Koment: Opereta në Greqi vazhdon | Evropa | DW | 22.09.2015
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Opereta në Greqi vazhdon

BE pret që Alexis Tsipras pas rizgjedhjes së tij ta zbatojë sa më në heshtje programin e ri të ndihmës dhe të zhvillojë më në fund ekonominë greke. Ky mund të jetë optimizëm i gabuar, mendon Barbara Wesel.

Aktualisht Brukseli nuk dëshiron asgjë më shumë se sa qetësi në frontin grek. Kjo shkon aq larg, saqë shumë kanë dëshiruar fitoren zgjedhore të Aleksis Tsipras, sepse gjithsesi e kishin takuar atë në gjashtë muajt e fundit. Edhe pse në kuptimin e dyfishtë të fjalës. Por ishte shpresa se revolucionari profesionist ishte pjekur gjatë muajve të mosmarrëveshjes dhe ishte bërë për një burrë i vogël shteti. Dikush që e vë përgjegjësinë për vendin e tij para etjes për pushtet dhe lojërave taktike. Por mandati i tij i parë la gjurmë shkatërrimi, solli rrëzimin ekonomik dhe mbylljen e bankave. Megjithatë disa thjesht nuk duan të heqin dorë nga besimi në mirësinë e njeriut.

Manovrimi vazhdon

Çdo fitues i zgjedhjeve përgëzohet nga Brukseli: Presidenti i Këshillit flet në mënyrë domethënëse për sfida dhe punë konstruktive. Por eurodeputeti më i lartë e vë gishtin në plagë. Ai thotë se i duket e pakuptueshme që Alexis Tsipras përsëri hyn në koalicion me partinë nacionaliste Anel. Martin Schulz e di natyrisht pse kryeministri grek e bën këtë: që të ketë një partner koalicioni në Athinë, që të mos e pengojë, të mos i bëjë pyetje të pakëndshme, apo të bjerë në sy përmes kompetencës së vet. Sikur Tsipras të kishte mbledhur pas vetes ish socialdemokratët apo Partinë Liberale Potami, do të kishte patur ndoshta disa ekspertë, që kanë përvojë qeverisjeje apo kuptojnë diçka nga ekonomia. Por pikërisht këtë nuk e do shefi i Syriza-s, edhe pse kjo mungon aq fort në partinë e tij. Ai dëshiron të jetë sundimtar i vetëm në pallatin e qeverisë, dhe kjo nuk është shenjë e mirë për të ardhmen.

Barbara Wesel, korrespondente e DW në Bruksel

Barbara Wesel, korrespondente e DW në Bruksel

Ndoshta grekët dëshirojnë të gënjehen nga qeveria e tyre në çdo hap. Dhe gjatë fushatës zgjedhore Tsipras u premtoi atyre përsëri qiellin, se mund të lehtësojë kushtet e programit të shpëtimit, dhe se do të rinegociojë përsëri. Kjo është e pamundur. Vetëm kur ai të ketë bërë reformat, kreditorët do të flasin me të për "përshtatjet". Kryeministri ka tani rreth katër javë kohë për të miratuar legjislacionin dhe për të ndërmarrë masat e dhimbshme. Reformën e pensioneve dhe atë administrative, si dhe privatizimin e furnizimit me energji elektrike dhe të porteve. Këto janë vetëm disa shembuj të një liste të gjatë. Dhe kjo mjafton për të përmbushur kërkesat vetëm formalisht. Tsipras ka nevojë për njerëz, që t'i zbatojnë ato me të vërtetë. Por si mund të sjellë dikush, që i thotë vazhdimisht qytetarëve të tij se programi i reformave është grabitje dhe ligësi, një ndryshim kulturor dhe vullnetin për të marrë më në fund përgjegjësinë për fatin e vet?

Thuaj më në fund qytetarëve të vërtetën!

Në shumicën e rasteve kryeministri grek shfaqet si hero popullor dhe hakmarrës për të drejtën e vegjëlisë: Një përzierje e Robin Hood-it dhe d'Artagnan-it tek "Tre musketjerët". Po ai në vitet e ardhshme nuk është asgjë më tepër se shitës i pilulave të hidhura. Ai duhet t'ua bëjë grekëve të qartë se ilaçi i dhënë me recetë është i vështirë për t'u përtypur, por të shpëton jetën. Pa reforma të mëtejshme nuk ka rritje ekonomike. Dhe rruga është bërë edhe më e vështirë: Tsipras duhet t'u shpjegojë qytetarëve të tij se kriza greke është zbritur nga skena evropiane. Ne kemi tani në vend të saj një krizë të refugjatëve dhe jemi të mbingarkuar me të.

Së fundi: Tsipras duhet të sigurojë që Greqia të funksionojë më në fund si një shtet i vërtetë. Sjellja me refugjatët është një turp dhe ka treguar edhe një herë, se në administratën greke sundojnë mungesa e vullnetit dhe paaftësia. Por a është kryeministri ai që kërcet këtu grushtin në tavolinë dhe nganjëherë edhe zëvendëson personelin? Alexis Tsipras e ka provuar vetën si strateg të mençur, por nëse është në gjendje të qeverisë, këtë nuk e di ndoshta as vetë. Të jetë pjekur papritmas? A e ka kuptuar seriozitetin e situatës? Pak gjë flet për këtë. Vetëm një gjë është e qartë: Në fund të rrugës pret Wolfgang Schäuble. Dhe pas tij vërtitet një fantazmë, që quhet Grexit.

Në fund të këtij komenti Ju mund të jepni opinionin Tuaj. Ne emirëpresim mendimin Tuaj!