete kryesisht paqësore kërkon më shumë liri. Kjo formë e protestave është e re.

Ende nuk është e qartë se si do të zhvillohen gjërat në parkun Gezi në Stamboll dhe cilat do të jenë rezultatet e protestave, por disa gjëra dihen që tani. Protestat i kanë nisur pak aktivistë ekologjistë, të cilëve më vonë u janë bashkangjitur edhe shumë demonstrues në radhë të parë nga krahu i majtë, pastaj intelektualë, myslimanë sekularë, liberalë, ateistë, kurdë dhe alevitë.

Të bie në sy se në mesin e demonstruesve ka shumë të rinj. Gati tre në katër nuk janë as 30 vjeç. Në veçanti ka shumë femra në mesin e tyre. Ata kundërshtojnë stilin autoritar të qeverisjes së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan si dhe kufizimet e të drejtave të njeriut.

Retorika që pengon

Por edhe retorika e Erdoganit është problematike si dhe bindjet e tij për vlerat e moralit. Erdogani dhe elita udhëheqëse e partisë së tij (AKP), e përbërë nga shumica sunite, reklamojnë vlera të cilat zgjojnë frikën se Turqia po shkon drejt një iranizimi, sepse ajo e quan baletin një art i dështuar, kufizon konsumin e alkoholit, është kundër lindjeve me operacione çezariane dhe kundër dy mbiemrave tek femrat, me shpjegimin se këto gjëra nuk janë pjesë e fesë islame.

Është tepër heret të flitet për një lëvizje nacionale, e cila do të përfshinte edhe sindikatat, ekonominë dhe strukturat e tjera të shoqërisë. Megjithë kritikat e merituara, qeveria e tanishme e AKP është votuar nga shumica e zgjedhësve dhe ka një legjitimim demokratik. Sipas sondazheve të fundit, shumica e turqëve e shohin me sy kritik lëvizjen e protestave. AKP-ja e Erdoganit ka fituar shumicën në tre zgjedhjet e fundit. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2011 i ka fituar gati 50 % të votave.

Shpresat për ndryshime politike

Cemal Karakas Hessische Stiftung Friedens- und Konfliktforschung

Kemal Karakas, bashkëpunëtor shkencor në Fondacionin, Hessische Stiftung

Në protestat e tanishme shihet një lloj frustrimi dhe pafuqie e demonstruesve, sepse AKP-ja nuk mund të hiqet nga pushteti me zgjedhje. Frustrimi i të rinjve është i ngjashëm me kohën e Helmut Kohlit i cili në Gjermani ishte në pushtet për 16 vjet me radhë. Gjenerata e re e Facebook-ut kërkon largimin e qeverisë konservatore dhe ndryshime politike.

Por përballë saj është shumica e popullatës konservatore dhe shumë e moshuar që mban mend kohën e viteve 90-të në Turqi. Ishte kjo koha e luftës së hapur qytetare kundër partisë së kurdëve PKK. Inflacioni në atë kohë ishte 120 %, ndërsa shumë fetarë myslimanë ndjeheshin të diskriminuar në tregun e punës.

AKP ka mundësuar që me politikën e saj të demokratizimit në vitin 2005 të fillojë procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ka bërë edhe një varg reformash sociale, shëndetësore, ekonomike dhe ka mundësuar katërfishimin e të ardhurave bruto në vend.

Republika turke dhe mangësitë në demokraci

Legjitimiteti demokratik megjithatë nuk garanton edhe veprime demokratike. Kur Erdogani mbron politikën e tij me një retorikë agresive, atëherë bëhet e qartë se demokracia nuk kuptohet si një vlerë universale por si një instrument për mbrojtjen e interesave personale. Dy çështje janë këtu të rëndësishme.

Së pari, Turqia ka një demokraci me "difekte". Problemi themelor i sistemit politik ka të bëjë me strukturën dhe jo me personat. Ndërkohë që islami shumicë (sunitët) dhe nacionalizmi paraqiten si vlera të identitetit të shtetit me qëllim që të pamundësohen përpjekjet për emancipimin e alavitëve dhe kurdëve.

Botëkuptimet kemaliste të republikanizmit janë në kundërshtim me relevancën e res publica, sepse sovraniteti i shtetit dhe organet e shtetit janë mbi vullnetin e popullit dhe jo e kundërta. Nga kjo rrjedh karakteri paternalist i shtetit "devlet baba" ("Atdheu" apo "Shteti i babait"). E veçanta tjetër e këtij sisistemi është mungesa e ndarjes së pushtetit dhe pragu më i lartë për futje të partive në parlament, prej 10 %. Ky rregull është futur me qëllim që të sigurohet stabiliteti politik dhe një pjesëmarrje më e madhe në politikë. AKP-ja nuk i ka shpikur këto rregulla, por ajo profiton nga ato, sepse po i përdorë si mjet për sundim.

Negocaitat me BE në qorrsokak

Së dyti: reformat e kërkuara nga BE kanë mbetur në rrugë. Fajin kryesor për këtë e ka më pak refuzimi i Turqisë të njohë Ankaranë dhe më shumë instrumentalizimi fetar e kulturor i anëtarësimit të Turqisë nga partitë kristiandemokrate konservatore të cilat angazhohen për një "partneritet të privilegjuar" me Turqinë.

Ato kanë shkaktuar një lloj distancimi të njerëzve në Turqi, sepse me temën e negociatave me BE-në nuk mund të fitosh tani asnjë zgjedhje në Turqi. Në veçanti jo bindëse tingëllon kur tani BE-ja kërkon më shumë demokraci në Turqi dhe mbanë ligjërata për vlerat njerëzore.

Një fakt tjetër është që në Turqi për herë të parë kemi një konflikt mes qeverisë dhe shoqërisë civile, pa u përzier ushtria e këtij vendi. Kjo është mirë, sepse demokracia duhet t'i durojë konfliktet e tilla që mbeten në kornizën e civilizimit. Megjithatë duhet hetuar rolin e policisë dhe dhunës së pamasë ndaj demonstruesve.

Në rast shkallëzimi të konflikteve, qeveria e tanishme me siguri që do të përjetojë dëme në zgjedhjet e ardhshme të parashikuara për vitin 2015. Le të shpresojmë se protestat e tanishme do t'i kontribuojnë forcimit të demokracisë në vend. Por edhe këtu vlen rregulli: secili vend e ka qeverinë që e meriton.

"Politologu Cemal Karakas është bashkëpunëtor shkencor në Fondacionin e Hesenit për hulumtime paqësore dhe të konflikteve në Frankfurt mbi Main.