1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: opozita në Poloni kundërgodet

Qindra mijëra vetë protestojnë kundër qeverisë nacional-konservatore të Kazhinskit në Varshavë. Shumica, ku mbështetet tani qeveria, mund të shpërbëhet një ditë, mendon Bartosz Dudek.

Kryeqyteti i Polonisë në mënyrë të përsëritur këtë fundjavë u kthye në skenë të protestave masive kundër qeverisë së partisë nacional-konservatore të Jaroslav Kazhinskit. Sipas vlerësimeve në protestë kanë marrë pjesë mbi 200.000 vetë. Kësisoj kjo ishte demonstrata më e madhe deri më sot kundër qeverisë, qëkurse ajo është në pushtet nga tetori 2015.

Dudek Bartosz Kommentarbild App

Bartosz Dudek

Eshtë padyshim ky sukses i opozitës, e në radhë të parë i platformës liberale qytetare nën drejtimin e ish-ministrit të Jashtëm Grzegorz Shetyna. Gjithashtu kjo tregon, se edhe një pjesë e shoqërisë - kryesisht në qytetet e mëdha - nuk ka vullnetin ta pranojë stilin qeverisës të Kazhinskit.

Bamirësitë ndihmojnë Kazhinskin

Megjithatë demonstrata e madhe nuk duhet të krijojë iluzionin, se Kazhinski dhe pasuesit e tij nuk i kanë frenat në dorë. Kryesisht në shtresat më të varfëra të popullsisë rurale ai gëzon popullaritet të madh. Nëse u refereohesh anketimeve, partia nacional-konservatore për Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Kazhinskit edhe sot do t'i fitonte zgjedhjet.

Arsyeja ka të bëjë me aplikimin së fundi të parave për fëmijë, që për shumë familje të varfëra nënkupton një ndihmë të rëndësishme financiare. Pavarësisht nga paralizimi i Gjykatës Supreme ose shndërrimi i medieve publike në medie shtetërore, bamirësia sociale duket se është më e rëndësishme për shumicën e zgjedhëseve dhe zgjedhësve të varfër.

Një ogur i keq

Por sidoqoftë dalja e qindra mijëra vetëve në demonstrata në rrugë nuk është ogur i mirë për Kazhinskin dhe partinë e tij. Nëse Kazhinski si deri më tani nuk do të bëjë lëshime ndaj opozitës dhe nuk do të arrijë kompromise, protestat do të shtohen e një ditë ato do të reflektohen edhe në anketime. Por deri atëherë rruga është e gjatë.